Ndërlidhjet

Deklarimi i pasurisë, vetëm formalitet


Ilustrim
Ilustrim

Deklarimi i pasurisë tek Agjencia e Kosovës Kundër Korrupsionit nga ana e zyrtarëve të lartë duket të jetë vetëm një formalitet është thënë sot në një raport të prezantuar nga Grupi për Studime Juridike e Politike në Prishtinë.

Sipas këtij raporti, pasuria e zyrtarëve publik, sidomos të atyre politik, në rastet kur relacioni i pasurisë me të ardhurat e tyre është më i madh, ngrit dyshimet e bazuara se kujt në fakti i takon pasuria në fjalë.

Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike e Politike thotë se hulumtimi ishte nxitur nga niveli i lartë i korrupsionit, duke përmendur edhe raportin e fundit të Transparency International.

"Një problem tejet shqetësues është perceptimi i përhapur në popullatë se një pozitë udhëheqëse në institucionet e Kosovës nënkupton të bërit milioner brenda një kohe shumë të shkurtër dhe se zyrtarët janë ata që paraqesin shtresën më të pasur të popullsisë", tha Rexha.

Sa u përket statistikave, ajo tha se në vitin 2013, rreth 99 për qind e zyrtarëve e kishin deklaruar pasurinë tek Agjencia Anti-Korrupsion, por pavarësisht disa dyshimeve që lindin aty, sipas saj, me atë deklarim duket se gjithçka mbaron.

"Nëse dy zyrtarë posedojnë disa parcela tokë, atëherë ata përdorin terme të ndryshme për këtë parcelë në të njëjtën kohë, këtyre termeve të ndryshme ia bashkangjesin edhe numrat e tjerë të cilët i bëjnë këto forma jo të qarta dhe shumë vështirë të kontrollueshme nga Agjencia Anti-Korrrupsion", thotë Rexha.

Gjatë këtij prezantimi, Agron Behrami shef i divizionit për pasuri në Agjencinë Kundër Korrupsionit tha se nga 1 janari ka hyrë në fuqi Kodi Penal sipas të cilit mos deklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rrejshëm paraqet vepër penale.

Gjatë këtij viti, ai tha se ishin 92 zyrtarë që nuk e kanë deklaruar pasurinë.

Ndërkohë, këshilltarja e lartë për Antikorrupsion në misionin e EULEX-it, Vlora Marmullakaj tha se deklarimi i aseteve është një ndër shtyllat kryesore për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe mund të ofroj të dhëna kyçe për hetimin e veprave penale të lidhura me të.

Ajo tha po ashtu se raporti nxjerr në pah dyshimet për pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve të institucioneve, ngase vërehet se nuk ka një proporcion më mes të ardhurave dhe aseteve që kanë ata.

"Vërehet qartë që me penalizimin e mosdeklarimit të pasurisë apo deklarimit të rrejshëm, numri i zyrtarëve që kanë deklaruar pasurinë është shumë i lartë krahasuar me vitet e mëhershme, mirëpo shqetësim mbetet sa ka ndikuar kjo në parandalimin e rasteve të korrupsionit", theksoi Marmullaku.

Përderisa, Karin Marmsoler nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se sundimi i ligjit dhe korrupsionit janë parakusht për integrim në BE. Miratimi i ligjeve, nënvizoi ajo, nuk është i mjaftueshëm përderisa ato nuk zbatohen.

“Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë kyçe për Kosovën për integrimin e saj në BE. Kosova ka bërë proces në miratimin e ligjeve, por nuk mjafton vetëm ajo. Duhet edhe zbatimi i tyre. Po ashtu Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Prokuroria e Shtetit duhet të bashkëpunojnë sa më shumë”, tha Marmsoler.

Deklarimi i pasurisë paraqet një nga shtyllat kryesore për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Mirëpo, sipas raportit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, praktikat aktuale tregojnë se deklarimi i pasurisë bëhet në bazë të vullnetit të mirë të politikanëve e që bën të kuptosh se forma aktuale e deklarimit të pasurisë, vijon raporti, lë hapësirë për manipulim me pasurinë e deklaruar e që lirshëm mund të shërbej për shpëlarje të parave.

XS
SM
MD
LG