Ndërlidhjet

Dilema e zgjedhjeve, në pranverë apo gjatë verës


Kosovo -- An electoral official arranges ballot boxes at a counting center near Pristina, November 5, 2013
Kosovo -- An electoral official arranges ballot boxes at a counting center near Pristina, November 5, 2013
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë tanimë duket të jenë çështje e kryer, por debatet vazhdojnë në lidhje me atë se duhet të organizohen gjatë pranverës apo në pjesën e parë të verës.

Një subjekt opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka iniciuar nënshkrimin e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë, por kjo nismë nuk po gjen mbështetjen e nevojshme.

Për suksesin e mocionit, nevojitet që në fund të ketë edhe një votim prej së paku 61 deputetëve për rrëzimin e qeverisë.

Deputeti Ardian Gjini nga AAK, ka thënë se të enjten përkatësisht të premten do të dihet më me saktësi nëse ky mocion do të nënshkruhet apo jo.

“Ditët e enjte dhe premte do të jenë shumë të rëndësishme për Kosovën për shkak se këto dy ditë do të dihet përafërsisht se si do të rrjedhin ngjarjet dhe a do të ketë mocion mosbesimi apo deputetët do të refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Gjini.

Deri më tani, sipas AAK-së, mocioni është nënshkruar nga deputetët e pavarur por jo edhe nga dy partitë opozitare.

Partia më e madhe në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht lideri i saj Isa Mustafa ka arritur një marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Hashim Thaçi që zgjedhjet të mbahen nga mesi i këtij viti.

Andaj, LDK nuk po tregon ndonjë interesim për mocionin e AAK-së. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se çështja e mocionit është mjaftë diskutabile nëse do të kishte sukses apo jo.

“Është shumë me rëndësi që iniciativa që bëhet të ketë sukses dhe në iniciativat që ne dyshojmë se mund të kenë sukses ne nuk përkrahim diçka të tillë”, ka thënë Beqiri.

Edhe subjekti tjetër opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetit Visar Ymeri konfirmon se nuk do ta votojnë mocionin e AAK-së.

Ymeri ka thënë po ashtu se Vetëvendosje ka qenë nga fillimi e interesuar ta rrëzoj këtë qeveri por, sipas tij, ka edhe rrugë tjera përveç formës së mocionit.

“Për Vetëvendosjen dhe Kosovën në përgjithësi nuk është në interes që ta ndërrojmë emrin e kryeministrit ndërkohë që politika mbetet e njëjtë”, është shprehur Ymeri.

Qeveria aktuale ka humbur shumicën në Kuvend, jo për shkak të forcimit të opozitës, por për shkak të krijimit të fraksionit brenda PDK-së në Kuvend.

Një grup deputetësh nga kjo parti politike kanë paralajmëruar të formojnë partinë e tyre, ku dy nga figurat kryesore pritet të jenë deputeti Fatmir Limaj dhe kryetari aktual i Kuvendit Jakup Krasniqi.

Ky i fundit ka thënë se do ta bëjë me kohë njoftimin e tij për dorëheqje nga posti i kryekuvendarit, kurse nuk sheh ende ndonjë shenjë të qartë se Kuvendi mund të shpërbëhet gjatë muajit mars.

“Ne tani për tani s’kemi asnjë material mbi bazën e të cilit do të vinim në një përfundim të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Në Kuvendin e Kosovës po zhvillohen edhe procedurat e nevojshme legale të plotësim – ndryshimit të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Ndërkaq si faktorët kyç që determinojnë datën e zgjedhjeve thuhet të jenë edhe funksionimi i institucioneve të Kosovës gjatë muajit qershor, kur Kosova duhet t’i vazhdojë mandatin e EULEX-it dhe duhet të deklarohet nëse e pranon apo jo një Tribunal ndërkombëtar për krimet e dyshuara gjatë periudhës së luftës së viteve 1998-1999 dhe periudhës së pasluftës së viteve 2000-2001.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG