Ndërlidhjet

Balaj: S’ka fitues në kauzën e të drejtave të grave të dhunuara gjatë luftës


Nazile Balaj
Nazile Balaj
Një vit pas dhunës që pësoi para derës së shtëpisë së saj, aktivistja e të drejtave të grave Nazlie Balaj shprehet e kënaqur që edhe pse pësoi, kauza për të drejtat e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, nuk është harruar. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo rrëfehet për dhunën që u ushtrua mbi të, dhe se ku ka arritur procesi hetimor për t’i gjetur personat që e sulmuan.

Dy ditë para se projekt-ligji që rregullon statusin e viktimave civile të luftës, ku janë të përfshira edhe gratë e dhunuara, të debatohet në parlament, ajo bënë thirrje që kjo çështje të mos politizohet, por të gjithë të votojnë pro këtij legjislacioni, për t’i kthyer dinjitetin kësaj kategorie të margjinalizuar të shoqërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Para një viti kur ju kanë sulmuar, çfarë keni ndjerë?

NAZLIE BALAJ
Kam vepruar dhe kam punuar, në situata edhe më të rënda dhe shumë të vështira, edhe në kohë lufte. Në asnjë moment nuk kam ndier frikë. Në asnjë moment nuk kam ndier zmbrapsje apo tërheqje prej këtij aktiviteti, prej këtij momenti të cilin bashkërisht e kemi nisur. Përkundrazi ka qenë një motiv, edhe shumë më i madh që të punoj edhe më shumë për këto gra dhe vajza si viktima të dhunimeve në Kosovë, dhe s’do të ndalem asnjëherë.

Për aq sa jam ndal për 23 vjet. Por, nuk është e vetmja Nazlia në Kosovë, e cila punon në këtë drejtim. Kemi përkrahje të gjithanshme, do të thotë edhe prej shumë organizatave të ndryshme, që veprojnë brenda për brenda Kosove, edhe prej shumë organizatave të tjera ndërkombëtare siç është Amnesty International, Helsinki Watch, mandej mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Do të thotë kemi një numër jashtëzakonisht të madh të përkrahësve ndaj kësaj çështjeje!

RADIO EVROPA E LIRË
Po familja kishte frikë?

NAZLIE BALAJ
Në asnjë moment! Familja është mësuar me mua, që të punoj në situata të tilla, por edhe më të rënda. Po flas për periudha kur ka qenë shumë më e rëndë natyra për të punuar. E kanë ditur që në ora tetë në mëngjes kam dal prej shtëpisë, mirëpo asnjëri s’kemi qenë të bindur edhe të besojmë në atë, se do të kthehemi të gjallë në shtëpi. Kështu që me kohë janë adaptuar me punën dhe veprimtarinë time. Përkundrazi, familja është përkrahësi më i madh për gjithë veprimtarinë time, sidomos në këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Personalisht, jeni interesuar se kush mund të jetë prapa këtij sulmi?

NAZLIE BALAJ
Çdo gjë ia kam lënë në dorë të hetuesisë...

RADIO EVROPA E LIRË
Po ju personalisht a jeni përpjekur të merrni vesh për sulmuesit...

NAZLIE BALAJ
Prapë po e them, çdo gjë ia kam lënë në dorë hetuesisë, sepse besoj në drejtësi. Sepse besoj në drejtësi. Edhe, asnjëherë s’do të jetë e vonshme ajo drejtësi. Kushdo qoftë, edhe kushdo që e ka bërë, ka qenë vetëm një akt qyqar, për të krijuar një lloj presioni që me u tërheq prapa nga kjo çështje.

Dhe prapë, nuk do të ndalem. Do të thotë, ajo [çështje] do të mbetet ana e prokurorisë dhe hetuesisë, se si do të procedojnë tutje. Kurdo që ata ndiejnë obligim që të më ftojnë për ndonjë deklaratë shtesë apo diçka unë jam e gatshme 24 orë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni pasur kontakte me policinë, ose prokurorinë për rastin e sulmit ndaj jush?

NAZLIE BALAJ
Po, po. Kam pasur personalisht kontakte, sepse vet kam qenë viktimë e saj. Dhe kurdo që prokuroria më ka ftuar për dhënie të deklaratës, apo hetuesia, unë kam qenë e gatshme. Kam qenë një bashkëpunëtore shumë e mirë rreth ndriçimit të rastit, por tash mbetet në duart e prokurorisë që të procedojë më tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Besoni se do të gjenden sulmuesit ndonjëherë?

NAZLIE BALAJ
Unë besoj që duhet të gjenden ata. Por prapë mbetet çështja brenda për brenda [hetuesisë]. Nuk varet asgjë prej meje. Unë do të vazhdoj me veprimtarinë time, ndërsa prokuroria le të vazhdojë me proceset tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka flet sulmi ndaj jush për këtë kauzë që ju mbroni?

NAZLIE BALAJ
Nuk e kam marr, dhe nuk e marr personale [sulmin ndaj meje]. Mendoj që, s’po e them që rasti im ka krijuar hapësirë, por mendoj që aq shumë paska qenë e ngulfatur kjo çështje, brenda për brenda shoqërisë, gjoja se është dashur të ndodh një rast, sikur rasti im, dhe të shpërthejmë si shoqëri, në kërkesë për drejtësi. Unë i kam përcjell të gjitha aktivitetet që kanë ndodh në atë kohë, dhe mua më kanë mbush plot energji, dhe plot elan.

Do të thotë se, nuk jam e vetmja në këtë [kauzë]. Do të thotë ka shumë Nazlie Balaj tjera, dhe të tjerë, që vërtet dëshirojnë të vazhdojnë këtë kauzë. Dhe kur jemi ul në tryeza të ndryshme të diskutimit, në takime të ndryshme, çdo herë e kemi pasur këtë temë dhe këtë bisedë. Pikërisht, është kjo shoqëri, është ky zë, i të gjithë atyre që mendojnë drejtë në këtë kauzë, që të mos ndalen në asnjë moment.

Nuk është Nazlia individ, por është një rreth jashtëzakonisht i gjerë, si brenda Kosovës, ashtu edhe jashtë Kosovës. Nuk kam element të asaj ndjenjës se kam mbet e vetme. Jo përkundrazi! Unë kur i kam parë të tjerë, aq më shumë jam mbush energji dhe të vazhdojë tutje! Nuk jemi ndalur!

RADIO EVROPA E LIRË
Një vit pas, jeni e kënaqur se si qëndrojnë punët, ku ka arritur kauza?

NAZLIE BALAJ
S’mund të them që jam e kënaqur me këtë. Por edhe nuk mund të them se absolutisht asgjë nuk është bërë. Të enjten do të sillet në seancën parlamentare për aprovim [projekt-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre].

Të shohim të gjithë ata deputet, të cilët do të jenë të gatshëm që ta aprovojnë përfundimisht ligjin. Nuk do të ketë fitues në këtë çështje. Do të ketë drejtësi, dhe vetëm drejtësi ndaj kësaj çështjeje. Kushdo që mundohet ta sjell në rezultate personale, përfitime personale, e ka shumë gabim.

Prandaj, edhe e shfrytëzoj rastin që t’i bëjë thirrje të gjithë deputetëve, sepse ato gra nuk kanë asnjë ngjyrim politik. Ato gra, kanë vetëm një kërkesë, drejtësi dhe t’u njihet statusi i tyre si viktima të dhunimeve, përmes ligjit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG