Ndërlidhjet

Sektori privat kërcënon me protesta


Ilustrim
Ilustrim
Rritja e pagave për punonjësit e sektorit publik ka nervozuar Sindikatën e Sektorit Privat të Kosovës.

Edhe punëtorët e kësaj sindikate kanë kërkuar që të krijohen kushte për rritjen e pagave deri në 35 për qind nga paga bazë, në të kundërtën, në javët e ardhshme ata nuk përjashtojnë mundësinë e protestave dhe formave tjera sindikale.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Jusuf Azemi, udhëheqës i Sindikatës se Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, duke shtuar se kontribuues të pagave të punëtorëve të sektorit publik, është pikërisht sektori privat.

Sektori privat, thotë ai, mbush arkën e shtetit, kurse pagat marrin punëtorët e sektorit publik.

“Të gjithë këtyre personave që iu kanë rritur pagat, mendoj se frytdhënës i pagave të tyre janë pikërisht punëtorët në sektorin privat. Sepse sektori privat është lokomotivë e fuqisë së tatimeve dhe kontributeve të ndryshme nga ky sektor. Do të thotë 'mjelja' e këtij sektori, që gjithmonë të marrësh nga ai dhe mos të jepesh asnjëherë ....është shumë vërtet se ka ardhur një kohë që do të shpërthejë”, thotë Azemi.

Në Kosovë, sipas shifrave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë gjithsej të punësuar 302.844 persona në sektorin publik dhe atë privat; 80.816 persona janë të punësuar në sektorin publik, ndërsa 222.028 punëtorë janë të punësuar në sektorin privat.

Paga mesatare, sipas Jusuf Azemit, në këtë sektor është rreh 200 euro.

Por, problem në këtë fushë, sipas tij, është se këta punëtorë diskriminohen nga punëdhënësi, punojnë më tepër se tetë orë, nuk respektohet pushimi as ditor dhe as vjetor, madje në të shumtën e rasteve punojnë pa kontrata në mes së punëtorit dhe punëmarrësit.

Pasi sipas tij, Ligji i punës në këtë sektor nuk respektohet.

“Sinqerisht po them, dje kanë ardhur disa punëtorë në sindikatë dhe kanë qarë, sepse në vitin 2013, kanë marrë vetëm dy rroga. Në rend të parë është vonesa që marrin me 5 - 6 muaj. Për këtë arsye po them se në ditët në vazhdim do të jemi të parët që do prijmë obligimeve sindikale dhe kërkesave të punëtorëve. Se a do të jenë trazira apo si do të dalin është mirë të mendojnë, ata që shpenzime për telefon bëjnë sa pesë rroga të një punëtori në sektorin privat”, thotë Azemi.

Ndryshe, paga minimale e caktuar më vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011 është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Këshilli Ekonomik Social i ka propozuar Qeverisë që paga minimale për vitin 2013 të jetë në vlerë prej 220 eurosh.

Me këtë pagë minimale nuk janë pajtuar sindikalistët, të cilët kanë kërkuar që paga minimale të mos jetë më e ultë se 250 euro.

Ali Dragusha, anëtar në Këshillin Ekonomiko- Social, konsideron qeveria ka harruar sektorin privat.

Ai madje si shqetësim ngrit edhe mos mundësinë e definimit të pagës minimale në Kosovë.

“Një çështje tjetër që mendojmë se është më rëndësi edhe çështja e mos definimit apo mos mundësisë për ngritjen e pagës minimale nga ana e Këshillit Ekonomik- Social. Kur dihet për faktin se sektori prodhues, përmban pjesën dërmuese të asaj që quhet prodhim, sa do i vogël që është, karshi sektorit publik që pjesa dërmuese e të punësuarve janë zyrtarë qeveritar, për dallim se nuk janë prodhues”, thekson Dragusha.

Përderisa pagat në Kosovë thuhet se fillojnë nga 130 euro në muaj, për një muaj familjet kosovare shpenzojnë mesatarisht 584 euro, ndërkaq konsumi i përgjithshëm tek ekonomitë familjare është 7,010 euro në vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG