Ndërlidhjet

Inaugurohet Ivanov, bojkotohet nga LSDM dhe BDI


Në Parlamentin e Maqedonisë të hënën është zhvilluar seanca e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Gjorgje Ivanov në zgjedhjet e 27 prillit.

Kryetari i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, mandatin e dytë e ka filluar me një ceremoni ushtarake në vilën presidenciale dhe më pas ka dhënë deklaratë solemne përpara deputetëve të përbërjes së re parlamentare.

Gjatë dhënies së deklaratës solemne para shtëpisë ligjdhënëse, kanë munguar deputetët e opozitës maqedonase LSDM-së si dhe deputetët shqiptarë të Bashkimit Demokratik për Integrim, edhe përkundër asaj se këta të fundit gjatë vikendit kanë bërë të njohur arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeveritarë me partinë që e propozoi Ivanovin për president.

Ndërkohë, Ivanov në foltoren e Kuvendit ka theksuar se edhe përkundër bojkotit të LSDM-së dhe BDI-së, do të angazhohet të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, duke nënvizuar se nuk do të pranojë ndryshime kushtetuese për ndërrimin e emrit dhe se do të angazhohet për rruajtjen e integritetit territorial, gjuhës dhe kulturës maqedonase.

“Bojkoti ndaj institucionit president i shtetit do të thotë bojkot ndaj demokracisë dhe bojkot ndaj vullnetit të qytetarëve. Në harmoni me Kushtetutën e Maqedonisë unë kam marrë legjitimitet drejtpërdrejt nga vullneti i shprehur i qytetarëve. Presidentin e shtetit e zgjedhin qytetarët dhe jo bashkësitë etnike. Në demokraci ka një rregull votat janë ata që numërohen dhe jo maten përmes shenjës etnike. Isha dhe do të mbetem president i të gjithëve duke qenë zë i të gjithë qytetarëve”, është shprehur në foltoren e parlamentit Gjorgje Ivanov.

Ai me këtë rast ka theksuar se çështjet me karakter të konsensualitetit politik nuk janë të paraparë me Kushtetutë, andaj janë edhe të pakuptimta.

“Një pjesë e udhëheqësisë së një subjekti politik, para dhe gjatë zgjedhjeve presidenciale, insistonte në njëfarë presidenti konsensual të republikës së Maqedonisë. Kategori që nuk ekziston në Kushtetutën dhe ligjet, dhe as që theksohet në Marrëveshjen e Ohrit. Betimi solemn i dhënë më detyron qartë të kundërshtoj idetë dhe konceptet që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjet e RM-së”, është Ivanov.

Ndërkohë, BDI ka theksuar se presidenti i Maqedonisë i dalë nga zgjedhjet e 27 prillit është legal po jo edhe legjithitim.

“Zoti Ivanov edhe pse është zgjedhur në një proces legal, por për shqiptarët është jolegjitim, meqë nuk reflekton vullnetin e popullit të dytë më të madh në Maqedoni. Me këtë më duhet të theksoj se cdo institucion që nuk ka vullnetin e dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni pas Marrëveshjes së Ohrit është jolegjitim. Shqiptarët e Maqedonisë me mbi 90% i thanë jo presidentit të njëanshëm dhe ne do ta respektojmë vullnetin e tyre”, është shpehur Talat Xhaferi, nga BDI.

Inaugurimi i president Ivanov është bojkotuar edhe nga kryetari i Bashkësisë Fetare Islame që nuk ka marrë pjesë kundrejt përfaqësuesve të tjerë fetarë .

Gjersa PDSH ka marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të Maqedonisë bashkë me kryetarin e partisë Menduh Thaci.

“Ne kemi qenë kundër bojkotit dhe nuk kemi bërë shantazhe , kërcënime dhe teror mbi votuesit që të mos dalin të votojnë dhe lirshëm të shprehin vullnetin e tyre. Ne si parti I lamë qytetarët të lirë të vendosin vetë për cilin kandidat për president të votojnë. Presidenti është legjitim sepse atë e kanë votuar shumica dërmuese e qytetarëve të Maqedonisë”, ka sqaruar qëndrimin e PDSH-së, deputeti i kësaj partie Bekim Fazliu.

Gjersa partia e kryeministrit Nikolla Guevski VMRO DPNE ka theksuar se ne kuadër të 534 mijë votat pro Ivanovit është dhe vullneti i elektoratit shqiptar.

Ndryshe, Gjogje Ivanov fitoi në zgjedhjet presidenciale të 27 prillit duke arritur 534.910 vota përballë kundër kandidatit të opozitës, Stevo Pendarovski që fitoi 398.077 vota.

Ivanov do të ushtrojë mandatin e dytë pesëvjeçar për president të shtetit ndërkohë që këtë detyrë për herë të parë e ka marrë nga viti 2009.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG