Ndërlidhjet

Përfundon aksioni në AKP me 11 të arrestuar


Ilustrim
Ilustrim
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka përfunduar operacionin policor i cili kishte filluar në mëngjesin e së mërkurës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit gjatë këtij operacioni ka arrestuar 11 zyrtarë të AKP-dhe anëtarë të Bordit menaxhues të AKP-së të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në detyrë dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Operacionit policor, ka shtuar Kelani, i ka paraprirë një hetimi disa mujor, që lidhet me çështjet e privatizimit të fabrikës së armaturës ndërtimore FAN në Podujevë.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në orët e hershem të mëngjesit ka realizuar një operacion të gjerë policor në disa lokacione, si në rajonin e Prishtinës dhe në rajonin e Podujevës. Operacionit policor i ka paraprirë një hetim disa mujor e që lidhet me çështje të privatizimit në këto dy komuna dhe me disa zyrtarë të AKP-së dhe anëtarë të bordit, që dyshohen se kanë kryer vepra penale”, thotë Kelani.

Edhe zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Ylli Kaloshi ka treguar për Radion Evropa e Lirë se disa zyrtarë të AKP-së janë ndaluar dhe janë shoqëruar në polici.

“Organet policore kanë ndaluar dhe kanë shoqëruara disa zyrtarë të AKP-së në polici, ne duke e dimë se për çfarë bëhet fjalë, por po presim që të marrin informacione zyrtare nga organet përgjegjëse dhe më pas të dimë detaje rreth kësaj çështjeje”, thotë ai.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ishte në kërkim të Naser Osmanit, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, ish anëtari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Naser Osmani, i cili përmendet në mesin e personave që do të merren në pyetje në ndërlidhje, siç thuhet, me procesin e privatizimit të fabrikës së armaturës ndërtimore FAN në Podujevë, ka treguar se pasi që ka marrë ftesën nga organet e rendit për të dhënë sqarime, është kthyer nga Tirana, në Prishtinë.

"Nuk e di për çka akuzohem, do ta mësoj për çka, por nga ajo çka dëgjova ka të bëjë më një votim që ka ndodh në AKP në një privatizim, i cili është kryer vite më parë, para se me qenë unë aty. Dhe ka të bëjë edhe me një vendim që një zyre që është blerë t'i njihet e drejta e investimit, dikush po thotë se investimi duhet të bëhet brenda në fabrikë e jo investimi t'i njihet jashtë fabrikës”, ka thënë Osmani.

Ky vendim, ka sqaruar Osmani, është marrë nga Bordi i AKP-së, në kohën kur anëtarë të bordit ishin tre pjesëtarë vendorë dhe tre ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe të ndjerin, Dino Asanaj, i cili ishte drejtor i Bordit të AKP-së.

"Personat të cilat kanë votuar pro këtij vendimi janë Lisa Brodey nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, tani diplomate zyrtare në Gjenevë; Hubert Warsmann ish anëtar i bordit të AKP-së, Muhammed Omran, aktualisht drejtor i Bursës në Egjipt, Bahri Shabani (ish anëtar i bordit të AKP-së), dhe i ndjeri Dino Asanaj. Derisa Haxhi Arifaj kishte votuar kundër", tregon Osmani.

Osmani të gjitha këto dyshime për këtë proces të privatizimit i ka quajtur politike.

“Edhe ajo çka është më brengosëse që të akuzohesh në këtë formë për dhënie të një mendimi për një vendim 6 me 1, unë konsideroj se është e papërgjegjshme për institucionet e Kosovës dhe unë konsiderojë që kjo është politike”, thotë Osmani.

Procesi i Privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë kishte filluar në vitin 2003. Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar si një organ i pavarur publik i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë të pavarur, në bazë Ligjit mbi AKP-në.

AKP ka zotësi të plotë juridike, për të bërë kontrata, për të marrë, mbajtur ose shitur pronën, si dhe ka të gjitha kompetencat e vetëkuptueshme për përmbushjen në tërësi të detyrave dhe kompetencave të dhëna me këtë ligj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG