Ndërlidhjet

Si do t’ia dalë Ukraina lindore me votimet?


Ilustrim
Ilustrim
Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë janë të pazakonta sepse asnjëri nga kandidatët presidencialë nuk është në pozitë të pushtetit. Kjo do të thotë se asnjëri nga ta nuk është në gjendje të manipulojë votimin, duke përdorur kartën klasike post-sovjetike të “burimeve administrative”.

Vëzhguesit besojnë se kjo i bën zgjedhjet të pastra, por nuk do të thotë se nuk ka probleme të tjera. Sfida më e madhe vjen prej separatistëve pro-rusë që bëjnë përpjekje të pengojnë votimet në lindje.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të mbajtur zgjedhje normale”, ka thënë ministri i Brendshëm, Arsen Avakov, më 19 maj, duke folur për rajonet e Donjeckut dhe të Luhanskut.

“Qendrat e votimit janë sulmuar, pullat janë vjedhur, disa zyrtarë të komisioneve janë rrëmbyer. Këto janë akte të drejtpërdrejta të banditëve që kanë qëllim shkatërrimin e zgjedhjeve”, ka thënë Avakov.

​Zyrtarë të Komisionit të Zgjedhjeve raportohet se janë frikësuar dhe se familjet e tyre janë kërcënuar.

Potencialisht, një numër i madh i votuesve në Donjeck dhe Luhansk nuk do të jetë në gjendje të votojë. Kjo, sepse rrethi ku janë të regjistruar për votim, mund të mos ketë qendër votimi.

Oleksandr Chernenko, drejtor i Komitetit të Votuesve të Ukrainës që monitoron zgjedhjet nga afër, ka thënë se mbi dy milionë votues mund të mos jenë në gjendje të votojnë, pasi gjysma e qendrave të votimit mund të mos hapen.

Kjo vrimë e zezë zgjedhore duket më shumë problem për legjitimitetin e zgjedhjeve sesa faktor që do të ndikojë rezultatin.
Petro Poroshenko
Petro Poroshenko

Kandidati presidencial, Petro Poroshenko, zotëron një kryesim të mirë në anketat kombëtare me ose pa pjesëmarrjen e lindjes. Dy kandidatët e Partisë së Rajoneve, të njohur më shumë në lindje, Mikhaylo Dobkin dhe Serhiy Tihipko, nuk pritet të paraqesin ndonjë sfidë reale.

Për më tepër, nuk ka asnjë kërkesë minimale për pjesëmarrje, por dalja e ulët do të ishte goditje e madhe politike për ukrainasit, të cilët shpresojnë se votimi në gjithë vendin do të fitojë legjitimitetin mbarëkombëtar pas rënies së Viktor Yanukovychit.

“Çështja e pjesëmarrjes së votuesve është ligjërisht e parëndësishme, edhe pse është shumë e ndjeshme politikisht. Nuk do të ishte mirë nëse presidenti i Ukrainës do të zgjidhej me 30 ose 40 për qind të votuesve ukrainas”, ka thënë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Ukrainë, Mykhailo Okhendovskyy.

Në Krime, ndërkaq, nuk do të ketë qendra votimi, pasi gadishulli ukrainas është aneksuar nga Rusia. Megjithatë, Parlamenti i Ukrainës ka miratuar një ligj, që u mundëson banorëve në Krime të votojnë gjetkë ku gadishulli është njohur zyrtarisht si territor i pushtuar.

Autoritetet ukrainase po ashtu janë vënë në gatishmëri të lartë për ditën e zgjedhjeve, pasi disa agjenci presin trazira. Shërbimi Sekret i Ukrainës ka thënë më 20 maj se ka arresuar tetë anëtarë të një bande kriminale në Kiev, të cilët kanë qenë të armatosur me shtatë pushkë automatike dhe me dy kilogramë eksplozivë.

Shërbimi Sekret ka thënë se ata po mbahen nën dyshimet se kanë planifikuar të destabilizojnë zgjedhjet. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG