Ndërlidhjet

Koalicioni shikon kah pakicat, lë anash Vetëvendosjen


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Mbështetja që partitë e komuniteteve pakicë i kanë dhënë kandidatit të bllokut LDK, AAK dhe Nisma për postin e kryetarit të Kuvendit paraqet një pasqyrë të koalicionit të ardhshëm qeverisës në Kosovë, thonë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, pozicioni që Lëvizja Vetëvendosje mban karshi dialogut me Serbinë dhe privatizimin, mund të ketë aktivizuar faktorin ndërkombëtar që të shtrijë ndikimin te pakicat për të mbështetur koalicionin LDK, AAK dhe Nisma.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon se votimi në seancën e 17 korrikut paraqet një pasqyrë të koalicionit të ardhshëm. Kurse lënia e Vetëvendosjes jashtë koalicionit, sipas tij, mund të ketë qenë një veprim politik i treshes, LDK, AAK dhe Nisma me bekimin e ndërkombëtarëve.

“Ka një gatishmëri të Koalicionit LDK, AAK dhe Nisma që t’i kenë minoritetet brenda por me kushtin që aty të mos jetë, lëvizja Vetëvendosje. Kjo në fakt e ka bërë listën serbe ‘kingmakerin’ real dhe bartësin real të koalicionit në Kuvend. Në këtë linjë më duket se ka edhe një disponim ndërkombëtar që lista ‘srpska’ ta ketë një pozicion të tillë qendror në koalicion dhe një pozicion i tillë qendror në koalicion mund të bëhet vetëm pa lëvizjen vetëvendosje brenda këtij koalicioni”, ka thënë Korenica.

Koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe pakicat, sipas analistit Korenica mund të jetë mjaftë i brishtë dhe si i tillë të mos ketë një fuqi politike karshi bisedimeve me Serbinë.

Ndërkohë që analisti Shpend Kursani mendon se mbështetja që pakicat dhe sidomos Lista “srpska” i ka dhënë treshes LDK, AAK dhe Nisma e ka edhe pazarin e vet politik.

Kursani pret që në momentin kur eventualisht të fillojnë bisedimet me komunitetet për përfshirje në qeveri, votat e tyre do të kushtëzohen me kërkesa konkrete.

Sa i përket listës “srpska”, Kursani beson se përkrahja e saj për koalicionin ka ardhur si rezultat i presioneve qoftë nga Beogradi apo faktori ndërkombëtar për të parandaluar futjen e Vetëvendosjes në qeverinë e ardhshme.

“Kur të vjen rasti te krijimi i qeverisë, shpresat ekzistojnë për këtë koalicion, por me siguri që lista ‘srpska’ dhe ndoshta një pjesë tjetër e minoriteteve do ta kushtëzojnë koalicionin opozitar qoftë me rikthimin e ulëseve të rezervuara në Kuvend, qoftë me themelimin e shpejtë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ose kushte tjera që mund t’i qesin”, ka theksuar Kursani.

Formimi i qeverisë së re të Kosovës pritet të zvarritet për pak kohë, ngaqë Partia Demokratike e Kosovës tashmë ka deponuar lëndën e saj në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën që të pezullohet zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit, duke pretenduar se zgjedhja e tij nuk kishte përfillur Kushtetutën.

Përderisa lënda nuk trajtohet nga Kushtetuesja, presidentja Atifete Jahjaga ka bërë me dije se nuk do të jap emrin e mandatarit për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG