Ndërlidhjet

Bashkëpunimi me mediat vendore


Radio Evropa e Lirë vazhdon të gëzojë respekt te gazetarët e mediave të Kosovës.

Ata e kujtojnë këtë radio 15 vjet më parë, si një nga dritaret e vetme të informimit gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Kurse, sot e shohin të domosdoshme si një media që përpiqet të raportojë paanshëm, në mënyrë objektive dhe të pavarur.

Gazetari Vehbi Kajtazi, punon në të përditshmen Koha Ditore. Ai thotë se një media ndërkombëtare në gjuhën shqipe, siç është Radio Evropa e Lirë, ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në aspektin medial.

“Unë e kujtoj Radion Evropa e Lirë që nga periudha e luftës kur ishte një nga dritaret e pakta për informimin e njerëzve, opinionit për ngjarjet që ndodhnin në Kosovë. Radio Evropa e Lirë, si media e themeluar nga Kongresi Amerikan, ka luajtur rol të jashtëzakonshëm për informimin e kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, duke qenë e paanshme gjithmonë në raportimet e saj, në analizat e saj, intervistat e zhvilluara me faktorë të ndryshëm vendas apo ndërkombëtarë”.

“Mendoj se roli i saj do të jetë vendimtar edhe vitet e ardhshme për arsye se mediat, tregu medial në Kosovë, po kalon në një situatë jo shumë të favorshme të zhvillimit të saj”, thotë Vehbi Kajtazi.

Gazetarët e vlerësojnë mjaft lart profesionalizimin dhe punën e seksionit në gjuhën shqipe të Radios Evropa e Lirë.

Zëvendëskryeredaktori në të përditshmen “Zëri”, Artan Haraqija, i cili ka qenë si bashkëpunëtor edhe në redaksinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë dhe ka parë nga afër punën që bëhet aty, vlerëson se informacionet që dalin nga kjo radio, qoftë përmes frekuencave të radios, apo faqes së internetit janë të besueshme dhe mund të shfrytëzohen si burim edhe nga mediat lokale.

“Të kesh një medium ndërkombëtar amerikan, si Radio Evropa e Lirë, e cila për më tepër, kujdesin më të madh ia kushton pasimit të materialeve që janë të realizuara me profesionalizëm dhe respektim të plotë të etikës profesionale, është para së gjithash një ndihmesë shumë e rëndësishme për Kosovën”.

“Për këtë arsye Radio Evropa e Lirë vazhdon të jetë media më e cituar në Kosovë, pasi që secili medium e di që materialin të cilin e huazon apo e merr si burim informacioni në Radion Evropa e Lirë, e ka të sigurt”
, shprehet Artan Haraqija.

Edhe redaktori përgjegjës në gazetën Tribuna, Arben Ahmeti, konsideron se në një vend në tranzicion si Kosova, rreziku nga totalitarizmi është evident.

Mediat në këto vende, sipas tij, janë të rrezikuara nga ndikimi i pushtetit, kështu që ai e sheh si të nevojshme që të ketë prani dhe ndikim të mediave ndërkombëtare, siç është Evropa e Lirë.

“Në vendet në tranzicion, të cilat nuk kanë traditë në demokraci ekziston gjithmonë rreziku që të shndërrohen në vende totalitare ku pushteti mundohet të kontrollojë gjithçka, dhe në këtë mjedis pushteti i parë që rrezikohet, është pikërisht media. Për këtë arsye është me rëndësi që të kemi një radio siç është Radio Evropa e Lirë, e cila nuk mund të jetë asnjëherë target apo cak i mundshëm i kontrollit nga pushteti vendor”, vlerëson Arben Ahmeti.

Redaksia në Pragë si edhe ajo në Prishtinë e Radios Evropa e Lirë i kushton rëndësi edhe bashkëpunimit me mediat lokale. Një bashkëpunim të këtillë ka me Radio Dukagjinin.

Kryeredaktori i Radio Dukagjinit, Gent Efendija, flet për bashkëpunimin që kanë këto dy radio dhe transmetimin e informacioneve të Radios Evropa e Lirë përmes valëve të Radio Dukagjinit.

“Bashkëpunimi që Radio Dukagjini ka pasur dhe vazhdon ta ketë me Radion Evropa e Lirë, është një prej treguesve më të mirë se mbetet ndër radiot që flasin shqip dhe janë që janë radio ndërkombëtare më të dëgjuara në vend. Për këtë arsye radio e jonë e ka të vetmin bashkëpunim me Radion Evropa e Lirë dhe janë të vetmit që kanë transmetim në frekuencat tona”.

“Pavarësia, liria dhe publikimi i lajmeve me vend dhe kohë, tregon se të kesh një radio që flet shqip në këta terminë është një domosdoshmëri për të pasur informim të mirë për publikun kosovar dhe jo vetëm”, shprehet Gent Efendija.

Jo vetëm nga mediat e pavarura - private, por edhe ato publike, Radio Evropa e Lirë shihet si një burim i besueshëm në aspektin e marrjes së informacioneve.

Redaktori i lajmeve në Radio Kosovë, Shaip Mustafa, thotë se kur përmendet Evropa e Lirë, ka një nostalgji nga raportimet e kohëve të vështira të luftës. Por, edhe sot e kësaj dite, kjo radio, sipas tij, mbetet burim i pazëvendësueshëm i informimit.

“Unë, si redaktor i lajmeve në Radio Kosovë, çdo ditë pikë referimi kam lajmet e Radios Evropa e Lirë. Kjo, në rend të parë për shkak të besueshmërisë, saktësisë, profesionalizmit dhe shpejtësisë që ka. Janë të gjitha këto që paraqesin nevojën që një media si Radio Evropa e Lirë të vazhdojë të punojë edhe më tutje në Kosovë. Them kështu, sepse është një dritare e informimit që vazhdon të trajtojë tema nga më të ndryshmet që nga politika vendore, e huaj, tema sociale, ekonomia e të tjera”, thotë Shaip Mustafa.

Për 15 vjet të punës së redaksisë në gjuhën shqipe, Radio Evropa e Lirë ka arritur të gëzojë respektin dhe besueshmërinë e opinionit. Përveç radios, një angazhim i shtuar i është kushtuar edhe informimit përmes faqes së saj në internet, e cila vazhdon të jetë e lexuar dhe e shumë cituar nga të gjitha mediat pa përjashtim.

Seksioni në gjuhën shqipe është vetëm një nga 28 seksionet në gjuhë të ndryshme botërore të Radios Evropa e Lirë, e cila transmeton në 21 vende. Ajo është themeluar nga Kongresi Amerikan dhe ka filluar të transmetojë që nga viti 1951.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG