Ndërlidhjet

Maqedonia riciklon pak mbeturina


Maqedonia ende është shumë larg zbatimit të normave të Bashkimit Evropian sa i përket menaxhimit të mbeturinave, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me riciklimin e mbeturinave.

Maqedonia është e obliguar të zbatojë normat e përcaktuara evropiane me ligj që deri në vitin 2020 të krijojë kushte që të ricikloj mbi 60 për qind të mbeturinave të grumbulluara kryesisht materialet e letrës, masat e ndryshme plastike, kënaçet, qelqin duke i ndarë ato në depo të veçanta mbeturinash.


Organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor thonë se qytetarët shumë pak janë të informuar sa i përket mënyrës së selektimit të mbeturinave, ashtu edhe për përfitimet që mund t’u sjellë ky proces, duke drejtuar gishtin kah shërbimet komunale, përkatësisht në sektorin që është përgjegjës për menaxhimin e mbeturinave.


“Më duhet të konstatoj se mungon një kampanjë e mirëfilltë për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve. Qytetarët gjithsesi duhet të informohen pë rëndësinë dhe peshën e riciklimit të mbeturinave. Më pas duhet ndërmarrë aksione konkrete për ta parë si duhet realizuar ky proces në praktikë. Por, edhe ata qytetarë, të cilët në baza individuale janë të interesuar ta bëjnë këtë, e kanë vështirë ta praktikojnë selektimin e mbeturinave, sepse sistemi nuk funksionon si i tillë”, thotë Merita Maksuti, aktiviste për mbrojtjen e mjedisit.


Ndërkohë, përfaqësuesit e komunave thonë se është shumë i vështirë zbatimi i këtyre normave, në mungesë të mjeteve financiare, edhe pse janë të obliguar që gjatë tre vjetëve të ardhshëm të sigurojnë mjete financiare prej 10 milionë eurosh për të siguruar kontejnerë dhe infrastrukturë të duhur për riciklimin e mbeturinave të ambalazhuara.

Filip Ivanovski nga ndërmarrja “Pakomak”, e cila është e angazhuar për riciklimin e mbeturinave, thotë se një pjesë shumë e vogël e komunave në Maqedoni janë të ndërgjegjshme dhe ndajnë mjete për të realizuar këtë normë.

“Ka shumë raste kur qytetarët janë të vetëdijshëm për riciklimin e mbeturinave dhe janë të interesuar për selektimin e tyre në bazë të përbërjes, por nuk kanë mundësi si pasojë e mungesë së infrastrukturës. Pra, nevojitet një angazhim më i madh i komunave për të krijuar një infrastrukturë të mirëfilltë rreth menaxhimit të mbeturinave”, shprehet Ivanovski.

Nga ana tjetër, drejtori i ndërmarrjes “Higjiena Komunale”, në Shkup, Rakip Doçi, thotë se me gjithë nismat që qytetarët të selektojnë mbeturinat në bazë të përbërjes, problem më vete paraqet dëmtimi i kontejnerëve nga personat e pandërgjegjshëm.

“Me dëmtimin e kontejnerëve, të përcaktuar sipas ngjyrës për përbërjen materiale të mbeturinave, jo vetëm se bëhet një dëm material, por për fat të keq dëmtohet realizimi i procesit të selektimit të mbeturinave, për të cilën janë të obliguar, si qytetarët, ashtu dhe ndërmarrja publike, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave”, bën të ditur Doçi.

Ai kërkon që edhe kompanitë që kanë fituar tenderin për riciklimin e mbeturinave, të mos blejnë shishe plastike nga qytetarët, sepse ata në një mënyrë pastrojnë ambientin po jo rrallë herë dëmtojnë kontejnerët ku mblidhen shishet e plastikës për t’i shitur më pas të njëjtat.

Ndryshe, në Maqedoni, brenda vitit mblidhen rreth 120 milionë ton të mbeturinave të ambalazhuara ndërkohë që vetëm 17 për qind e atyre mbeturinave arrijnë të riciklohen.

Me këtë rast, komuna e Shkupit është apostrofuar si komuna, e cila më së miri ia del me menaxhimin e mbeturinave dhe ajo që më së shumti ka probleme mbetet komuna e Tetovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG