Ndërlidhjet

Shqipëri: Lihen në burg edhe të akuzuarit e tjerë për terrorizëm


Ilustrim
Ilustrim
Gjykata e Krimeve të Rënda dha të premten masën e sigurisë "arrest me burg" për katër të arrestuarit e tjerë, të cilët akuzohen për terrorizëm.

Gjykatësi Sandër Simoni ua komunikoi masën e sigurisë "arrest me burg" të pandehurve Astrit Tola, Verdi Morava, Orion Reçi dhe Edmond Balla.

Gjyqi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. RENEA dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë rrethuan të gjithë hapësirën e ndërtesës së Krimeve të Rënda, për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Dje po kjo gjykatë la në arrest me burg 4 të arrestuarit Bajram Hysa, Genc Balla, Zeqir Imeri dhe Fadil Muslimani.

Më 11 mars 2013, policia kishte arrestuar 8 persona, ndërsa kishte shpallur në kërkim 6 të tjerë nën akuzën e krijimit të celulave të rekrutimit të besimtarëve myslimanë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri.

Prokuroria ka ngritur akuzën e dërgimit të rreth 50 personave të rekrutuar prej tyre në Siri. Por, të akuzuarit nuk e kanë pranuar akuzën.

Përballë akuzave për terrorizëm, 4 të arrestuarit që u paraqitën dje në gjykatë, nuk pranuan të marrin avokat, duke thënë, siç u shprehën, se ata i mbron Allahu dhe se rruga që ndjekin, është e drejtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG