Ndërlidhjet

Maqedoni: Kodi Zgjedhor, në qendër të vëzhgimit


Shef i Misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR ambasadori Gert Arens gjatë prezantimit të aktiviteteve të misionit në fjalë ka nënvizuar se pjesa më e madhe e rekomandimeve të faktorit ndërkombëtar, veçanërsiht rekomandimet e misionit të OSBE/ODIHR-së janë inkorporuar në ndryshimet e fundit të kodit zgjedhor.

Por për të pasur zgjedhje fer dhe demokratike, sipas tij nevojitet vullnet dhe angazhim konkret na ana e të gjithë akterëve politikë të vendit të cilët janë futur në garë zgjedhore.

“Partive politike dhe institucioneve vendore u takon të vendosin se sa do t’i marrin parasysh vlerësimet dhe rekomandimet tona në mënyrë që të përmbushen standardet demokratike që i parashikon OSBE dhe standardet ndërkombëtare. Ajo që mund të them tani është se pjesa më e madhe e vërejtjeve tona janë inkorporuar në ligjet që kanë të bëjnë me kodin zgjedhor".

"Ajo që mbetet të shihet është se si këto ligje do të zbatohen në praktikë. Zbatimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor do të jetë në qendër të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, pasi procesi i implementimit të këtyre ligjeve është po aq i rëndësishëm sa ai i miratimit të ligjeve”, është shprehur Gert Arens.

Ndërkaq organiztat vendore ende nuk kanë ndërtuar një strategji të qartë se me sa vëzhgues do të ndjekin zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshmet parlamentare.

Teodora Popovska nga organizata joqeveritare MOST bën të ditur se ende nuk është përcaktuar numri i vëzhguesve me të cilët do ta ndjekin procesin zgjedhor, megjithëse shpreh bindjen se MOST ashtu siç ka bërë deri më tani do të mbulojë më shumë se 40% të vendvotimeve në vend.

“Në përputhshmëri me metodologjinë e cila është e pranuar ndërkombëtarisht edhe kësaj radhe do të ndjekim procesin zgjedhor në vend. Kuptohet se pos vëzhguesve statik MOST do të operoj dhe me ekipe mobile të cilat do të operojë tërë kohën në teren, dhe aty ku do të shfaqet nevoja do të stacionohen”, njofton Popovska.

Nga ana tjetër Xhabir Deralla, nga organizata joqeveritare e CIVIL e cila tanimë ndjek zhvillimet gjatë disa cikleve zgjedhore, thotë se kësaj radhe do të monitorohen dhe lajmet gjatë procesit zgjedhor nga një ekip i posaçëm ekspertësh që është në formim po në kuadër të kësaj organizate.

“Gjatë proceseve të kaluara zgjedhore kemi vërejtur se informacionet jo gjithmonë krijojnë një pasqyrë objektive për zhvillimet në vend për ta pasur të qartë situatën qytetarët dhe pikërisht për këtë arsye kemi vendosur të përforcojmë kapacitetet tona në këtë drejtim me atë që do të dalim me lajme, informacione dhe analiza të ndryshme që kanë të bëjnë me zgjedhjet të cilat do t'i ofrohen publikut por edhe mediave”, thekson Deralla.

Edhe Albert Hani nga qendra për menaxhimin e konflikteve e cila gjithashtu vëzhgon aspektin e debateve politike fushata zgjedhore ende pa filluar zyrtarisht, bosht të vetëm ka fyerjet dhe jo promovimin e ideve që do të mundësonin një jetë më cilësore në aspektin ekonomik për qytetarët dhe funksionim të shtetit demokratik.

“Debati kryesisht zhvillohet në drejtim të theksimit gjegjësisht promovimit të ndasive etnike gjatë të gjitha proceseve zgjedhore. Edhe kësaj radhe nuk priten risi sa i përket debatit politik gjatë fushatës zgjedhore, por është fakt se vetë qytetarët tanimë janë vetëdijesuar dhe këto debate i vlerësojnë si debate jocilësore”, nënvizon Hani.

Ndryshe, organizata joqeveritare MOST zgjedhjet e fundit lokale i ka monitoruar me rreth 3,500 vëzhgues dhe organizata qytetare zgjedhjet i ka ndjekur përmes 100 monitoruesve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG