Ndërlidhjet

Live Blog: PDK fiton shumicën e votave

- Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 8 qershor. Ndonëse në një konkurrencë më të ashpër me partitë opozitare, duket se mungesa e një fronti opozitar dhe garimi i opozitës si parti veç e veç e ka ndihmuar PDK-në e Hashim Thaçit që sërish t'i fitojë zgjedhjet parlamentare, duke marrë kështu edhe rastin për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

- Para se KQZ të publikonte rezultatet preliminare, PDK ka shpallur fitoren e saj.

- Diku nga mesnata Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin e parë kremtues me simpatizantët e saj në Prishtinë. Aty lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka ri-theksuar se partia e tij i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. Ai ka lavdëruar procesin dhe ka shprehur besimin se këto zgjedhje do të vlerësohen me notë të lartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
11:58 9.6.2014


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka përshëndetur procesin zgjedhor të 8 qershorit.

"Raportet e mediave dhe shoqërisë civile Kosovare, së bashku me raportet e ekipeve tona vëzhguese të ambasadës tregojnë që autoritetet Kosovare iu përgjigjën me përpikëri raporteve të kohëpaskohshme lidhur me parregullsi dhe manipulime të supozuar zgjedhore".

"Jemi duke i vëzhguar këto raporte nga afër dhe vazhdojmë të jemi të sigurt që KQZ, Policia e Kosovës dhe zyra e Prokurorit të Shtetit do të vazhdojnë partneritetin e tyre pozitiv për të siguruar që të gjitha incidentet janë hetuar rrënjësisht dhe janë zgjedhur sipas ligjeve Kosovare", thuhet në komunikatë.

"Duke ndërtuar mbi suksesin e votimit të vitit të kaluar, zgjedhjet e djeshme edhe më tej vërtetuan se Kosova është plotësisht e aftë që të mbajë zgjedhje korrekte dhe transparente të cilat përmbushin standardet ndërkombëtare", thuhet mes tjerash në komunikatë.
11:34 9.6.2014

Infografika e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me rezultatet preliminare te 94.27 % të vendvotimeve të numëruara.

Rezultatet Preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.
11:22 9.6.2014

Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë se “materiali zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, po vazhdon të pranohet sipas dinamikës së paraparë".

“Në orët e pasdites pritet të përfundojë i gjithë regjistrimi i materialeve të procesit zgjedhor nga komunat e Kosovës”, tha Halimi.
10:19 9.6.2014

"“Kemi qenë dëshmitarë të një operacioni të mirë zgjedhor, të realizuar në mënyrë profesionale. Nuk janë raportuar incidente apo parregullsi të mëdha. Kjo është një arritje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për votuesit,” citohet të ketë thënë Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, në një komunikatë të kësaj organizate.

OSBE-ja ka përkrahur procesin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG