Ndërlidhjet

Sherifi: Viktimat e dhunës familjare, jo të riintegruara


Ilustrim
Ilustrim

Naime Sherifi nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Kosovë, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se sfida kryesore për viktimat e dhunës në familje, mbetet riintegrimi i tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Sherifi, flitet për një numër të madh të grave që përjetojnë dhunë familjare. Cilat janë të dhënat që ju posedoni?

NAIME SHERIFI

Vitin e kaluar, sipas raporteve të policisë, kanë qenë diku rreth 1100-1200 raste të dhunës në familje. Unë mund të jap vetëm statistikat e organizatave joqeveritare strehimore, që ofrojnë shërbime strehimi. Rreth 450 raste prej këtyre 1100-1200, sa kanë qenë, një pjesë e tyre kanë qenë të strehuara. Këto 450 raste kanë qenë me nivel të rrezikut dhe është kërkuar strehim nga ana e institucioneve për to.

Ndërkaq, prej vitit në vit, nuk ka ndonjë ndryshim të madh, rritje apo rënie të madhe, po kjo s’do të thotë që është numri i saktë çdo herë, për shkak se një numër i madh i rasteve të dhunës në familje nuk paraqiten fare, pra asnjëherë nuk e paraqesin problemin, ose paraqiten atëherë kur gjithçka është në përfundim, kur nuk ka përmirësim as të raporteve në familje, dhe kur vështirësohet shumë edhe mbrojtja e tyre.

Një ndër problemet që e shkakton identifikimin e rasteve apo mosparaqitjen e tyre, është frika në radhë të parë, si faktor kryesor, mosinformimi i duhur se çka mund të përfitojnë dhe cilat janë mundësitë për t’i ndihmuar këto raste për ta zgjidhur problemin e tyre. Pastaj është edhe faktori tjetër që ndoshta një pjesë ende nuk e kanë krijuar besimin e duhur tek institucionet.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilët janë mekanizmat që ju aplikoni për mbrojtje dhe rehabilitim ndaj dhunës në familje dhe sa zbatohen?

NAIME SHERIFI

Normalisht që jemi shtet relativisht i ri dhe fillimisht neve na kanë munguar edhe mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e kësaj kategorie nga dhuna. Janë disa faktorë që e pengojnë implementimin e këtij mekanizmi. Në vitin 2008 - 2009 është punuar për hartimin e Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhe sa më kujtohet, në fund të 2010-s ky ligj është aprovuar nga Kuvendi dhe në bazë të tij janë paraparë një sërë udhëzimesh administrative.

Pastaj është paraparë hartimit i programit të Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje,ku brenda programit janë të përfshira plani i veprimit dhe strategjia dy vjeçare siç ka qenë. Më vonë pastaj është hartuar edhe procedura e standardit të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje dhe udhëzimet administrative që i ndihmojnë implementimit të këtij ligji.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të ri-integrohen këto gra dhe sa e përcillni ju këtë proces?

NAIME SHERIFI

Procesi i riintegrimit është ajo “Thembra e Akilit” në krejt proceset, jo vetëm për viktimat e dhunës në familje po për kategorinë e të gjitha formave të dhunës, pra për krejt viktimat është problemi i riintegrimit. Është e paraparë ehe në programin e Kosovës për dhunë në familje, sepse zgjidhja e problemit është riintegrimi.

Në momentin që paraqitet një rast, nëse institucionet nuk punojnë me të në fushën e riintegrimit, atëherë nuk kemi bërë asgjë, sepse ai ka për të qenë rast recidiv. Dhe, ky proces mungon në tërësi tek institucionet tona. Në riintegrim më shumë punojnë vetë organizatat joqeveritare sesa institucionet që janë të mandatuara për këtë çështje.

Problemi kryesor është buxheti, sepse ky proces kërkon buxhet shumë të madh, kurse përgjigja e institucioneve është që s’kemi buxhet për këtë çështje dhe viktimat mbesin në mëshirën e fatit, disa kthehen te babai, disa te burri, e tjera mbesin rrugëve dhe kalojnë pastaj në situata shumë më të vështira dhe më nuk janë ato që kanë qenë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ju dëgjohet zëri grave, qofshin ato viktima të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike?

NAIME SHERIFI

Në nivelin operativ, në nivelin veprues, kudo që ato kërkojnë ndihmë, institucionet u ofrojnë ndihmën adekuate, siç është për shembull strehimi, mbrojtja ligjore, pavarësisht prej vendimit të gjykatës, zyrtarët e kryejnë detyrën e vet, domethënë janë nëpunësit të cilët ne i thërrasim mbrojtësit e viktimave, punëtorët socialë, janë punëtorët e shëndetit mendor, janë strehimoret. Pra, janë një varg faktorësh që merren me këto raste, i menaxhojnë këto raste, mirëpo nuk e kanë fuqinë e pjesës së riintegrimit për shkak të mungesës së fondeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë kushtesh ofron qendra juaj dhe sa kohë mund të qëndrojnë gratë aty?

NAIME SHERIFI

Strehimorja jonë është e tipit të mbyllur. Ne kemi një marrëveshje, të gjitha strehimoret, me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sidomos me departamentin e Mirëqenies Sociale. Afati i parë i rehabilitimit është 6 muaj, mirëpo krejt varet prej natyrës së rastit. Jo gjithë herë mund të vendosësh që një grua patjetër të qëndrojë 6 muaj, ose patjetër të dalë pas 6 muajve. Krejt varet se si menaxhohet rasti, në çfarë faze të dhunës është paraqitur, sepse nëse paraqitet në faza të hershme është shumë më lehtë të menaxhohet dhe të bëhet një sanim i marrëdhënieve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas daljes nga strehimoret, keni informacion se çfarë ndodh me to, a mbani kontakte me to?

NAIME SHERIFI

Ky është dallimi i konceptit të riintegrimit që e kemi ne, si shoqëri civile dhe procesit të riintegrimit që e mendojnë një pjesë e institucioneve. Nuk është riintegrim nëse ke arritur që një grua, qoftë edhe në rrethana dhune, ta kthesh në ambientin ku ajo ka përjetuar dhunë edhe nuk i ke siguruar kurrfarë të ardhmeje, e as siguri fizike.

Caktimi i një letre që quhet urdhër-mbrojtjeje, nuk është siguri fizike. Siguri fizike askush nuk mund të të bëjë, po nëse do të kishte pasur mundësi që këto gra të kenë banesa sociale edhe të punësohen, të ngrihen profesionalisht dhe ta kenë një pagë të veten, të vendosen me fëmijët e vet në një ambient ku nuk ka dhunë, normalisht që ajo grua s’do të kthehej në ambientin ku ka përjetuar dhunë më parë. Janë raste shumë të rralla ato gra që do të pranonin të ktheheshin.

Mirëpo, atëherë kur ato nuk i kanë këto mundësi dhe rrezikohen t’i braktisin fëmijët për shkak se në momentin që nuk kanë ku të vendosen, te babai ose te burri, ato duhet t’i braktisin fëmijët edhe t’ia gjejnë zgjidhjen vetes kur përfundimisht kalojnë periudha shumë të këqija ose shkojnë te babai dhe ia braktisin fëmijët burrit, domethënë bëhet ndarja e nënës nga fëmija që është shumë e dhimbshme dhe që jorrallë ndodh.

Domethënë, këto janë ato problemet që shfaqen pas strehimit. Dhe, kjo është ajo që ne vazhdimisht e potencojmë tek institucionet se çelësi i zgjidhjes së problemit është procesi i riintegrimit. Edhe në qoftë se 2 vjet rri në strehimore, një grua ka tremë nëse nuk ka ku shkon pas strehimit – atëherë kurrgjë s’kemi bërë, sepse ajo do të detyrohet ose të kthehet në ambientin e dhunës, ose t’i braktisë fëmijët e të vendoset te babai, ose të dalë e të gjendet në situata më të vështira.

XS
SM
MD
LG