Ndërlidhjet

Procesi i privatizimit, pa fund


Ilustrim
Ilustrim

Janë bërë më tepër se një dekadë që kur ka filluar raundi i parë i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, por nuk ekziston ndonjë periudhë kohore kur do të përfundojë, rrjedhimisht mandati i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ylli Kaloshi zëdhënës në këtë agjenci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në ligjin për AKP-në, miratuar nga Kuvendi i Kosovës nuk parashihet ndonjë afat i caktuar sa i përket përfundimit të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Ai madje thotë se procesi nuk përfundon deri sa të privatizohen të gjitha asetet e ndërmarrjeve publike.

“Dinamika e punëve më kontraktorin e likuidimit parasheh që deri në vitin 2016 të përfshihen në procesin e likuidimit të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe të përfundojë shqyrtimi i kërkesave të kreditorëve pretendues".

"Sidoqoftë, kjo varet edhe nga procesi i shqyrtimit të ankesave kreditore e pronësore në Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme, ndërkaq është e rëndësishme për të gjitha këto dinamika të vazhdohen me shitjen e aseteve të ndërmarrjeve për çka duhet të jetë funksional Bordi i Drejtorëve të Agjencisë dhe të jetë në përbërje të plotë”, thekson Kaloshi.

Ndryshe, nga ekspertë për çështje ekonomike dhe disa subjektet politike, procesi i privatizimit në Kosovë vazhdimisht është kritikuar për procedurat e aplikimit dhe që nuk ka sjell efekte pozitive në ekonominë e Kosovës.

Madje, është thënë se autoritet kosovare nuk kanë qenë të përgatitura për këtë proces.

Me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore gjithnjë të pakënaqur kanë qenë edhe përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ky proces, sipas tyre, nuk ka arritur që të krijojë vende të reja të punës.

Ali Dragusha anëtar i Këshillit Ekonomiko Social, i emëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se është e domosdoshme të ketë një limit të caktuar deri kur mund të zgjasë procesi, sepse në këtë mënyrë thotë ai, po krijohen zvarritje pa arsye.

“Ky është një elementet shumë më rëndësi pasi kemi një neglizhencë të konsiderueshme edhe nga ana e agjencisë e veçanërisht nga ana e Dhomës se Veçantë. Sepse, nga kjo neglizhencë dhe zvarritje e këtyre procedurave po varet shumë edhe realizimi i të drejtave të punëtorëve dhe kërkesave të tyre, që janë të shumta e që ekskluzivisht varen me përfundimin e procesit, përkatësisht më likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore", shprehet Dragusha.

Ai madje konsideron se procesi i privatizimit në disa ndërmarrje duhet të monitorohet, pasi sipas tij, ky proces nuk është realizuar në bazë të dispozitave në fuqi.

"Ne si sindikatë realisht nuk jemi të kënaqur edhe pse i kemi pasur përfaqësuesit në borde dhe organet në kompetente. Por niveli i angazhimit të tyre, apo më mirë të themi, pritja që ka pas anëtarësia prej tyre nuk ka qenë në shkallën e pritur dhe shkallën e kënaqshme nga ta", shprehet Dragusha.

Ndryshe, nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tani në privatizim janë përfshirë mbi 400 ndërmarrje shoqërore prej të cilave janë krijuar dhe tenderuar mbi 800 ndërmarrje të reja.

Ndërkaq 26 ndërmarrje shoqërore janë privatizuar më metodën e spin-offit special.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG