Ndërlidhjet

Vetëm 4 për qind e patologjive nuk trajtohen në QKUK


QKUK
QKUK
Përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore në Kosovë, kohët e fundit thonë se kanë intensifikuar përpjekjet për bashkëpunim rajonal në aspektin shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë.

Drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se vendet e rajonit kanë shprehur gatishmërinë që të trajtojnë falas çdo vit ata pacientë që vuajnë nga sëmundje, të cilat nuk mund të trajtohen në Kosovë.

“Përveç Turqisë, me të cilën kemi marrëveshje, ku çdo vit trajtohen falas nga 100 pacientë nga Kosova, gjithashtu kemi marrrëveshje edhe me Shqipërinë që një numër i pacientëve në fushën e onkologjisë dhe në fusha tjera, kanë përfituar trajtim falas atje”.

“Me Maqedoninë jemi pjesë e projektit të përbashkët të bashkëpunimit e që është në fushën e donacioneve me projektin HOPE, ku vetëm Kosova , Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina janë pjesë e këtij projekti ndërkombëtar, e që në këtë rast ka të bëjë me Ballkanin”,
ka thënë Hoti.

Sipas Hotit, në përpjekje të thellimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, si me Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën si dhe Slloveninë, nga ky bashkëpunim kanë përfituar edhe profesionistët shëndetësorë:

“Kemi disa marrëveshje bashkëpunimi me disa vende të rajonit me Republikën e Shqipërisë, Maqedonisë, Sllovenisë dhe këto kanë të bëjnë me këmbimin e informacioneve nga fusha e shëndetit publik, rreth sigurimeve shëndetësore dhe këmbimin e ekspertëve apo mundësinë që mjekë të rinj të kryejnë module përkatëse të specializimit në disa qendra të këtyre vendeve".

"Kemi rastin me Maqedoninë dhe Shqipërinë, ku mjekët kanë kryer specializimet në fushën e onkologjisë, ndërsa ata tash janë kthyer dhe kryejnë punën e tyre në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës”,
ka sqaruar Hoti.

Por, drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, ka thënë se shëndetësia kosovare po avancohet çdo ditë e më shumë, në pothuajse të gjitha lëmit e saj. Sipas Gashit, sëmundjet që nuk trajtohen në Kosovë, përbëjnë rreth 4 për qind të patologjive të përgjithshme.

“Deri tani janë referuar rastet që janë trajtuar për radioterapi, derisa tash nuk referohen, gjithashtu janë referuar rastet për proteza dhe implante, e që tash nuk referohen. Ka një numër të vogël të sëmundjeve të fëmijëve, sistematike dhe eventualisht sëmundjet e rralla të të rriturve e që nuk mund të trajtohen te ne".

"Por, sipas statistikave që unë i kam, nuk janë as rreth 4 për qind të patologjive që nuk trajtohen në përgjithësi në Kosovë. Tepër pak pacientë trajtohen jashtë Kosovës tash”
, ka deklaruar Gashi.

Ndryshe, marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, dhe asaj të Republikës së Shqipërisë, është nënshkruar më 25 prill të këtij viti, në vazhdimësinë e takimeve midis dikastereve qeveritare të dy shteteve, pas takimit të përbashkët të dy Qeverive të mbajtur kohë më parë në Prizren.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG