Shtetet e Bashkuara i kanë kthyer aeroplanët e tyre luftarakë në hapësirën ajrore të Irakut, për të ndihmuar në ndaljen e avancimit të militantëve të Shtetit Islamik, në pjesën veriore të këtij vendi.
Por, shtrohet pyetja se çfarë domethënie ka mbështetja ajrore për përpjekjet e Bagdadit në luftën kundër kërcënimit militant?
Michael Stephens, është analist i çështjeve të sigurisë dhe zëvendësdrejtor i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Studimeve për Mbrojtje dhe Siguri në Katar. Ai thotë se këto sulme, vetëm janë paraparë për ta mbrojtur qytetin Irbil, që është kryeqytet i rajonit autonom kurd në Irak, dhe për mbrojtjen e refugjatëve të minoritetit religjioz, jazidi.
“Sulmet ajrore, që janë autorizuar nuk janë të parapara për t’i shkaktuar disfatë Shtetit Islamik (IS) dhe ato nuk janë të parapara ta ndryshojnë balancën e forcave në Irak ose në Siri. Këto sulme, thjesht, janë të parapara për mbrojtjen e Irbilit dhe të refugjatëve të minoritetit jazidi".
"Kjo është ajo që ne e cilësojmë si pikë e mbrojtjes. Thjesht, këto sulme janë të parapara si masë afatshkurtër për ta ndalur zgjerimin e Shtetit Islamik në hapësirat, që aktualisht kontrollohen nga aleatët amerikanë. Pra, nuk është lëvizje strategjike, por është një lëvizje e menjëhershme, që është humanitare, po ashtu”, thotë Michael Stephens.
Më tutje ai thekson se me këto sulme synohet, para se gjithash, të sigurohen aleatët dhe t’i bëhet me dije Shtetit Islamik se ekziston një kufi për llojin e aktiviteteve që ata mund t’i ndërmarrin.
Shteti Islamik ka treguar se po i shtohet besimi, prandaj kjo vërejtje është dashur të bëhet në mënyrë që Shteti Islamik ta kuptojë se, me gjasë, nëse vazhdon të zgjerohet më tej, atëherë do të ketë pasoja serioze, thotë Stephens.
Por, çka do të thonë këto sulme ajrore për dhjetëra mijëra refugjatë në pjesën veriore të Irakut, në kuptimin se a do t’u ndihmojë atyre që të ikin dhe të jenë të sigurt?
“Ka pasur hedhje humanitare nga ajri të ushqimeve dhe ujit, por kjo duhet të bëhet çdo ditë, për t’i mbajtur gjallë këta njerëz. Është një operacion tejet intensiv. Mendoj se me qëllim për të krijuar siguri, që pjesëtarët e minoritetit jazidi të jenë në gjendje të largohen më tej në veri, në hapësirat e mbrojtura kurde, atëherë sulmet ajrore duhet të kryhen kundër militantëve të Shtetit Islamik, nëse ata gjenden në rrugët ose drejtimet, nëpër të cilat këta refugjatë duhet të ikin. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin këso operacionesh dhe sulmet ajrore do të ndryshojnë gjendjen e këtyre pjesëtarëve të minoritetit jazidi”, thekson Stephens.
Ka pasur mendime se këto sulme ajrore mund të paraqesin fillim të një roli më të madh ushtarak amerikan në Irak. Çka mendon eksperti Michael Stephens për këtë çështje?
“Ekziston shqetësim se këto sulme ajrore mund të zgjerohen në operacion më të madh. Por, nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Mendoj se do të ketë më tepër sulme ajrore nëse Shteti Islamik vendos t’i sulmojë hapësirat civile dhe minoritetet religjioze. Siç e thashë më parë, sulmet ajrore nuk janë të parapara ta shkatërrojnë Shtetin Islamik dhe që të jetë operacion i plotë afatgjatë. Është, thjesht, për t’u marrë me një problem të menjëhershëm. Nëse ky problem i menjëhershëm aktualizohet, atëherë edhe sulmet ajrore do të jenë të tilla”, thotë eksperti Stephens.
Shtrohet pyetja se a mund të shkatërrohen militantët e Shtetit Islamik në Irak?
“Nëse ju do ta shkatërronit Shtetin Islamik, atëherë ju duhet ta shkatërroni bazën e tyre kryesore operuese në Siri, prej nga ata rrjedhin. Por, duket qartas se amerikanët nuk do të intervenojnë në Siri, së shpejti. Tash ka debate serioze në Uashington, Londër dhe Paris, për armatimin e forcave kurde Peshmerga, dhe për stërvitjen e tyre, për t’i detyruar këto forca të Shtetit Islamik, që të tërhiqen”.
“Kjo vlen edhe për ushtrinë e Irakut, por kjo ushtri pothuajse është shkatërruar dhe ka treguar se nuk është e aftë. Nuk mendoj se Shtetit Islamik do t’i shkaktohet disfatë, pasi për këtë nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik. Por ajo që njerëzit kanë gatishmëri ta bëjnë, është ndalja e zgjerimit të tyre. Presidenti Obama ishte i qartë se ai dëshiron që irakianët ta marrin përgjegjësinë, e jo që këtë për ata ta bëjë perëndimi”, vlerëson analisti Michael Stephens. (f. bujupi)