Ndërlidhjet

Memorandumi i Budapestit dhe Ukraina


Krime
Krime
Derisa tensionet në Krime po shtohen, për shkak se forcat pro-ruse i kontrollojnë aeroportet kryesore të këtij gadishulli, kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, i ka bërë thirrje Rusisë “që të mos e shkel Memorandumin e Budapestit”.

Rrjedhimisht, shtrohet pyetja se çka është Memorandumi i Budapestit dhe çfarë është lidhshmëria e tij me Ukrainën?

“Memorandumi i Budapestit për Garantime të Sigurisë” është një memorandum diplomatik, i cili ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 1994 nga Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kjo nuk është një marrëveshje formale, por para se gjithash një dokument diplomatik, sipas të cilit, nënshkruesit i kanë bërë premtime njëri-tjetrit, në kuadër të deatomizimit të ish-republikave sovjetike, pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik.

Sipas këtij memorandumi, Ukraina kishte premtuar se do t’i largonte të gjitha armatimet atomike të periudhës sovjetike nga territori i saj, do t’i dërgonte ato në kapacitetet për çarmatim në Rusi, dhe do ta nënshkruante Marrëveshje për Moszgjerim Bërthamor.

Ukraina i ka mbajtur premtimet e veta.

Në këmbim, Rusia dhe vendet perëndimore nënshkruese në mënyrë esenciale e kanë promovuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si shtet i pavarur.

Këtë e kanë bërë duke i zbatuar parimet e integritetit territorial dhe mos-intervenimit nga Akti Final i Helsinkit në vitin 1975, që ishte marrëveshje e periudhës së Luftës së Ftohtë, e nënshkruar nga 35 shtete, përfshirë Bashkimin Sovjetik.

Në Memorandumin e Budapestit, Rusia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, kanë premtuar se asnjëra nga to, asnjëherë nuk do t’i kërcënohet e as që do të përdorë forcë kundër integritetit territorial ose ndaj pavarësisë politike të Ukrainës.

Ato, po ashtu, kanë shprehur përkushtim se asnjëra prej tyre kurrë nuk do të përdorë ndëshkime ekonomike për ta detyruar Kievin, që t’u nënshtrohet interesave të tyre.

Ato, në mënyrë specifike, kanë shprehur përkushtim se do të përmbahen nga bërja e territorit të njëra-tjetrës objekt i okupimit ushtarak ose angazhimit tjetër të përdorimit të forcës në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Të gjitha palët ishin pajtuar se një okupim i tillë ose përvetësim, nuk do të njihej si legal dhe se nënshkruesit do të “konsultoheshin në rast se situata përshkallëzon, që e shtron çështjen lidhur me këto përkushtime”.

Duke pasur parasysh zhvillimet aktuale në Krime të Ukrainës, shtrohet pyetja se a ekziston diçka obliguese nga aspekti juridik në Memorandumin e Budapestit ndaj obligimeve të Rusisë për ta respektuar integritetin territorial të Ukrainës?

Barry Kellman, profesor i drejtësisë dhe drejtor i Qendrës për Kontrollin e Armatimit në Kolegjin Universitar DePaul, lidhur me këtë çështje, thekson:

“Kjo, aktualisht është shumë çështje më komplekse se sa që tingëllon. Ajo i bindet së drejtës ndërkombëtare, por kjo nuk do të thotë se ka çfarëdo mjeti për zbatimin e saj. Memorandumi i Budapestit e ndjek Aktin Final të Helsinkit dhe esencialisht i përsërit dispozitat e tij. Ekzistojnë masa të ndërtimit të mirëbesimit dhe pastaj është lista e obligimeve të tjera më të gjëra, para së gjithash, obligimeve negative. Kjo do të thotë mos ndërhyj”.

Sipas tij, ka edhe dokumente të tjera të së drejtës ndërkombëtare, me të cilat Rusia obligohet ta respektojë integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë Marrëveshjen CSCE (Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) dhe Kartën e OKB-së. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG