Ndërlidhjet

Jahjaga: Rinia të orientohet kah integrimet, e jo radikalizmi


Atifete Jahjaga (Foto nga arkivi)
Atifete Jahjaga (Foto nga arkivi)

Nën përcjelljen e forcave speciale të Policisë së Kosovës, 40 personat e arrestuar për pjesëmarrje në luftë në Siri e Irak janë paraqitur para gjykatës në Prishtinë. Ata dyshohen për kryerjen e veprave që cenojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pjesëmarrje në organizata të shpallura si terroriste, siç janë ISIS e Al Nusra.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përsëritur të martën se i mbështet veprimet e organeve të ndjekjes penale kundër personave të dyshuar për përfshirje në terrorizëm dhe aktivitete tjera që cenojnë rendin kushtetues të Kosovës.

Këto komente, Jahjaga i ka bërë gjatë një vizite në Gaçanicë, ku, e shoqëruar edhe nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, janë takuar me kryetarin e kësaj komune, Branimir Stojanoviq.

Jahjaga ka thënë se Kosova nuk do të tolerojë radikalizmin islamik sikurse edhe veprimet tjera të rrezikshme.

"Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vend-strehimore e veprimeve ekstremiste. Çështja e ekstremizmit dhe radikalizmit islamik ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër brengat e mëdha për vendin tonë. Veprimi i djeshëm i institucioneve, mekanizmave të sigurisë duhet të përshëndetet", ka deklaruar Jahjaga.

Nga numri prej 40 të arrestuarve shumica janë të rinj. Presidentja Jahjaga ka thënë me këtë rast se rinia e Kosovës është përparimtare dhe ajo duhet të orientohet kah integrimet evropiane dhe jo kah qëllimet tjera radikale.

"Kosova ka një rini, me të cilën duhet të krenohemi dhe se rinia jonë duhet të jetë e orientuar drejt kontributit të tyre për shtetin e tyre dhe drejt proceseve integruese, sepse alternativa e vetme për Kosovën është rruga evropiane, rruga e integrimeve euro-atlantike", është shprehur Jahjaga.

Po në lidhje me përfshirje e të rinjve nga Kosova në luftë, qoftë në Siri apo Irak, Maria Berishaj, sociologe thotë se ka disa faktorë pse të rinjtë mund të jenë shtresa më e manipuluar, ndër të cilat ajo veçon sidomos arsyet e gjendjes socio-ekonomike në Kosovë.

Po ashtu, edhe niveli i arsimit dhe qasja e pa limituar në internet, besohet se krijojnë lidhje me ideologji e besime të ndryshme.

"Të rinjtë në shoqërinë tonë janë shënjestra më e lehtë. Fatkeqësisht, të rinjtë kalojnë mjaft kohë online (në internet), vizitojnë faqe të ndryshme, të cilat propagandojnë dhunë. Mungesa e aktiviteteve sociale për të rinj dhe papunësia, natyrisht, që janë faktorë. Po ashtu sistemi i arsimit, i cili më tepër riprodhon sesa që krijon të menduarit kritik mund të jetë një prej arsyeve”.

“Si dhe arsyeja e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është ndjenja e përkatësisë në grupe. Këto grupe, mund t'ju ofrojnë të rinjve ndjenjën e përkatësisë emocionale e psikologjike, prandaj edhe janë raste apo arsye për një manipulim më të madh të të rinjve", ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Marie Berishaj, sociologe.

Organet e ndjekjes penale kanë konfirmuar të hënën se grupi prej 40 personave të arrestuar nuk është i vetme që po hetohet rreth aktiviteteve të dyshuara për radikalizëm islamik.

Nën hetime është thënë se janë edhe imamë të xhamive, rekrutues për luftë jashtë Kosovës dhe nxitës, të cilët shumë shpejt mund të ballafaqohen me drejtësinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG