Ndërlidhjet

Kryeqyteti i (pa) pastër


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Temperaturat e larta gjatë sezonit të verës, paraqesin rrezik për ndonjë epidemi, në rast të hedhjes së mbeturinave vend e pa vend, thonë inspektorë sanitarë, sipas të cilëve ngritja e vetëdijes së qytetarëve do të duhej të ishte në nivel më të lartë.

Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë Kuvendi Komunal i Prishtinës ka filluar dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin, andaj mundësitë për epidemi janë të pakta. Por, ai konsideron se zinxhiri i sistemit institucional nuk është duke funksionuar në nivelin e duhur.

“Rregullimi i sistemeve në jetën publike, duke e pasur parasysh ruajtjen e shëndetit publik, ndikon dhe ka vlera shumë të mëdha, në atë që të jemi shumë të vetëdijshëm që ta ngremë vetëdijen dhe ta mbrojmë jetën tonë nga rreziqet që mund të na paraqesin sëmundjet që vijnë nga papastërtitë e ndryshme”.

“Sistemi nuk po funksionon si duhet dhe duhet të bëhet rregullimi i infrastrukturës për mbledhjen e mbeturinave. Problem mbetet vetëdija e qytetarëve që do të na mundësonte kushte që të jetojmë në një ambient të pastër".

"Ky është një zinxhiri i tërë që nuk funksionon, pasi që, për shembull, qentë endacak janë burim i sëmundjeve ngjitëse. Por, Kuvendi Komunal tashmë është duke e bërë dezinfektimin e qytetit, e që bën parandalimin e ndonjë sëmundjeje epidemike eventuale”, thotë Tërshnjaku.

Por, mbi 19 milionë euro qytetarët e Kosovës i kanë borxh kompanisë “Pastrimi”, e licencuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, e cila bën largimin dhe grumbullimin e mbeturinave.

Arbnora Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi”, thotë se janë të përkushtuar që qytetarëve t’u ofrojnë shërbime cilësore.

“Kompania ‘Pastrimi’, si kompani e licencuar për largimin dhe grumbullimin e mbeturinave gjatë tërë vitit është e përkushtuar që t’u ofrojë shërbim cilësor qytetarëve".

"Në muajt e verës kompania i kushton shumë kujdes punës në mënyrë që të kryhen shërbime sa më të mira, sidomos aty ku frekuenca e njerëzve është e madhe, qoftë në lagje apo qytet, dhe kryhen deri në tri herë e më shumë shërbime, pra mbledhje e mbeturinave. Kjo me qëllim që të shmangim mundësinë e përhapjes së ndonjë epidemie”.

Deri tash nuk kemi pasur ndonjë rast ku ka kundërmim të erërave, pasi që ne i pastrojmë kontejnerët pas largimit dhe zbrazjes së mbeturinave. Gjithashtu, edhe hapësira përreth kontejnerëve pastrohet me fshesa speciale”, bën të ditur Ademi.

Në anën tjetër, Tërshnjaku ka edhe një mesazh për qytetarët e vendit:

“Unë lus qytetarët që mbeturinat t’i hedhin në kontejnerë, e jo t’i lënë para shkallëve, në hyrje, t’i hedhin prej dritares, sepse ashtu e respektojnë veten së pari, duke i hedhur në vendin përkatës. Gjithashtu duhet të jenë pagues të rregullt të mbeturinave”.

Edhe qytetarët pohojnë se janë vetë qytetarët ata që nuk kujdesen për mirëmbajtje të higjienës publike. Mimoza Sadiku, studente 23 vjeçare thotë:

“Padyshim, problemi kryesor është te qytetarët, të cilët nuk kanë konsideratë dhe hedhin mbeturina gjithkund. Por, edhe Kuvendi Komunal është ai që duhet vendosur më shumë kontejnerë, sepse ka vende në kryeqytet që mungojnë kontejnerët. Por, megjithatë, pjesën më të madhe të fajit e mbajnë qytetarët”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG