Blloku i partive i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës se po krijon krizë institucionale.
Sipas tyre, vakuumi institucional po e dëmton rëndë Kosovën.
Liderët e koalicioni LDK-AAK-Nisma, pas një takim të mbajtur të martën kanë theksuar se vendimet që po i merr qeveria në largim janë të kundërligjshme dhe kanë kërkuar nga qeveria në largim që të ndalohen veprimet e tilla.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se koalicioni LDK, AAK, Nisma janë duke punuar në përfshirjen e programeve të tri partive në një program të përbashkët qeveritar.
“Ne biseduam lidhur më çështjet aktuale lidhur me vakuumin institucional në të cilën ndodhemi tani, lidhur me vendimet që po merren në nivel vendi dhe bazueshmërinë kushtuese dhe ligjore të tyre dhe lidhur me programin tonë qeverisë së bllokut LDK AAK - Nisma dhe partnerëve tjerë më të cilët po bashkëpunojmë në mënyrë që të sigurojmë një qeverisje të suksesshme dhe një qeverisje që do të jetë në interes të qytetarëve”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga administrata shtetërore që të rris dinamikën e menaxhimit dhe ky vakum institucional të mos reflektohet në jetën e qytetarëve.
“Ne apelojmë gjithë administratës shtetërore që t’i kryej të gjitha obligimet dhe detyrat e veta ligjore dhe kushtetuese që ka, të ruaj funksionalitetin e shtetit dhe t’iu shërbejë qytetarëve që kanë nevoja të përditshme derisa kjo gjendje të merr rrugën e duhur pas vendimit të Gjykatës”, është shprehur Limaj.
Blloku i partive LDK, AAK, Nisma kanë akuzuar PDK se duke dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese po kërkon me ngulm të mbes në pushtet, ndërsa vlerësojnë se me krijimin e qeverisë prej tyre do të ndalojnë dukuritë korruptive.
Blloku opozitar, ka folur edhe për seancën dëgjimore publike të 21 gushtit, në të cilën do të shqyrtohet kërkesa për vlerësimin e kushtetushmërisë së zgjedhjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Ata kanë thënë që në këtë seancë do të ofrojnë argumente që pasqyrojnë vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
I kandiduari për postin e kryeministrit nga blloku LDK, AAK dhe Nisma, Ramush Haradinaj, ka theksuar se po bëjnë të gjitha përgatitjet që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të mos humbin kohë në formimin e qeverisë së re.
“Te kohëzgjatja ne nuk i kemi vendosur këto afate. Ne kishim pasur dëshirë që gjykata kushtetuese të merr vendime në një afat të shkurt kohor, të gjitha këto procedura të jenë më të shpejta dhe na vjen keq për këtë gjendje të tilla. Ajo që është në mundësinë tonë është që kohën pas vendimit me përshpejtuar procesin me ndërtuar institucionet në afatin e duhur kohor dhe të fillojmë të veprojmë në përputhje me kërkesat e qytetarëve tonë”, ka thënë Haradinaj.
Sidoqoftë, mbetet të pritet se cili do të jetë interpretimi në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit para se të kalohet në fazën e formimit të qeverisë, si faza e fundit e formimit të institucioneve të reja që dalin si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.
Analistë dhe vëzhgues të ndryshëm të këtij procesi ndajnë mendime të ndryshme nëse institucionet e dala nga zgjedhjet e 8 qershorit do të arrijnë të funksionalizohen apo vendi do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja.