Ndërlidhjet

Nevoja për hekurudhë ndërkombëtare


Ilustrim
Ilustrim
Republika e Kosovës ka transport të jashtëm hekurudhor vetëm me shtetin e
Maqedonisë. Megjithatë, vija hekurudhore ekzistojnë edhe dy anë me Serbinë, në pjesën veriore të Kosovës dhe në Podujevë, por trenat nuk qarkullojnë.

Agron Thaqi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë "Infrakos", kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, për Radion Evropa e Lirë tregon se linja me Maqedoninë është në funksion, kurse linjat më Serbinë, njëra teknikisht është e gatshme kurse tjetra nuk është funksionale.

“Aktualisht në Kosovë janë funksionale linjat Prishtinë- Fushë Kosovë- Hani i Elezit- Shkup. Aktualisht linja ndërkombëtare me Serbinë që lidhet nga Mitrovica, teknikisht është në rregull, por nuk funksionon. Presim që gjatë bisedimeve në mes dy shteteve të zgjidhet kjo çështje sa më shpejtë dhe jemi optimistë për këtë".

"Ndërsa linja përmes Podujevës që lidh hekurudhat tona me Serbinë dhe me korridorin 10, që lidhen me Evropën Qendrore, është jashtë funksionit. Dhe ne jemi duke bërë përpjekje dhe kemi bërë disa strategji që këto linja sa më shpejtë t'i vëmë në funksion”
, thotë Thaqi.

Edhe përkundër faktit se infrastruktura hekurudhore në përgjithësi nuk është në nivel të duhur, Thaqi thotë se janë duke diskutuar për linja tjera ndërkombëtare, por përveç bisedimeve që janë duke u zhvilluar me disa shtete fqinje, nuk ka ndonjë plan konkret se kur mund të fillojë ndërtimi i tyre.

"Faktikisht sa i përket linjave të reja, ajo që ne po diskutojmë dhe që po përgatitemi është që të bëhet një studim fizibiliteti për lidhjen e Kosovës me Shqipërinë, për këtë janë të angazhuar nivelet qeveritare të të dy shteteve".

"Ndërsa sa i përket lidhjeve më Malin e Zi dhe lidhjeve tjera, ne përveç bisedave ne nuk kemi ndonjë plan apo strategji që në një të ardhme të afërt t'i bëjmë. Këto kërkojnë investime të mëdha, kurse ne e kemi infrastrukturën nacionale të brendshme në gjendje jo të mirë dhe e kemi fokusin që këtë të rehabilitojmë”
, shprehet Thaqi.

Sidoqoftë, para katër vitesh kur kishin nisur punimet në ndërtimin e autostradës Kosovë – Shqipëri autoritetet përgjegjëse të këtyre dy shteteve patën paraqitur nevojën edhe për një linjë hekurudhore që lidh këto dy vende.

Edhe ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë nevojën që Kosova të ketë transport hekurudhor me vendet të rajonit.

Florim Graiçevci, ligjërues i lëndës se Fushës se Konstruksioneve në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se përveç nevojës së linjës hekurudhore me Malin e Zi, Serbibë, Maqedoninë, linja me Shqipërinë do të jetë e domosdoshme për gjeneratat e ardhshme të vendit tonë.

“Për gjeneratat ardhshme të vendit tonë dhe të Shqipërisë, ndërtimi i një hekurudhe dhe një treni të shpejtë Prishtinë-Tiranë do të jetë një domosdoshmëri shumë e madhe. Derisa treni i shpejtë Bruksel – Paris lëviz për 1:15 minuta në 500 kilometra, alternativë e vetme Tiranë- Prishtinë është transporti rrugor minimumi është 3:15 minuta”, thotë Graiçevci.

Ai, megjithatë pranon se rrjeti hekurudhor në Kosovë është në gjendje të mjerueshme dhe linjat ekzistuese nuk sigurojnë ndonjë kualitet për transporte ndërkombëtare.

Linjat hekurudhore të brendshme, për veç Gjakovës dhe Gjilanit, ekzistojnë me të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, por për shkak të shkatërrimit gjatë luftës se fundit dhe mungesës se investimeve, ato janë jashtë funksionit.

Kurse ato që nuk funksionojnë janë: Prishtinë-Prizren, Prishtinë-Graçanicë, Prishtinë -Mitrovicë, Prishtinë-Magurë dhe Prishtinë- Podujevë.

Lokomotivat janë të vjetra ose janë donacion i shteteve tjera , por megjithatë udhëtimi me trena, sipas udhëheqëseve të “Ifrakos” konsiderohet shumë i sigurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG