Një krizë tejet serioze politike e pret Kosovën në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, vlerësojnë analistët politik në Prishtinë.
Sipas tyre, interpretimi që pritet të jap Gjykata Kushtetuese, nëse përveç partisë fituese, qeverinë mund ta krijojë edhe opozita, do të qartësojë sapo pak rrugën.
Por, bazuar në numrat dhe fuqinë politike që kanë, qoftë PDK-ja si fituese në njërën anë, apo blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma në anën tjetër, nuk garantojnë krijimin e një qeverie stabile e funksionale.
Analisti Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se kriza politike tashmë është evidente, përderisa vendi mund të stagnojë në proceset e filluara të integrimeve evropiane, liberalizimit të vizave dhe thellimit të krizës në veri të Mitrovicës.
"Në Kosovë aktualisht ka një ngërç politik, pavarësisht se çfarë do jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. ka një hapësirë që në fakt mund të prodhoj një krizë politike për një kohë pak më të gjatë gjë e cila mund ta dëmtoj qenësisht jo thjesht procesin e relacionit të ri me Bashkimin Evropian që ka Kosova, por në fakt do ta vë tërë shtetin e Kosovës në një vakuum institucional", vlerëson Korenica.
Një krizë e tillë politike dëmton imazhin e Kosovës, por zgjidhja duhet gjetur në kuadër të formulave të koalicioneve, thotë në vijim Fisnik Korenica.
Sipas tij, ka disa ide për krijimin e një qeverie teknike por të cilën e vlerëson si formulë që nuk ofron zgjidhje. Një qeveri e tillë, nënvizon ai, nuk do të ishte e aftë të realizonte objektivat kryesore që i duhen Kosovës, e që janë reformat e thella.
"Opsioni i qeverisë teknike është thjeshtë hyrje në një status kuo politike për Kosovën, sepse pa pasur një vullnet të fuqishëm politik prapa, një qeveri nuk mundet në fakt që të jetë në gjendje të bëjë ndryshime qenësore në sistemin qeverisës në vendin tonë", thotë Korenica.
Në anën tjetër, analisti Blerim Burjani thotë se pavarësisht nëse qeveria e ardhshme do të ndërtohej nga partia fituese apo blloku opozitar, ajo nuk pritet të jetë funksionale dhe efikase, ngaqë do të ketë krizë numrash në Kuvend që nga fillimi i punës.
"Është aq shumë problematike, sa që edhe po që se të dy palët kanë të drejtë, prapë se prapë asnjëra palë nuk i ka numrat e nevojshëm në Kuvend. Të dyja palët, blloqet e mëdha politike ballafaqohen me probleme mjaft të mëdha. Ai opozitar i cili më tepër mendoj se është ndërtuar në bazë të një revolte ndaj asaj që mos të fitoj sërish Thaçi dhe PDK-ja një mandat të ri qeverisës", thotë Burjani.
Duke parashikuar një ngërç politik në konstituimin e institucioneve, sidomos qeverisë së re, Blerim Burjani thotë se partitë politike mund të ulen dhe të merren vesh për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me një mandat të shkurtuar, dy vjeçar.
"Vendi ynë gjendet përballë një krize mjaftë të madhe, si asnjëherë më parë. Unë konsideroj që më së miri do të ishte të kishim një koalicion të gjerë politik me një kryeministër apartiak, i cili nuk do të vinte as nga blloku opozitar dhe as nga ai pozitar, nëse mund ta quajmë ashtu. Domethënë të kemi një kryeministër dhe qeveri me mandat dy vjeçare dhe të shkojmë në zgjedhje", thekson Burjani.
Gjatë kësaj jave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar të shpallë dhe certifikojë rezultatin final të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit. Më pas do të ketë edhe pesë ditë afat për ankesa eventuale.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues një mujor për thirrjen e seancës së parë konstituive të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.
Seanca e parë pritet të thirret nga presidentja Atifete Jahjaga në konsultim me partitë politike.
Nga ai moment, do të mbeten krejtësisht të paqarta nga aspekti kushtetues formimi i institucioneve të reja, që nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për të cilin post pretendon si partia fituese e zgjedhjeve në njërën, ashtu edhe opozita në anën tjetër e deri te formimi i qeverisë së re.
Kurse në rast të dështimit, vendi do të shkonte sërish në zgjedhje.