Ndërlidhjet

Maqedoni: Institucionet u shmangen tenderëve për furnizime


Shkup
Shkup
Gjatë vitit 2013, nga ana e ndërmarrjeve publike e furnizimit me material shpenzues, janë nënshkruar marrëveshje pa u hapur fare tenderi, thuhet në hulumtimin e Qendrës për Komunikim me Qytetarët.

Sipas hulumtimit gjatë vitit të kaluar, pa u hapur tender publik, por vetëm përmes procedurës së negocimit, janë nënshkruar 1,368 marrëveshje në vlerë prej rreth 81 milionë euro, gjegjësisht 9 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2012, kur janë harxhuar 71.7 nga arka e shtetit pa publikimin e shpalljeve publike.

“Në një pjesë të rasteve, marrëveshjet për këto 81 milionë euro janë nënshkruar pa shpallje publike duke iu referuar nevojës emergjente për material furnizuese. Në këtë rast, shtrohet pyetja cila ishte ajo situatë emergjente që ndërmarrjet publike s`kanë pasur kohë për të planifikuar harxhimet e caktuara, të cilat s’janë planifikuar në buxhetin vjetor?!”.

“Për të shmangur këto procedura, vlerësojmë se për të gjitha kontratat që nënshkruhen pa shpallje publike, paraprakisht duhet të kërkohet leje prej Këshillit të ri për furnizime publike. Për momentin, nga Këshilli kërkohet leje për nënshkrimin e aneks-marrëveshjeve për punë shtesë, dhe jo edhe për mundësitë e tjera për shfrytëzimin e procedurës për negocim pa publikimin e shpalljeve për furnizime publike”, vlerëson Sabina Fakiq, nga Qendra për Komunikim me Qytetarët.

Ndërkaq, Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Anti-korrupsion thotë se rritja e konkurrencës së tenderëve duhet të bëhet prioritet për të gjithë faktorët, të cilët janë të inkuadruar në furnizimet publike, si institucionet kompetente, ashtu edhe vetë biznes-sektori. Por, kundrejt kësaj, drejtuesit e institucioneve publike shfrytëzojnë të gjitha hapësirat ligjore për të bishtnuar zbatimin e ligjeve për furnizime publike.

“Në këtë rast, kemi të bëjmë me abuzimin e ligjeve pozitive, gjegjësisht autoritarizmi i pushtetarëve e bën të veten. Është e pakuptimtë që edhe pas gjithë këtyre ligjeve që rregullojnë procedurat për furnizime publike, keqpërdoret ajo pjesë e ligjit, e cila toleron formën e bisedimeve direkte gjatë furnizimeve publike”.

“Ndërkohë, në mënyrë laksative, në kuadër të Ligjit për furnizime publike është përcaktuar opsioni kur dhe si mund të përdoren bisedimet direkte ose ta të ashtuquajturat sy më sy, gjatë furnizimeve publike”
, thekson Musa.

Për parandalimin e abuzimit me mjetet e buxhetit, qoftë nga pushteti vendor ose ai qendror pa shpalljen e tenderëve konform ligjit për furnizime publike, sipas Sabina Fakiqit, nevojitet angazhim më i madh i institucioneve kompetente.

“Nga fillimi i muajit maj i këtij viti hyjnë në fuqi ndryshimet e Ligjit për furnizime publike që i detyrojnë institucionet të ndërmarrin masa konkrete në drejtim të sigurimit të konkurrencës më të madhe. Megjithatë, mbetet të shohim se sa këto masa dhe Këshilli i ri i furnizimeve publike do të arrijë të përmirësojë gjendjen, ku në rreth 35 për qind të tenderëve, paraqitet vetëm një ofertë nga një firmë e vetm,e e cila zakonisht paraqitet në më shumë kompani publike”, shprehet Fakiq.

Ndërkohë, eksperti Arif Musa thotë se institucionet shtetërore kanë nevojë që administratën ta edukojnë në nivelin e duhur për procedurën e hapjes së tenderëve, njëkohësisht duhet angazhuar ekipe profesionale, të cilat do të hulumtojnë tregun, si dhe të instalojnë një bashkëpunim të ngushtë, në funksion të shpenzimit më racional të mjeteve nga arka e shtetit.

“Ministria e Financave është ajo që duhet të përkujdeset për të parandaluar të gjitha mundësitë për keqpërdorimin e mjeteve të buxhetit, qoftë në pushtetin vendor ose atë qendror. Pastaj është Komisioni për Furnizime Publike në kuadër të Qeverisë, i cili është përgjegjës për shqyrtimin e ankesave dhe kuptohet këtu është dhe Komisioni për parandalimin e Korrupsionit”.

“Pra, janë më shumë organe që duhet t’i mbikëqyrin institucionet. Revizioni Shtetëror, i cili është përgjegjës për kontrollimin e llogarive vjetore të institucioneve me karakter publik, në momentin që has në shkeljen e Ligjit për furnizime publike, lëndën duhet ta procesojë te prokurori publik, gjë që rrallë ndodh në praktikë”
, vlerëson Musa.

Ndryshe, në Raportin e Qendrës për Komunikim me Qytetarët gjithashtu theksohet se edhe pas gjashtë vjetësh të zbatimit të Ligjit për furnizime publike, një pjesë e institucioneve edhe më tej veprojnë në kundërshtim me këtë ligj, ndërsa firmat nuk i njohin të drejtat e tyre lidhur me mbrojtjen juridike, andaj rekomandohet një kontroll më i madh i zbatimit të këtij Ligji nga ana e organeve kontraktuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG