Ndërlidhjet

Maqedoni: Pak investime për zejtarinë


Në Çarshinë e Shkupit në organizim të zejtarëve, të cilët kultivojnë zejet e vjetra, është duke u realizuar manifestimi “Ditët e Zejtarëve”.

Ky manifestim tashmë 10 vjet me radhë bëhet në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit në funksion të tërheqjes së vizitorëve dhe njohjes së tyre me kultivimin e zejeve që janë në zhdukje.

Mjeshtrit e zejeve të ndryshme thonë se është në rritje numri i atyre që dinë të çmojnë vlerën e punimeve të dorës, pasi ato pavarësisht viteve, përherë janë në hap me kohën.

“Gjithnjë e më shumë ka njerëz që janë të interesuar të blejnë diçka unike, pavarësisht asaj që deri para një kohe të caktuar më të preferuara ishin prodhimet që vinin nga jashtë. Por, me kalimin e kohës, u dëshmua se ato prodhime janë të një cilësie shumë të dobët . Madje, unë bashkë me vajzën time punojmë me ‘orgonit’ prodhim botëror, i cili përbëhet prej metalit dhe gurëve që është shumë i kërkuar, sepse besohet se sjell fat dhe energji pozitive”, theksoi zejtarja Suzana Jovçevska.

Tatjana Andonovska thotë se preferon të blejë në rrugën e esnafëve dhe jo në qendrat e mëdha tregtare për shumë arsye, më e rëndësishmja është se, siç shprehet ajo, këtu gjërat kanë shpirt.

“E para më pëlqen ambienti në Çarshinë e Shkupit dhe ajo që është shumë me rëndësi unë shoh se si një gjë, e cila do t’më shërbejë qoftë veshmbathje apo orendi si prodhohet, si merr formë dhe e gjithë ajo si do të përshtatet gjatë përdorimit, pra janë mjaft arsye që për vite bëj pazar këtu”
, tregon Tatjana.

Ndërkaq, Nebi Hoxha, kryetar i esnafëve të Çarshisë së Shkupit thotë se përfundimisht dikasteri i ekonomisë së Maqedonisë duhet të angazhohet për licencimin e një pjese të prodhimeve që punohen nga mjeshtrit e zejeve të ndryshme këtu, meqë ato janë të veçanta.

“Nga ministritë përkatëse disa herë kemi bërë kërkesë që produktet e tona, të cilat prodhohen këtu në Çarshinë e Shkupit, e që janë unike, t`i patentojmë dhe ato produkte të marrin dhe vlerën e duhur në treg. Fatkeqësisht, deri më tani nga këto institucione ende s’kemi marrë një përgjigje konkrete dhe produktet tona, të cilat dalin në treg, si unike, nuk shkon kohë ato kopjohen dhe më pas nga vendet aziatike vijën si prodhime të punuara me shumicë”, thekson Hoxha.

Ai shton se pavarësisht cilësisë së dobët të prodhimeve nga jashtë, ato mbeten më joshëse për blerësit si pasojë e çmimeve, të cilat janë shumë më të volitshme.

Gjatë këtij aktiviteti, përveç esnafëve, janë të përfshirë dhe nxënësit e shkollave profesionale, të cilët kanë mundësi që të prezantojnë para blerësve krijimet e tyre të punuara me dorë.

“Nëse je mjeshtër i mirë në ndonjë zanat të caktuar, atëherë është e sigurt një gjë se mund të sigurohet ekzistenca për veten dhe familjen .Të rinjtë nuk duhet të hezitojnë, por në raste kur kanë talent për një zeje, të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim”, deklaron drejtori i Dhomës së Zejtarëve të Maqedonisë, Nikolla Petrov.
.
Ndryshe, zejtarët e Maqedonisë janë ankuar disa herë se konkurrenca jolojale është ajo, e cila ngulfat mbijetesën e zejeve të rralla, të cilat janë në zhdukje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG