Fondi për zhvillimin e veriut ka mbledhur mbi 2 milion euro, por që për këto mjete deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë apo vendim për shfrytëzimin e tyre, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të Ministrisë së Financave.
Fondi për zhvillimin e veriut është krijuar në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë – Beograd.
Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrinë e Financave në një prononcim për Radion Evropa e Lirë jep më shumë hollësi rreth proceseve të fondit për veriun.
“Me pagesën e fundit e cila është bërë në këtë javë në fondin zhvillimor për veriun janë tubuar 2 milion e 153 mijë euro mjete që duhet të shfrytëzohen për realizmin e projekteve që kanë të bëjnë më zhvillimin social, ekonomik dhe infrastrukturorë të katër komunat në veri të Kosovës”, thekson Baxhaku.
Deri më tani, përveç një takimi konstituiv të bordit të fondit zhvillimor për veriun, tregon Baxhaku nuk ka pasur takime të tjera. Derisa, nuk kanë pasur as një kërkesë për financimin e ndonjë projekti nga mjetet e grumbulluara.
“Ku bord që është i përberë nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ministri i financave dhe një përfaqësues i komunave të veriut është kompetent për të vendosur për mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve dhe investimin e këtyre mjeteve, deri më tani nuk kemi pasur kërkesë dhe nuk ka pasur vendime për shfrytëzimin e mjeteve të grumbulluara për fondin për veriun”, shton Baxhaku.
Krijimi i fondit për veriun është paraparë si një mundësi që të ketë një transparencë në lidhje me mjetet që derdhën për zhvillimin e komunave veriore të banuara me shumicë serbe, të cilat funksionojnë paralelisht dhe jashtë sistemit juridik e kushtetues të Kosovës dhe mbi bazën e ligjeve të Serbisë.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike thotë për Radion Evropa e Lirë se mos bërja e kërkesës për shfrytëzimin e këtyre mjeteve nga ana e serbëve të katër komunave veriore nënkupton bojkotim të shpenzimit të këtyre mjeteve.
“Unë besoj që arsyeja pas kësaj logjike të veprimit të komunave serbe të veriut është që ato në njëfarë formë po pretendojnë që të arsyetojnë që të kenë një financim paralel nga ana e Beogradit dhe që në fakt ta bëjnë të panevojshëm kërkesën e tyre eventuale për shpenzim të mjeteve nga fondi i veriut, që në fund të fundit tregon që edhe marrëveshja e arritur sa i përket fondit po vazhdon të mos zbatohet nga vetë komunat serbe”, thekson Korencia.
Shpenzimi eventual i këtyre mjeteve nga komunat serbe, sipas Korenicës do të nënkupton që ata t’i bindeshin autoriteteve qendrore në Kosovë, por gjithashtu edhe të hiqnin dorë nga shpenzimet eventuale paralele që mund të kenë nga financimi i Beogradit.
“Besoj që një praktikë e tillë duhet të ndalohet dhe Qeveria e Kosovës duhet ta ngrit këtë çështje sa më herët që është e mundur edhe në Bruksel, por edhe në komunikim më Beogradin”, thekson Korencia.