Ndërlidhjet

Greqi: I burgosuri shqiptar vdiq si pasojë e torturave



Kudret Kume, i njohur në shtetin grek si Ilia Kareli, ka gjetur vdekjen si pasojë e dhunës së ushtruar nga gardianët e burgut të Nigritas. Kjo është akuza e ngritur ndaj 15 gardianëve të burgut të Nigritas nga Prokuroria greke.

Agjencia zyrtare e lajmeve, ANA-MPA, që ka siguruar një kopje të aktakuzës, bën me dije se hetuesja Jeorgjia Tutuntzi i akuzon 15 të pandehurit si protagonistë në torturimin e të burgosurit shqiptar, tortura që përfundimisht çuan në vdekjen e tij.

Sipas aktakuzës, të gjithë ata, për më shumë se dy orë e torturuan “vazhdimisht dhe në mënyrë sistematike” Ilia Karelin, me qëllim që ta ndëshkonin për vrasjen e kolegut të tyre grek, Jorgos Tsironis, më 25 mars, në burgun e Malandrinos.

Sipas aktakuzës, si rezultat i torturave, Ilia Karelit iu shkaktuan plagë të shumta dhe fraktura, si dhe thyerje të kafazit të kraharorit.

Thyerja e kafazit të kraharorit, ndërthurur me aktet e torturës, sipas akuzës, “ishte e mundur të sillte dhe përfundimisht solli vdekjen për shkak të aritmisë (çrregullim i rrahjeve të zemrës)”.

Ilia Kareli vdiq disa orë më vonë, në harkun kohor nga ora 18:38 deri 23:15, atëherë kur u konstatua se nuk merrte më frymë dhe u njoftua qendra e ndihmës së shpejtë që e transportoi në spitalin e Serresit, aty ku u konfirmua vdekja e tij, thuhet në aktakuzën e firmosur nga hetuesja e çështjes.

Gjashtë gardianë të akuzuar për vdekjen e Ilia Karelit, si pasojë e torturës, janë burgosur, pas deponimeve të tyre. Dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa të tjerët përmes avokatëve mbrojtës, po njihen me dosjen e akuzës, e më pas do të thirren nga Prokuroria për të dëshmuar.

Ndërkohë, gazeta greke “To Vima”, ka publikuar të mërkurën, fotografitë e çasteve të mbërritjes së Ilia Karelit në burgun e Nigritas, si dhe momentet kur gardianët e fusin në dhomën, ku për rreth dy orë ushtruan dhunë ndaj tij.

Në fotografitë e botuara nga kjo gazetë, shfaqet pas torturave Ilia Kareli, i cili tërhiqet nga krahët nga dy gardianë, pasi nuk ka mundësi as të ecë dhe as të qëndrojë në këmbë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka kërkuar përmes Ambasadës dhe Konsullatës së saj ndjekjen e rastit në mënyrë institucionale, ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka shkruar homologes greke Calliope Spanou, e cila ka shprehur gatishmërinë që të ndjekë me prioritet këtë rast.

Në letër Totozani citon sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë që deklaroi se “këto veprime të punonjësve shtetërorë ishin johumane dhe mizore dhe ato bien ndesh me konceptin e sundimit të ligjit dhe me detyrimin për të mbrojtur jetën e personave.

“Sjellje të tilla, të cilat ngjajnë me sjelljet e viteve më të errëta të historisë, do të ndiqen nga sistemi i drejtësisë greke dhe nga shteti grek. Ligji do të zbatohet në mënyrë ekzemplare për secilin person, i cili ka qenë përgjegjës”.

Ilia Kareli, vrau në datën 25 mars në burgun e Malandrinos gardianin Jorgos Tsironis. Nuk dihen ende zyrtarisht motivet e kësaj vrasjeje, ndonëse mediat greke bënë me dije se vrasja ka ndodhur në kushtet e tronditjes emocionale të Ilia Karelit.

Kudret Kume, i njohur në Greqi si Ilia Kareli gjatë viteve 1997-2001 kishte mbi 11 procedime penale dhe ishte dënuar përfundimisht me 14 vjet burg për vjedhje nga drejtësia greke.

Pasi u lirua më 2006, një vit më pas u arrestua përsëri në Greqi, pasi gjatë një tentative për të vjedhur 100 euro në një banesë në Neo Iraklio, tentoi t'i priste zonjës së shtëpisë fytin me xhamin e një kornize dhe të mbyste me një zinxhir bashkëshortin e saj. Kareli u dënua me 20 vjet heqje lirie dhe më pas vendimi u ul në 12 vjet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG