Ndërlidhjet

Një aleat i padobishëm


Një fëmijë irakian i shpërngulur nga qyteti i Tal Afarit...
Një fëmijë irakian i shpërngulur nga qyteti i Tal Afarit...

Lindja e Mesme është në flakë, shkruan gazeta Wall Street Journal. Sipas saj, marshimi i shpejtë i Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit nga Siria në Irak ka tronditur Uashingtonin dhe Brukselin. Konflikti paleztinezo-izraelit është po ashtu duke u nxehur, derisa Izraeli kërkon çmendurisht tre adoleshentë të rrëmbyer në Bregun Perëndimor. Dhe, fuqitë botërore vazhdojnë të grinden me Iranin për programin e tij bërthamor.

Asnjëra nga këto kriza nuk është e lehtë për t’u zgjidhur dhe të tria janë përkeqësuar nga politikat e Turqisë së kryeministrit Recep Tayyip Erogan, shkruan gazeta.

Kriza me Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantin është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me politikat e rrezikshme dhe tolerante kufitare të qeverisë së Erdoganit në Turqi, gjatë dy vjetëve të kaluar. Jo më larg se vitin e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka qortuar Erdoganin se ka lejuar armë dhe luftëtarë, pa dallim, të futen në Siri; nganjëherë edhe xhihadistë anti-perëndimorë.

Obama nuk ka qenë i vetëm në këtë vlerësim. Human Rights Watch, në një raport të publikuar në muajin tetor, ka vënë në pah se “shumë luftëtarë të huaj që operojnë në veri të Sirisë, arrijnë atje përmes Turqisë, nga e cila kontrabandojnë armë, marrin para dhe furnizime të tjera dhe nganjëherë kthehen për trajtim mjekësor”.

Erdogan i ka hedhur poshtë këto akuza dhe është zotuar se do të ndalojë ndihmën që mund të rrjedhë për xhihadistët në Siri. Por, Wall Street Jorunal thotë se mediat kanë shkruar në kundërshtim me këto deklarata. Duke cituar Europolin është thënë se qasja relative e kufirit Siri-Turqi e shpjegon se përse kaq shumë xhihadistë e kanë gjetur rrugën për në Siri.

Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti ka gjetur edhe pika të tjera të tranzitit për në Siri. Por, është e qartë se ky grup dhe fraksione të tjera të dhunshme kanë përfituar nga Lindja e Egër e Turqisë, shkruan gazeta. Siç ka thënë Thomas Hegghammer, nga Instituti për Kërkime të Mbrojtjes në Oslo, “Turqia është për Sirinë sot ajo çfarë ka qenë Pakistani për Afganistanin në vitet 1990”.

Ankaraja mund të shërbejë si një seli e largët edhe për grupin terrorist palestinez, Hamas. Figura e lartë e Hamasit, Aleh al-Aruri, operon jashtë Turqisë, me mbështetjen e Qeverisë turke, kanë raportuar mediat në tetor.

Por, Aruri është vendosur në Turqi qysh në vitin 2012, sipas javores egjiptiane Al-Ahram. Emri i tij është shfaqur së fundmi në mediat izraelite dhe palestineze si person i dyshuar për rrëmbimin e tre adoleshentëve izraelitë në Bregun Perëndimor, pak javë më parë.

Sipas Wall Street Journal, një çështje edhe më shqetësuese është se përse, me gjithë presionin global financiar për të bindur Republikën Islamike të Iranit që të heqë dorë nga aktivitetet e paligjshme bërthamore, një nga tri bankat shtetërore të Turqisë, Halkbank, ka bërë transaksione të gazit për arin me Iranin. Turqia, në vitin 2012 dhe 2013, ka blerë gazin natyror iranian me lira turke dhe ka transferuar të ardhurat në llogaritë e Halkbank.

Tregtarët iranianë, më pas, i kanë përdorur këto të ardhura për të blerë ar nga Turqia, i cili është dërguar në Dubai përpara se të bënte rrugën në Iran. Ankaraja ka këmbëngulur se transaksionet nuk kanë shkelur sanksionet sepse ari ka shkuar tek individë dhe jo te regjimi i Teheranit.

Pra, Turqia mban një pjesë të përgjegjësisë për të tria krizat dhe Evropa duhet ta mbajë përgjegjëse Ankaranë, shkruan Wall Street Journal.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG