Ndërlidhjet

Hapja e bizneseve të reja, mundësi falimentimi


Fabrikë në Kosovë
Fabrikë në Kosovë

Edhe pse në Kosovë afaristë të ndryshëm vazhdimisht ankohen për ambient të pafavorshëm për të bërë biznes dhe që rrethanat aktuale ekonomike nuk lejojnë fitim të kënaqshëm, kjo siç duket nuk ka ndikuar aspak të qytetarët, për dëshirën dhe iniciativën e tyre për të hapur biznes të ri.

Kështu që shumë biznese hapen dhe shuhen. Dikush fillon për të përfituar, e dikush falimenton nga pamundësia e rritjes së kapaciteteve të mëtejme.

Kjo dukuri vërehet edhe nga të dhënat e fundit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë.

Vetëm për gjashtë muaj të këtij viti, në këtë agjenci janë regjistruar 5,286 biznese të reja.

Numri më i madhe i bizneseve të regjistruara janë biznese individuale, por ka edhe kompani të huaja, thotë Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje juridike dhe praktike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

“Nga një janari deri në fund të qershorit janë regjistruar 5,286 biznese. Prej tyre 4,003 biznese janë individuale, 52 janë ortakëri e përgjithshme, 1,182 janë shoqëri me përgjithësi të kufizuara, shoqëri aksionare janë 14, ndërmarrje shoqërore është një, kompani të huaja janë 30, ndërmarrje publike një, kooperative bujqësore 3, gjithsej 5286”, thotë Pllashniku, për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se hapja e bizneseve të reja tregon se kosovarët kanë shpirt ndërmarrësi. Por, iniciativat për t’u futur në biznes jo gjithmonë kanë rezultuar të përfundojnë me një biznes të suksesshëm.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit për Radion Evropa e Lirë, konsideron se në Kosovë është lehtë të zhvillohet biznesi, afaristët e rinj nuk e kanë kuptuar se lehtë është vetëm regjistrimi i biznesit.

Shahini thotë se për t’u futur në biznes është rrezik për shkak se rrezikohet kapitali vetanak dhe nuk ka ndonjë siguri se biznesi do të mund të ketë sukses.

Këto çështje ndërmarrësit e rinj, thotë ai , i kuptojnë vetëm pas fillimit të veprimtarisë së tyre.

“Përafërsisht, këto biznese, të cilat regjistrohen më pak se 50 për qind të këtyre bizneseve, nuk do të përfundojnë me sukses në fund të vitit. Këtyre do t’iu ndalen iniciativat, do të kuptojnë se nuk kanë mbështetje nga bankat komerciale, institucionet shtetërore. Por, kanë ngarkesa që nga dita e parë, kur regjistrohen fillon taksa komunal e të tjera dhe këto janë vështirësi të njëpasnjëshme të bizneseve”, thekson Shahini.

Ai rekomandon qytetarët, të cilët dëshirojnë të hapin biznese të reja, se në rend të parë duhet të interesohen për rrethanat e pafavorshme në fushën e të bërit biznes.

“Dhe, shpesh bizneset e reja nuk kanë informata të mjaftueshme se çfarë klime biznesore është në Kosovë. Vetëm pasi të fillojnë, e shohin. Kjo do të thotë se në Kosovë duhet bërë një reformë e madhe e politikave për të bërë biznes. Është bërë një reformë për të regjistruar biznesin, por për të bërë biznes dhe për të qenë forca konkurruese e kosovarëve më e madhe dhe më e lehtë - kjo në Kosovë po mungon”, vlerëson Shahini.

Sa i përket strukturës se ndërmarrjeve, sipas raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet se ky vit është karakterizuar me rritje të numrit të bizneseve të reja në tregti, hotele, restorante, transport, telekomunikacion, kurse bujqësia dhe ndërtimtaria kanë shënuar rënie në krahasim më tremujorin e parë të vitit të kaluar

Pavarësisht hapjes se bizneseve të reja, gjatë periudhë gjashtë mujore janë shuar 872 biznese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG