Ndërlidhjet

Maqedoni: Riaktulizohet çështja e regjistrimit të popullsisë


Shkup
Shkup

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni riakualizohet tre vite pas dështimit të tij për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta atë kohë mes partive të koalicionit qeverisës lidhur me metodologjinë e zbatimit të këtij procesi.

Dallimet kryesisht kishin të bënin me përfshirjen ose jo në regjistrim të shtetasve të Maqedonisë që jetojnë më shumë se një vit jashtë vendit, e që besohej se ndikojnë në ngritjen apo uljen e përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni.

Dallime kishte edhe për çështje tjera, si dhe ankesa mbi mospërfshirjen në regjistrim të shumë zonave të banuara më shqiptar.

Kryeministri Nikolla Gruevski, i ka shkruar së fundi një letër kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti për nevojën e realizimit të këtij procesi statistikor, por përgjigje ende nuk ka marrë, meqë sipas BDI-së, nevojiten një studim i detajuar për këtë çështje nga një grup i ngritur enkas për regjistrimin.

Njohësit e çështjes së regjistrimit thonë se ky proces duhet të realizohet, por më parë duhet bërë përgatitje të mirëfillta që të mos përsëritet dështimi i para dy viteve.

Donçe Gerasimovski, ish drejtor i Entit të Statistikës, thotë se regjistrimi nuk ka të bëj vetëm me përbërjen etnike të popullsisë, por edhe më çështje tjera në bazë të të cilave bëhet projektime për të ardhmen. Ai thotë se që regjistrimi të realizohet duhet mbi të gjitha të ketë vullnet politik.

“Regjistrimi është një proces me rëndësi të madhe. Bëhet fjalë për një veprim statistikor që duhet të siguroj të dhëna për zhvillimet e përgjithshme në shtet, apo me një fjalë, regjistrimi vendos bazat se si duhet të jetë e ardhmja. Regjistrimi nuk ka të bëjë vetëm me popullatën, kush çka është, apo cilit komunitet i takon".

"Ai ka rëndësi të madhe dhe mendoj se duhet të bëhen përgatitje të madhe, të sigurohet kuadër i mirëfilltë për të realizuar këtë proces që të mos përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2011. Para së gjithash mendoj se duhet të ketë vullnet politik që më në fund në Maqedoni të ketë një regjistrim të popullsisë të pranuar nga të gjithë“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Gerasimovski.

Fati Iseni, ish anëtar t Komisionit shtetëror për regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, konsideron se dështimi i para dy viteve ka ardhur nga frika, siç shprehet ai, e rritjes së përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni.

“Konsideroj se esenca e mos organizimit të regjistrimit të popullsisë qëndron kryesisht në arsyet politike. Në bazë të analizave të bëra viteve të fundit, ose nga viti 2002 e këndej, është më se e qartë se numri i shqiptarëve shtohet dita ditës, ndërsa tek pala maqedonase kemi një rënie shumë të dukshme dhe sigurisht se kjo i shqetëson ata, prandaj edhe dëshirojnë që të blejnë kohë, por një ditë kjo do të realizohet, pasi nuk mund t'i iket përgjithmonë“, thotë Iseni.

Ai pretendimet për rritjen e numrit të popullatës shqiptare i bazon në disa studime, si lëvizja e popullatës, nataliteti dhe mortaliteti, si dhe numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme që janë të obligueshme në Maqedoni.

“Përqindja e nxënësve në shkollat fillore ka qenë 33-34 për qind, që mund ta marrin si shembull më të shëndosh, më real. Pra, më shumë se një dekadë numri i nxënësve shqiptar në shkollat fillore është mbi 33 për qind që është një argument shtesë se tek popullata shqiptare nuk ka ndonjë rrezik shtesë për uljen e numrit të saj, por se rreziku ekziston te pala tjetër“, thotë Iseni.

Në bazë të regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni arrin në 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës dy milionëshe, por përveç shqiptarëve që pretendojnë të jenë në përqindje më të lartë, edhe qarqe të caktuara maqedonase pretendojnë se kjo përqindje është më e ulët dhe se sipas tyre, ajo është rritur me qëllim të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG