Ndërlidhjet

Drejt marrëveshjes për koalicion


Ramush Haradinaj, Isa Mustafa and Fatmir Limaj
Ramush Haradinaj, Isa Mustafa and Fatmir Limaj

Blloku i partive i përbërë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë në negociata politike për krijimin e disa parimeve bazë, mbi të cilat do të formohej eventualisht qeveria e ardhshme e Kosovës.

Këto parti politike, që së bashku kanë fituar 47 ulëse në Kuvend, duket të jenë të shtrënguara të arrijnë një marrëveshje me Vetëvendosjen, e cila pritet të ketë 16 deputetë, për të formuar qeverinë e ardhshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, thotë se ka një përafrim të qëndrimeve me bllokun LDK, AAK dhe Nisma dhe se, sipas tij, kjo do të shpie deri te formula e krijimit të qeverisë së ardhshme pa Partinë Demokratike të Kosovës.

Një marrëveshje e tillë bazohet mbi 9 kriteret që Vetëvendosje u ka parashtruar si kushte LDK-së, AAK-së dhe partisë Nisma, ku ndër tjera parashihet një pozicion tjetër i Kosovës në dialog me Beogradin dhe ndryshimi i politikave të privatizimit.

"Ka një përafrim të qartë të subjekteve tjera me përmbajtjen e tekstit që ne e kemi ofruar në raport me çështjen e dialogut dhe privatizimit. Pra, marrëveshja mes tri subjekteve, në njërën anë, dhe Vetëvendosjes, në anën tjetër, është e mundshme dhe mund të arrihet", ka thënë Molliqaj.

Optimist për arritjen e marrëveshjes së bllokut të partive politike pa PDK-në, është edhe Burim Ramadani, sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas tij, tashmë është më se evidente që nuk do të ketë qeveri “Thaçi 3” dhe se kjo, ka nënvizuar ai, nënkupton krijimin e një qeverie transparente, demokratike dhe të sundimit të rendit dhe ligjit.

"Të gjitha këto parti politike tashmë kanë dhënë mesazhin dhe sinjalin e qartë se do të ketë qeverisje të mirë. Normalisht, që të gjithë angazhohemi për një pozicion më të mirë të Kosovës në rajon dhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare", shprehet Ramadani.

Marrëveshja eventuale ndërmjet liderëve të LDK-së, AAK-së dhe partisë Nisma, në njërën anë, dhe Vetëvendosjes, në anën tjetër, do të përfshinte disa parime bazë, mbi të cilat do të mbështetej programi i qeverisjes në mandatin e ardhshëm.

Dardan Molliqaj i Vetëvendosjes thotë se nëse marrëveshja finalizohet, më pas Vetëvendosje do të organizojë edhe një referendum të brendshëm rreth asaj se a do të përfshihet apo jo në këtë koalicion.

Përveç parimeve të shprehura politike rreth dialogut me Serbinë dhe privatizimin, Vetëvendosje ka propozuar që mandati i ardhshëm i qeverisë, të cilën e sheh si emergjente, të jetë 2 dhe jo 4 vjeçar, sa e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

"Ne, si subjekt politik, jemi të bindur që për dy vjet mund t'i kryejmë të gjitha ato procese, për të cilat po hyjmë në këtë bashkëpunim. Pra, heqjen e PDK-së nga kapja e shtetit që ia ka bërë, demokratizimin e vendit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, rritjen e vlerës së ndërmarrjeve publike dhe të njëjtën kohë një qasje krejt tjetër në raport me zhvillimet sa i përket shtet-ndërtimit", deklaron Molliqaj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar këto ditë, parasheh që e drejta e propozimit të mandatarit për formimin e qeverisë nuk i takon ekskluzivisht vetëm partisë fituese.

Kështu që tani koalicioni i partive politike, LDK, AAK dhe Nisma më mbështetjen e Vetëvendosjen vlerëson se i janë shtuar gjasat që përmes krijimit të grupimit më të madh në Parlament, të formojnë qeverinë e ardhshme pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG