Ndërlidhjet

LDK, AAK dhe Nisma, pa marrëveshje me Vetëvendosjen


Ilustrim
Ilustrim

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi ndërmjet liderëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të partisë Nisma dhe atij të Vetëvendosjes rreth krijimit të një koalicioni të gjerë.

Takimi ndërmjet Ramush Haradinajt, Isa Mustafës, Albin Kurtit e Fatmir Limajt është mbajtur në selinë e AAK-së në Prishtinë, ku është diskutuar për mundësinë e përfshirjes së Vetëvendosjes në koalicionin e gjerë që po synon të formojë qeverinë e ardhshme pa Partinë Demokratike të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte përcaktuar paraprakisht nëntë kritere, të cilat blloku LDK, AAK dhe Nisma do të duhej t’i pranonte, si kusht për marrjen e mbështetjes së saj për formimin e qeverisë së re.

Kryesisht bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë dhe privatizimin, procese këto që Vetëvendosje po synon t’i ndryshojë gjatë qeverisjes së ardhshme.

Po ashtu, përfshirja e Vetëvendosjes në koalicion do t’i detyronte LDK-në, AAK-në dhe Nismën që të reduktojnë numrin e resorëve që kishin planifikuar t’i marrin nën kontroll. Kështu që, gjërat duket se janë komplikuar dhe secili nga liderët kishte nevojë edhe për konsultime shtesë me partitë përkatëse.

Duke qenë se të hënën nuk kishte pajtime, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha pas takimit, se në këso rrethanash, nuk do të votohet për qeverinë e bllokut LDK, AAK dhe Nisma, dhe as për kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit.

“Pra, mund të them që ka ngecje sa i përket përafrimeve të mëtutjeshme, të cilat do të mund të shpien në një marrëveshje dhe nuk ka marrëveshje me koalicionin LDK-AAK-Nisma, ende. Përderisa e kemi këtë situatë, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta votojë dhe nuk do ta votojë propozimin, procesverbalin në Kuvendin e Republikës, në seancën konstituive të së enjtes, përkitazi me kryeparlamentarin”, deklaroi Kurti.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së dhe i nominuari i këtij koalicioni për kryeministër, Ramush Haradinaj, tha se përafrimet që ndodhën javën e kaluar në hartimin e një draft-programi nga ekipi i ekspertëve, tani janë zbehur pasi që ishin kërkuar edhe disa mekanizma zbatues për çështjet kontestuese.

“Disa elemente të reja kanë qenë më vështirë të inkorporohen sot. Janë mekanizma që derivojnë nga dokumenti bazë, si aneks dhe shpresojmë që kolegët që kanë punuar javën e kaluar të mund t’i harmonizojnë ato”, u shpreh Haradinaj.

Pas takimit është konfirmuar se bisedimet e bllokut të treshes LDK, AAK dhe Nisma me Vetëvendosjen do të vazhdojnë në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje para seancës konstitutive të Kuvendit, më 17 korrik.

Në rast se nuk arrihet kjo marrëveshje me Vetëvendosjen, ky bllok i tri partive opozitare nuk do t’i ketë votat e mjaftueshme në synimet për formimin e qeverisë dhe marrjen e postit të kryetarit të Kuvendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG