Ndërlidhjet

Jahjaga: Kosova nuk është vetëm në luftën kundër radikalizmit


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga [foto nga arkivi]
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga [foto nga arkivi]

"Është e rëndësishme që si institucione të veprojmë kundër individëve dhe grupeve që përbëjnë kërcënim për sigurinë tonë", ka thënë presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË: Zonja presidente, një prej shqetësimeve kryesore që ka Kosova dhe këtu po ju citoj ju, është radikalizmi islamik. Cilat janë përmasat e këtij kërcënimi, sipas jush?

ATIFETE JAHJAGA: Ky kërcënim nuk e kanos vetëm Kosovën. Ai del përtej kontekstit tonë të brendshëm. Kosova nuk është e izoluar në përballje me këtë sfidë, e cila ka marrë përmasa globale. Për ne është e rëndësishme që, si institucione, të veprojmë kundër individëve dhe grupeve që përbëjnë kërcënim për sigurinë tonë kombëtare; edhe si shoqëri të distancohemi nga veprimet kriminale e ekstremiste, që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat dhe idealet, mbi të cilat po e ndërtojmë shtetin tonë.

Qytetarët e Kosovës janë përcaktuar për ndërtimin e një shteti që është faktor paqeje dhe stabiliteti dhe presin nga institcionet e vendit që të veprojnë për ta jetësuar këtë vizion. Policia dhe mekanizmat tjerë të sigurisë e të drejtësisë, kanë dëshmuar kompetencë në ballafaqim me këtë sfidë dhe Republika e Kosovës ka dëshmuar se ka vullnet politik që të përballet me këto sfida.

Institucionet tona të sigurisë dhe të rendit do të bashkëpunojnë ngushtë që ta çrrënjosim këtë këtë kërcënim jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin e më gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË: Cilët janë faktorët që nxisin përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në veprimtari radikale?

ATIFETE JAHJAGA: Shikoni, është mirë që këtë çështje ta vendosim në kuadër të kontekstit më të gjerë, që tejkalon Kosovën dhe ta kuptojmë drejt këtë problem. Bëhet fjalë për një grup të izoluar individësh, të radikalizuar, të manipuluar, për të cilët ka dyshime të bazuara që janë rreshtuar pranë grupeve terroriste, me qëllim që të kryejnë vepra terroriste dhe kriminale në Republikën e Kosovës, por edhe më gjerë.

Do të thotë, është fjala për individë që kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare. Ashtu sikur edhe institucionet e vendit, qytetarët e Kosovës e dënojnë një veprimtari dhe orientim të tillë që bie ndesh me vlerat dhe idealet, mbi të cilat e ndërtuam shtetin tonë.

Ne na duhet një qasje gjithëpërfshirëse ndaj këtij kërcënimi. Kjo nënkupton plotësimin e legjislacionit tonë për ta adresuar këtë lloj rreziku për sigurinë kombëtare, por edhe hartimin e politikave që do t’i parandalojnë qytetarët e Kosovës ta shohin si opsion rreshtimin në një kauzë të tillë terroriste dhe kriminale.

Këtyre ditëve kemi parë thirrje të shumta për forcimin e sistemit tonë të arsimit, të politikave tona zhvillimore. Këtu do të shtoja edhe nevojën tonë që si shoqëri të marrim përgjegjësi për t’i debatuar haptas këto shqetësime, për t’i fuqizuar qytetarët tanë që të ndihen pjesë e shtet-ndërtimit.

RADIO EVROPA E LIRË: Zonja presidente, institucionet qendrore të Kosovës janë kritikuar për mungesë masash parandaluese karshi këtij fenomeni. Si do t’u përgjigjeshit këtyre kritikave?

ATIFETE JAHJAGA: Këto hetime janë komplekse dhe të ndjeshme, dhe koordinimi ndërinstitucional kërkon kohë për të dhënë rezultate.

Ky veprim i mekanizmave tonë të sigurisë dhe të drejtësisë është i paprecedent dhe si i tillë, përpos që dëshmon pjekurinë dhe profesionalizmin e Policisë dhe inteligjencës së Kosovës, për t’u përballur me këtë sfidë ndaj sigurisë kombëtare, ka dhënë mesazh të qartë brenda dhe jashtë vendit se ne këto kërcënime i kuptojmë seriozisht dhe e kemi vullnet politik të përballemi me to.

RADIO EVROPA E LIRË: Operacionet kundër veprimtarive radikale po ndodhin në një periudhë boshllëku institucional në Kosovë. Ku ndodhet ky proces?

ATIFETE JAHJAGA: Institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë të Republikës së Kosovës në një koordinim të ngushtë kanë zhvilluar një operacion të suksesshëm kundër ekstremizmit dhe radikalizmit që si fenomen, kërcënon sigurinë tonë kombëtare dhe vlerat, mbi të cilat kemi ndërtuar shtetin tonë.

Unë kam kërkuar, në bazë të kompetencave të mia Kushtetuese, që mekanizmat përgjegjës të merren me këtë çështje dhe pas një sekuence të veprimeve hetimore dhe ndjekëse, është organizuar dhe implementuar operacioni në fjalë.

Këtë operacion duhet ta shikojmë nga perspektiva e autonomisë së mekanizmave të sigurisë dhe drejtësisë dhe nga vlera e ndarjes së pushteteve. Me operacionin e fundit është vërtetuar se institucionet e Kosovës respektojnë autonominë e njëra-tjetrës dhe veprojnë mbi parimet e demokracisë së kontrollit dhe baraspeshës.

Boshllëku institucional reflektohet në institucionet e zgjedhura politikisht dhe jo domosdoshmërisht ndikon në funksionimin kushtetues dhe ligjor të institucioneve tjera siç janë Policia, Prokuroria dhe Gjyqësia.

Institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë kanë treguar që janë të përgatitura dhe efektive në parandalimin e cenimit të sigurisë sonë kombëtare. Takimet e fundit që kam pasur me ta, kanë qenë një shprehje e vullnetit tim politik që përkrahja politike dhe lehtësimi i koordinimit nuk do të mungojë kur cenohet rendi ynë kushtetues.

RADIO EVROPA E LIRË: Ndërkohë, përballë Kosovës gjenden jo pak sfida, përfshirë këtu edhe themelimin e Gjykatës së Posaçme, e cila do të merret me krime lufte. Si mund të reflektohet ngërçi politik në këtë proces?

ATIFETE JAHJAGA: Gjykata Speciale do të jetë gjykatë që vepron në bazë të ligjeve dhe juridiksionit të Republikës së Kosovës. Siç e dini, në prill të këtij viti dy të tretat e Kuvendit të Kosovës e kanë mbështetur krijimin e gjykatës speciale duke i obliguar institucionet e Kosovës që të fillojnë implementimin e marrëveshjes ndërkombëtare që parasheh themelimin e gjykatës.

Kjo gjykatë është e Kosovës dhe do të përcaktojë përgjegjësinë individuale mbi të gjitha parimet e drejtësisë.

Krijimi i institucioneve të reja duhet të bëhet sa më shpejt për shkak se ka vendime të rëndësishme, të cilat duhet të merren nga Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Jam e bindur që Kosova dhe spektri i saj politik do të sillen me përgjegjësi ndaj këtyre obligimeve ndërkombëtare që i kemi marrë si vend.

RADIO EVROPA E LIRË: Në pritje të formimit të institucioneve të reja të Kosovës ka mbetur edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Si e shihni ju vazhdimësinë e këtij dialogu, duke marrë parasysh edhe ngecjet që janë shënuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash?

ATIFETE JAHJAGA: Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut me Republikën e Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Ky dialog duhet të vazhdojë deri në shterrjen e të gjitha çështjeve mes dy shteteve tona, që do ta mundësojnë normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe ne insistojmë që ky proces i dialogut të përmbyllet me një marrëveshje, një traktat paqeje, që do të ketë peshë ligjore dhe që do ta njohë mvetësinë e Kosovës.

Unë e kam mbështetur dialogun si të vetmen mundësi për dy vendet tona që t’i zgjidhin çështjet e hapura dhe që kjo e arritur t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve si një parakusht për anëtarësim në BE. Duhet ta kuptojmë që si rajon duhet të angazhohemi që të dëshmojmë se kemi një pjekuri politike që na ndan nga e kaluara jonë e hidhur; Se mësimet janë mësuar dhe vizioni për anëtarësim në BE është përvetësuar unanimisht.

Në përgjithësi kemi nevojë që si rajon të nisim një kapitull të ri, që vendet tona të mos shihen si prodhues të vazhdueshëm krizash, por si shtete që e kanë trasuar shtet-formimin e tyre dhe i kanë përvetësuar përgjegjësitë që të jenë kontribuues të paqes dhe stabilitetit në Evropë.

Por, përfitimet nga marrëveshja nuk janë vetëm përfitime imazhi. Ne na duhet guximi dhe kurajo që t’i zgjidhim çështjet që i kemi trashëguar, qoftë nga lufta, qoftë nga administrimi ndërkombëtar i Kosovës. Na duhet ta përmbyllim një herë e përgjithmonë konfliktin me Serbinë. Na duhet ta stabilizojmë Kosovën duke integruar në jetën institucionale dhe sociale të gjithë qytetarët e saj, të gjitha komunitetet. Konsideroj që një qasje e tillë siguron integritetin territorial të Kosovës dhe funksionimin e mbarë të saj. Dhe, ky stabilitet i brendshëm na garanton një subjektivitet më të madh në arenën ndërkombëtare.

Dialogu, po ashtu, ka krijuar një realitet që as Serbia më nuk mund ta mohoj. Natyrisht ky ndryshim në Serbi për ne është i vonuar, por ne duhet të insistojmë në normalizimin e marrëdhënieve si kusht për integrim në BE, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohemi që ky shtet, që i ka shkaktuar 4 luftëra në rajon, të bëhet i përgjegjshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG