Ndërlidhjet

Në Maidan, marrëveshja e Gjenevës s’është arritje


Ukrainë
Ukrainë
Shamil Ailin thotë se nuk do të lërë Maidanin. Dhe, asnjë marrëveshje e arritur nga diplomatët nuk do të ndryshojë mendjen e tij.

Më 17 prill, në Gjenevë, Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje, e cila ka për qëllim të qetësojë krizën në Ukrainë.

Një nga kushtet kryesore të saj është që “të gjitha ndërtesat e pushtuara në mënyrë të paligjshme, t’iu rikthehen pronarëve legjitimë” dhe “të gjitha rrugët, sheshet dhe vendet e tjera publike që janë okupuar ilegalisht, të zbrazen”.

Kjo vlen për ndërtesat qeveritare në lindje të Ukrainës, që janë pushtuar nga radikalë pro-rusë, por edhe për aktivistët e Euromaidanit, që kanë ngritur kampe në Sheshin e Pavarësisë në Kiev.

Kur pyetet se a do të mbledhë gjërat e tij dhe të lirojë Maidanin, për të respektuar marrëveshjen diplomatike, Ailin, 54 vjeç, tërheq bluzën e tij dhe tregon varrën nga një plumb i snajperit, që ka marrë dy muaj më parë.

“Kam humbur gjithçka. Kam humbur punën. Jam 54 vjeç. Jam i plagosur. Ku duhet të shkoj? Të jemi më njerëzorë… Fitimtarët në shesh janë harruar”, thotë Ailin.

Për të revolucioni nuk ka marrë fund. Ai thotë se nuk e ka ndërmend të lirojë sheshin dhe shumë të tjerë në Maidan ndajnë pikërisht këtë qëndrim.

Banorët lokalë të Kievit, si Natalia Grokhova, një aktore 48 vjeçe, e shohin rrethimin e sheshit si garanci se politikanët do të pastrojnë korrupsionin dhe elitën e prishur politike të vendit.

“Ne ende s’kemi arritur asgjë. Kemi ndryshuar një autoritet me një tjetër, i cili nuk dallon shumë. Maidiani nuk duhet të shkojë në shtëpi. Ne nuk e kemi arritur atë për të cilën kemi dalë. Ne nuk kemi qëndruar këtu gjithë dimrin për të vënë Oleksandr Turchinovin në pushtet”, thotë Grokhova.

Ajo është pro unitetit të Ukrainës, por thotë se autoritetet e Kievit duhet të bëjnë lëshime në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Moska kërcënojnë me ndarje.

“Le të kenë referendum, le të vendosin, le të ndahen. Unë personalisht nuk jam kundër kësaj. Unë jetoj në Kiev dhe Kievi nuk do të ikë gjëkundi. Nëse lindja do t’i bashkohet Rusisë, le t’i bashkohet”, thotë Grokhova.

Një tjetër aktivist, Viktor Labez, thotë se njerëzit e Maidanit duhet të jenë të hapur ndaj marrëveshjes së Gjenevës, por me kushtet e tyre.

“Kur të shohim se separatistët kanë dorëzuar armët, kur banditët që kanë qëlluar ushtarët tanë, kanë pranga në duar, kur ata të lirojnë të gjitha ndërtesat në Kramatorsk dhe Sloviansk, atëherë ne do të veprojmë”, thotë Labez.

Ukraina është në krizë që nga përmbysja e presidentit të saj pro-rus, Viktor Yanukovych, në muajin shkurt.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG