Ndërlidhjet

Kosova i ofron bashkëpunim për hetimin e supozimeve të Martit


Ilustrim
Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur në një takim Clint Williamson, Prokuror kryesor të Task Forcës për Hetime Speciale lidhur me pretendimet në raportin e senatorit Dick Marti.

Me këtë rast, presidentja Jahjaga, sipas një komunikate me shkrim ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me Task Forcës për Hetime Speciale në periudhën në vijim për të forcuar rendin dhe ligjin dhe për të përmbushur obligimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore.

Presidentja Jahjaga ka thënë po ashtu se Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale dhe që në momentin e konsolidimit institucionet e sapozgjedhura do të zbatojnë marrëveshjen e ratifikuar duke bërë ndryshimet e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese për të akomoduar krijimin e gjykatës së re.

Sipas saj, qasja e Kosovës ndaj drejtësisë do të jetë gjithëpërfshirëse dhe se hetimet që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës nuk janë përpjekje për të gjykuar betejën kolektive të Kosovës për liri, por mënyrë për të hetuar krimet e supozuara individuale.

Në këtë aspekt, Jahjaga e siguroi prokurorin Williamson se Kosova është e përcaktuar që të ballafaqohet me këto akuza në një proces kredibil dhe do të përmbush obligimet e saj me përgjegjësi dhe dinjitet në mënyrë që të përmbyllë këtë kapitull që do të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Ndërkohë, sipas zëdhënësit Joao Sousa, Prokurori Williamson ka falënderuar bashkëbiseduesit e tij në Prishtinë, si ata vendas ashtu edhe ndërkombëtar për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm me hetimin penal i cili zhvillohet nga Task Forca Hetimore Speciale dhe i njoftoi ata për hapat e ardhshme.

“Ai nuk ua ka dhënë atyre detajet specifike në lidhje me të gjeturat, por ka nënvizuar që këto do të zbulohen në kohën e përshtatshme”, ka thënë Sousa.

“Ambasadori Williamson pranoi që ai është i vetëdijshëm edhe për spekulimet gjithnjë në rritje për të gjeturat e Task Forcës së, por ka rikujtuar që asnjë e dhëna që lidhet me të gjeturat e hetimit nuk do të lëshohet para se ato të shpallen, duke kërkuar që për asnjë përfundim nuk duhet paragjykuar”, ka theksuar zëdhënësi Sousa.

Një takim me prokurorin e Task Forcës ndërkombëtare e ka zhvilluar edhe zëvendëskryeministri dhe ministri në largim i Drejtësisë, Hajredin Kuçi i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ai i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku.

“Takimi u realizua me rastin e përfundimit të mandatit të z. Williamson si udhëheqës i Task Forcës Speciale Hetuese dhe pritet të përfundojë me publikimin e një raporti gjatë javës së ardhshme rreth të gjeturave të hetimit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Vizita e Clint Williamson në Prishtinë po realizohet pak ditë para se ai të prezantoj raportin me të gjeturat gjatë një hetimi afër tre vjeçar.

Në dhjetor të vitit 2010, Këshilli i Evropës pati miratuar raportin e zviceranit Dick Marti, ku supozohej se gjatë kohës së luftës mund të ishin kryer edhe trafikime të organeve të serbëve të zënë rob nga ish-pjesëtarë të UÇK-së, në rastin e njohur si “shtëpia e verdhë”.

Për t’i hetuar këto dyshime, roli i prokurorit kryesor i ishte besuar amerikanit Williamson,zhvillon takime me autoritetet e EULEX-it, ato të UNMIK-ut si dhe me autoritetet e Kosovës.

Gjetjet e raportit të Task Forcës, Williamson pritet t’i prezantojë në fund të këtij muaji.

Prokurori Williamson pati vizituar Kosovën edhe në mars të këtij viti, në kohën kur po merrej vendimi final për themelimin e Gjykatës Speciale (Tribunalit) për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë për periudhën 1998-1999, e ku përfshiheshin edhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve dhe vrasjeve të dëshmitarëve gjatë periudhës 2000-2001.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG