Ndërlidhjet

Vuçiq dhe dialogu me Kosovën


Një autobus kalon pranë një fotografie të Aleksandar Vuçiqit në Beograd...
Një autobus kalon pranë një fotografie të Aleksandar Vuçiqit në Beograd...
Ndryshimet politike në Serbi mund të ndikojnë në dinamikë, por jo të ndalin procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, vlerësojnë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, përbën një nga kushtet e Brukselit për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, andaj presin që ky proces të vazhdojë me vite.

Naim Rashiti, analist nga Grupi Ballkanik për Politika thotë se kryeministri i ardhshëm Aleksandar Vuçiq, ka qenë më hezitues në raport me dialogun me Prishtinën zyrtare krahasuar me kryeministrin e deritashëm Ivica Daçiq.

Mirëpo, ai nuk sheh shumë alternativa as për Vuçiçin, përveç vazhdimit të bisedimeve.

Kurse në rast se Vuçiq dhe Partia Përparimtare vendosin të krijojnë koalicion, atëherë nuk e përjashton si mundësi që të ngarkohet ish-presidenti Boris Tadiq për procesin e negociatave me Kosovën.

“Nuk e besoj që ka alternative. Edhe Vuçiqi do të mbetet i angazhuar në dialog. Besoj që do të provoj të angazhoj një aktor tjetër që të ngarkohet me dialogun apo me detajet e dialogut. Pavarësisht që edhe vet Vuçiq mund të angazhohet me kryeministrin Thaçi apo kushdo që të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës pas zgjedhjeve, besoj që nëse zgjedh Tadiqin për partner për formimin e qeverisë, edhe pse nuk i duhet më për numra, mund ta ngarkoj atë për dialog”, ka thënë Rashiti.

Ndërkohë, edhe analisti tjetër, Ardian Arifaj parasheh që vazhdimi i bisedimeve sipas agjendës evropiane për normalizimin e raporteve Prishtinë – Beograd do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të Serbisë dhe zgjedhjeve që priten në Kosovë.

Arifaj, megjithatë, nuk e përjashton si mundësi që kryeministri i ardhshëm serb për disa çështje të negociuara me Prishtinën në Bruksel, fajin t’ua hedhë Daçiqit dhe socialistëve që ishin në krye të procesit.

“Nuk mund të mos e vërejmë që në qeverinë e kaluar dialogun dhe zbatimin e ka kryer PSS-ja (SPS-ja) e Ivica Daçiqit çka e kishte bërë të lehtë për PPS-në (SNS-në) e Vuçiqit që çfarëdo reagimi negativ ndaj marrëveshjeve t’ia hedh fajin e përgjegjësisë Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrit Daçiq”, ka thanë Arifaj.

Një refleksion i ndryshimeve politike në Serbi në raport me bisedimet e Brukselit, sipas Ardian Arifaj mund të jetë shtimi i rezervave të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit në raport me implementimin e disa ta arriturave të procesit negociues me Prishtinën.

“Mund të supozojmë që një qeveri e udhëhequr nga Vuçiqi nuk do ta shfrytëzonte pushtetin e vet për të frenuar dialogun dhe atë që po quhet normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, mund të ketë shqetësime që Partia Përparimtare e Vuçiqit të jetë më e rezervuar tani si në procesin e dialogut ashtu edhe në atë të zbatimit të marrëveshjeve të dala nga ky dialog”, ka deklaruar Arifaj.

Në anën tjetër, Naim Rashiti beson që autoritetet serbe e kanë kuptuar që procesi i normalizimit me Kosovën do të vazhdoj edhe përtej mandatit që do të nisin kryeministri i ardhshëm Vuçiq dhe qeveria e tij.

Por, edhe Rashiti nuk e përjashton mundësinë që nën drejtimin e Vuçiqit, qeveria serbe të tregohet më shumë zvarritëse në zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën.

“Ajo që e ka bërë të qartë Vuçiqi në disa qarqe ndërkombëtare është se e ka kuptuar që faktori ndërkombëtar kërkon nga ai llogari për procesin e normalizimit dhe në disa raste ka premtuar se një normalizim i avancuar dhe i plotë i marrëdhënieve mund të ndodhë pas vitit 2019. Ai e kupton këtë kusht të faktorit ndërkombëtar dhe BE-së për Kosovën, por megjithatë ka dyshime në dinamikën e angazhimeve të tij në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura apo atyre që priten“, ka theksuar Rashiti.

Bazuar në agjendën e përcaktuar nga Brukseli, analistët politik, presin që Prishtina dhe Beogradi të vazhdojnë negociatat për normalizim deri në momentin kur do të piqen kushtet edhe për anëtarësimin e njërës apo dyja shteteve për integrim të plotë në BE.

Kjo periudhë shihet diku pas vitit 2020, kur Serbia dhe Kosova do të duhet të tejkalojnë mosnjohjet reciproke nëse duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG