Ndërlidhjet

Privatizimi në zonat serbe, tokë dhe dyqane


Ilustrim
Ilustrim
Agjencia Kosovare e Privatizimit është kompetente për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në gjithë territorin e Kosovës.

Por, një proces i tillë ka ngecur te shitja e ndërmarrjeve shoqërore në rajonet e banuara me shumicë serbe, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe ish-anëtarë të bordit të agjencisë, çështje kjo që mohohet nga zyrtarë të AKP-së.

Naser Osmani, ish-nënkryetar i Bordit të Drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se ka pasur disa privatizime në pjesën veriore të Kosovës, por kanë qenë objekte me kapital të vogël.

Osmani thotë se nuk e dinë potencialin ekonomik të këtyre pronave, pasi nuk kanë mundur t’i vizitojnë.

Megjithatë, ai shprehet se privatizimi nuk ka pasur një dinamikë të njëjtë në pesë administratat rajonale, varësisht se cila administratë rajonale ka punuar më mirë, sipas tij, efektet kanë qenë më të mëdha.

“Ka pasur përpjekje që edhe në lokacionet e banuara me minoritetet serbe, kryesisht në Zubin Potok dhe Leposaviq, ka pasur tentime dhe disa shitje të ndërmarrjeve shoqërore, por kanë qenë të kapitalit të vogël. Ne, saktësisht, nuk kemi mundur të vërtetojmë se cili është potenciali ekonomik, që duhet të shitet, për arsye se asnjëherë nuk kemi shkuar fizikisht atje t'i shohim. Por, ka pasur shitje të vogla. Në krejt historinë e AKP-së, ndërmarrja e parë që është likuiduar ka qenë një ndërmarrje në pjesën veriore të Mitrovicës”, thotë Osmani.

Zyrat rajonale të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, gjenden në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë. Përveç këtyre zyrave, AKP-ja ka të hapura dhe funksionale zyre satelitore edhe në vendbanime me shumicë serbe, si në Shtërpcë, Leposaviq, dhe Graçanicë.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se fillimisht në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, tashmë e Privatizimit, kanë munguar kapacitetet dhe vullneti për t'u përballur me sfida eventuale, ku rastet kanë qenë pak më komplikuara.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomike në Universitetin e Prishtinës, thekson se mosprivatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në lokacionet e banuara me shumicë serbe, ka ndodhur edhe për shkak të ndërhyrjeve politike nga ndërkombëtarët, por edhe vendorët.

“Sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në lokacionet e banuara me shumicë serbe, respektivisht në komunat ku udhëhiqen nga serbët, fillimisht ka qenë hezitimi nga ndërkombëtarët me qëllim që mos ta prishin status quo-në dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe".

"Ndërkaq, pastaj ka ardhur hezitimi nga APK-ja, sepse nuk ka pasur qasje të mjaftueshme në këto hapësira territoriale. Prandaj dhe ka munguar një proces i tillë”
, shprehet Ramosaj, për Radion Evropa e Lirë.

Por, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, thonë se në tenderët që i zhvillon kjo agjenci, marrin pjesë blerës nga të gjitha komunitet që jetojnë në Kosovë.

Veton Hajdini, shef i zyrës së marrëdhënieve me publikun në AKP, tregon se në Komunën e Leposaviqit, përmes privatizimit është shitur shtëpia e mallrave “Universal” depot e “Universalit” , fabrika “Kristal Bazalt”, si dhe Kristal Fabrika e Qelqit. Në Zveçan, përmes shitjes me likudim është shitur një dyqan.

Në disa fshatra të Komunës së Vushtrrisë, të banuara me komunitetin serbë, janë shitur përmes procesit të privatizimit, rreth 20 hektarë tokë, ndërsa përmes procesit ë likudimit një Fabrikë e Tekstilit.

Ndërkaq, në pjesën veriore të Kosovës që tani dominohet me banorët serbë, Hajdini thotë se ka pasur numrin më të madh të shitjeve përmes procesit të privatizimit dhe shitje me likuidim.

Në këtë pjesë, po përmes procesit të privatizimit, janë shitur pesë dyqane, ndërsa përmes likuidimit janë shitur 10 dyqane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG