Ndërlidhjet

Shkelet Ligji i duhanit


Ilustrim
Ilustrim
Nga data 22 maj e vitit 2013, kur Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi, vullneti i disa qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar, po nuk kanë munguar as ata që vazhdimisht e kanë shkelur këtë ligj.

Sipas zyrtarëve që merren me këtë çështje, zbatimi i ligjit nuk është në nivelin e dëshiruar.

Shkumbin Spahiu, zyrtar i Qendrës Kosovare për Zhvillim dhe Avokim (KADC), organizatë kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, ka bërë të ditur se ky ligj nuk është duke u zbatuar në nivel të kënaqshëm. Sipas tij, në shumë lokale ka mbetur në vullnetin e pronarëve dhe të vetë qytetarëve nëse dëshirojnë ta shkelin ligjin, pasi që inspektorët, sipas tij, nuk po tregohen shumë të përgjegjshëm në punën e tyre.

“Jemi të kënaqur pjesërisht pasi që në shumicën e komunave në Kosovë nuk po respektohet ashtu si kërkohet në bazë të ligjit. Ndërkaq, në nivel të Kosovës, Prishtina është duke e respektuar ligjin, derisa në periferi dhe komuna tjera po shkelet ligji. Por, ka pasur zotime se do të ketë monitorim më të madh për zbatimin e ligjit”.

“Ka pasur inspektime nga ana e inspektorëve sanitarë, prapë se prapë në vendet ku po tymoset, si në Qendrën Tregtare në Bregun e Diellit dhe është për t’u çuditur se si në momentin e inspektimit në ato lokale, nuk është vërejtur askush duke tymosur duhan, derisa aty vazhdimisht tymoset. Kjo të bën të mendosh se inspektorët a kanë për qëllim zbatimin e ligjit, apo janë duke bërë përjashtime për disa vende të caktuara”, shprehet Spahiu.

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, organizatë kjo që është marrë në vazhdimësi me mbrojtjen e shëndetit publik, kanë bërë të ditur se Ligji për kontrollin e duhanit është një ligj shumë i qartë, gjithëpërfshirës e që ka për synim mbrojtjen e shëndetit të popullatës, duke shtuar se ai tashmë është miratuar dhe duhet patjetër të respektohet.

Por, Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, thotë se gjatë tërë kohës inspektorët janë në terren dhe çdo shkelës i ligjit po dënohet, pavarësisht asaj që thuhet se inspektorët po bëjnë lëshime në objekte të caktuara afariste.

“Zbatimi i Ligjit për kontrollin e duhanit është në fazën e dytë të implementimit dhe gjitha ato deformime që kanë pasur në hapësira të mbyllura, na kaun vënë para një sfide që duhet kalkulojmë aktivitetet tjera në këtë drejtim. Të gjitha komunat e Kosovës paraprakisht duhet të japin urdhëresa që ata që vendosin tenda pa pëlqimin sanitar, i thyejnë rregullat”.

“Ka shkelje të ligjit, por Inspektorati sanitar ka ndërmarrë masa dhe kemi shqiptuar gjoba. Nuk kemi qenë të mëshirshëm dhe nuk kemi bërë tolerancë ndaj asnjë subjekti edhe përkundër asaj se mund të flitet diçka e tillë. Kam informata se flitet, por faktet flasin ndryshe, pasi që jemi të hapur për gjitha këto deformime që ndodhin në punën e inspektorëve që janë çdo ditë në terren”,
thotë Tërshnjaku.

Ndryshe, gjatë monitorimit nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim, pati rezultuar se shkelësit më të mëdhenj të ligjit për një kohë të caktuar kanë qenë gjykatat e Kosovës.

Ndërkaq, qytetarët e anketuar e kanë mirëpritur hyrjen në fuqi të Ligjit për kontrollin e duhanit dhe respektimi, sipas tyre, duhet të jetë i domosdoshëm.

“Duhet të respektohet ligji. Nuk është i dobishëm duhani. Sa e respektojnë, nuk e di, por unë mendoj se duhet ta respektojnë”, thotë Fatmir Fejzullahu.

E, nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG