Ndërlidhjet

Fëmijët, të nxitur të punojnë punë të rënda


Rreth 230 fëmijë në Kosovë kryejnë punë të rënda. Në kategorinë e punëve të rënda hyn edhe kërkimi i lëmoshës. Ky shifër bëhet e ditur nga disa hulumtime të bëra nga organizata të ndryshme që merren me të drejtat e fëmijëve.

Zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se ka edhe shumë fëmijë që kërkojnë lëmoshë dhe janë nga Shqipëria.

Behxhet Gagjiqi, këshilltar i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Punës ka hartuar strategjinë përkatëse për parandalim dhe eliminim të kryerjes së punëve të rënda dhe të rrezikshme te fëmijët.

Ai përmend disa nga punët e rënda që aktualisht i punojnë fëmijët në Kosovë.

"230 fëmijë janë identifikuar e që hyjnë aty kërkim lëmosha edhe puna e rëndë. Kemi fëmijë që kryejnë punë të rënda si në fabrika, ku fëmijët shkojnë për të marrë gjëra të hekurta e që konsiderohet si punë e rëndë dhe e ndalueshme për fëmijë. Gjithashtu kërkim lëmosha konsiderohet punë e rëndë".

"Ndaj tyre, institucionet përkatëse në bashkëpunim me qendrën për punë sociale, bëjnë identifikime fëmijëve për të parë se cila është gjendja e fëmijës, familjes së tij, dhe arsyen pse e ka shtyrë atë të punojë. Në bazë të hulumtimeve që i kemi bërë ka dalë se një numër i prindërve i nxisin fëmijët e tyre të bëjnë punë të rënda pa dëshirën e tyre, e që është e ndalueshme dhe e sanksionueshme", bëri të ditur Gagjiqi.

Donjeta Kelmendi drejtoreshë e Koalicionit të OJQ-vë për Mbrojtjen e Fëmijëve, (KOMF) përmend disa faktorë që do të mund të ndikonin në uljen e numrit të fëmijëve që janë të përfshirë në këtë dukuri.

"Zgjidhja për largimin e fëmijëve nga punët e rënda duhet fuqizohen institucionet apo mekanizmat institucional që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve dhe largimin e tyre nga punët e rënda. Krahas kësaj një alternativë tjetër që ne kemi propozuar ka qenë formimi i një grandi specifik për shërbime sociale në kuadër të komunave, pasi që komunat nuk kanë një grand specifik për shërbime sociale e që do t'iu vinte në ndihmë qendrave për punë sociale dhe do të rrisnin kualitetin e shërbimeve ofruar drejt fëmijëve", tha Kelmendi.

Por, zoti Gagjiqi ka thënë se tashmë janë hartuar edhe komitetet lokale të veprimit që funksionojnë në kuadër të komunave, për parandalimin e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda.

"I vetmi qëllim për hartimin e komiteteve lokale të veprimit ka qenë që më praën komunave qytetarët por e dhe institucionet përgjegjëse të jenë më të koordinuar në parandalimin e punëve të rënda te fëmijët", u shpreh ai.

Zonja Kelmendi gjithashtu shtoi se për largimin e fëmijëve nga punët e rënda duhet punohet edhe me familjet e këtyre fëmijëve.

"Për largimin e fëmijëve nga punët e rënda sigurisht që duhet punohet me familje dhe duhet ofrohen edhe alternative. Duhet të shihen problemet apo arsyet e punës së fëmijëve dhe bazuar në secili rast të ofrohen alternativat karshi fëmijës dhe bazuar në interesin më të mirë të fëmijës", tha Kelmendi.

E Zoti Gagjiqi gjithashtu ka shtuar se me ligj është e sanksionueshme kryerja e punëve të rënda nga ana e fëmijëve, derisa edhe sanksionohet një gjë e tillë.

Por ai përmend edhe një problematikë tjetër e që sipas tij, pjesë e madhe e fëmijëve lypsarë janë nga vendet e rajonit, kryesisht Shqipërisë.

"Ka forma të sanksionimit dhe forma të tërheqjes së fëmijëve nga rruga, ku Policia e Kosovës merret me këtë çështje në bashkëpunim më qendrën për punë sociale. Operacioni më i fundit ka qenë në Prizren, ku janë tërhequr nënat me foshnjat e tyre që qëndrojnë në rrugë dhe kërkojnë lëmoshë. Por një problem që na paraqitet është se pjesa më e madhe është e fëmijëve lypsarë janë nga vendet e Shqipërisë", theksoi Gagjiqi.

XS
SM
MD
LG