Ndërlidhjet

Banka Botërore jep 25.5 milionë dollarë për shëndetësi


Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv i Bankës Botërore ka miratuar një projekt shëndetësor për Kosovën, në vlerë prej 25.5 milionë dollarë amerikanë, për të përmirësuar mbrojtjen financiare të të varfërve nga shpenzimet shëndetësore dhe cilësinë e kujdesit për shëndetin primar të nënave dhe fëmijëve si dhe shërbimeve për sëmundjet jo ngjitëse në Kosovë.

Sistemi shëndetësor në gjashtë vjetët e fundit, që prej kur Kosova është shpallur shtet i pavarur, është përmirësuar, krahasuar me vitet paraprake, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë në largim, Ferid Agani.

Sipas Aganit, lëvizjet pozitive që e kanë reformuar sistemin shëndetësor bazohen në disa fusha duke u rrumbullakuar me kornizën legjislative.

Vendimi i Bordit Ekzekutiv të Bankës Botërore prej 25.5 milion dollarësh, sipas zotit Agani, është pritur me kënaqësi sepse është kurorëzim i punës dyvjeçare mes Ministrisë dhe Bankës Botërore.

Mjetet prej 25.5 milion dollarë do të realizohen gjatë pesë viteve dhe gjysma e tyre do të jetë e dedikuar për mbështetjen e shërbimeve shëndetësore në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor nëpërmjet stimulimit të performancës së këtyre shërbimeve, derisa një pjesë për funksionalizimin e shërbimit profesional për nëna dhe fëmijë, derisa një pjesë për shërbimin farmaceutik në vend".

"Synimi themelor i këtij projekti është ngritja e kapaciteteve të fondit të sigurimeve shëndetësore në vend dhe themelimi i sistemit publik të sigurimeve shëndetësore”
, thekson Agani.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se ndihma prej 25.5 milionë dollarë që do t’i dedikohet sistemit shëndetësor kosovar, do të jetë një ndihmë e madhe.

Sami Uka, zyrtarë në këtë organizatë jep hollësi të tjera.

“Organizata Botërore e shëndetësisë mbështet Bankën Botërore për mbështetjen e sektorit shëndetësor me ndihmë financiare, sidomos për shëndetin e nënës dhe fëmijës përkundër përparimeve të konsiderueshme në këtë fushë. Por na gëzon në mënyrë të veçantë fakti se kjo ndihmë do të mbështet në mënyrë të veçantë kujdesin parësor në zhvillimin shëndetësor për nënë dhe fëmijë”.

"Në projektet e mëhershme, përfshirë edhe projekte të UNICEF-it, OBSH, UNFPA-së, qeverisë së Luksemburgut, ka qenë më pak i adresuar dhe me një qasje të tillë do të arrihet të përmirësohet gjendja e nënës dhe fëmijës edhe cilësia e shërbimeve shëndetësore në këtë aspekt, si dhe të zvogëlohet vdekshmëria edhe e nënave edhe e fëmijëve”,
theksoi Uka.

Sipas Bordit të Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore, Kosova ka disa nga rezultatet më të dobëta shëndetësore në Evropë.

Sidoqoftë, projekti prej 25.5 milionë dollarë do të zbatohet brenda një periudhe pesë vjeçare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG