Ndërlidhjet

Maqedoni: Integrimi dhe zhvillimi ekonomik, prioritet


Nikola Gruevski
Nikola Gruevski
Procesi i integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, si dhe zhvillimi ekonomik, do të jenë angazhimet kryesore të Qeverisë së Maqedonisë.

Por, njohësit e çështjeve politike dhe të ekonomisë thonë se qeveria edhe më parë kishte rastin që të angazhohet në këto sfera ku mungojnë rezultatet konkrete, në veçanti në procesin integrues të vendit.

Ish-diplomati Alajdin Demiri thotë se bëhet fjalë vetëm për angazhim deklarativ për të dëshmuar gjoja para faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar përkushtimin e saj për të çuar para integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Sipas tij, një objektiv i tillë vështirë se mund të arrihet pa zgjidhjen e kontestit me Greqinë.

“Ai nuk punon për këtë prioritet dhe kjo dëshmohet me faktin se nuk ulet dhe të negociojë me Greqinë për këtë çështje. Deri tani nuk ka pasur asnjë takim serioz me grekët për tejkalimin e problemit me emrin, për të cilin Maqedonia dhe VMRO-ja thonë se është shumë i rëndë, pasi sipas tyre, grekët duan t'i zhbëjnë maqedonasit, e kështu me radhë. Kjo, vlerësoj se është platforma e tij e vërtetë që të vazhdojë të mbijetojë“, thotë Demiri.

Ai nuk beson në arritjen e këtij objektivi, pavarësisht deklarimeve të partisë shqiptare në qeveri, Bashkimit Demokratik për Integrim, se deri në shtator do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Demiri thotë se çështja e integrimit nuk varet nga BDI-ja, por nga VMRO-DPMNE-ja.

“Ata nuk janë dhe nuk mund të bëhen faktor për euro-integrimet derisa nuk i përcaktojnë pozicionet e brendshme me VMRO-në, të dalin me një qëndrim për negociata. Ata këtë nuk e bëjnë dhe vazhdimisht gjejnë afate shtesë me premtimin se do të integrohemi edhe pa bërë asgjë, kjo është logjika e BDI-së“, thekson Demiri.

Nga ana tjetër, angazhim tjetër kryesor i qeverisë do të jenë aspektet ekonomike, tërheqja e investimeve të jashtme, ulja e papunësisë, hapja e vendeve të reja të punës, si dhe ndihmat sociale për familjet me nevoja të veçanta.

Kryeministri në detyrë, Nikolla Gruevski, ka thënë se në kuadër të qeverisë do të ketë 7 ministra pa portofol, që do të angazhohen kryesisht në aspektet e zhvillimit ekonomik.

Por, këtë vendim të qeverisë, njohësit e çështjeve politike, më shumë e shohin si plotësim të ambicieve të partive më të vogla, se sa një angazhim serioz të qeverisë në sferën e ekonomisë.

“Mendoj se kjo është një praktikë që filloi të zbatohet në Maqedoni për të përfaqësuar bashkësi të caktuara etnike në qeveri. Këta janë ministra pa institucione dhe nuk paraqesin ndonjë ngarkesë për qeverinë. Veç kësaj, të gjitha këta ministra nuk besoj se do të angazhohen në sferën e investimeve të jashtme“, thotë analisti politik, Sasho Klekovski.

Qeveria e re do të votohet në Kuvend në seancën e caktuar për 19 qershor. Ajo përbëhet nga partitë se deritashme qeverisëse, VMRO-DPMNE dhe BDI.

Partia shqiptare do të drejtojë pesë ministri, si dhe dy poste të zëvendëskryeministrave, njëri i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe tjetri për çështje evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG