Ndërlidhjet

Kosova e Maqedonia - me bashkëpunim të mirë ekonomik


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë
Maqedonia dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe këtë e dëshmon edhe periudha e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, gjashtë vjet më parë.

Dëshmi për këtë, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Muhamet Hoxha, janë marrëveshjet e shumta që janë nënshkruar ndërmjet dy qeverive.

“Marrëdhëniet e mira mes Maqedonisë dhe Kosovës dëshmohen me nënshkrimin e 25 marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve, të cilat edhe janë ratifikuar nga kuvendet përkatëse. Presim të arrihen edhe shumë marrëveshje tjera me Republikën e Kosovës dhe këtu do të kisha përmendur marrëveshjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime".

"Bisedimet në nivel teknik ndërmjet dy ministrive të brendshme janë duke vazhduar dhe pas harmonizimit të saj, ajo do të nënshkruhet nga dy qeveritë me çka edhe do të nis lëvizja vetëm me letërnjoftime”,
deklaroi Hoxha, duke paralajmëruar edhe përgatitjet e fundit për mbajtjen e seancës së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Kosovës.

“Seanca do të ketë për qëllim realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat do të jenë në interes të qytetarëve të të dyja shteteve, por edhe rajonit”, bëri të ditur Hoxha.

Ai përmendi edhe marrëveshjen tashmë të ratifikuar për hapjen edhe të një vendkalimi kufitar me Kosovën dhe bashkëpunimin e ndërsjellë për realizimin e synimit të përbashkët, integrimin e dy vendeve në strukturat euroatlantike.

Por, derisa bashkëpunimi politik është në nivel shumë të lartë, bashkëpunimi ekonomik, sipas drejtuesve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, nuk është në nivelin e dëshirueshëm, pasi ai mund të jetë shumë më i avancuar.

Ekziston mundësia për vendosjen e një bashkëpunimi shumë të mirë dhe kjo duhet të shfrytëzohet nga qeveritë e të dyja vendeve. Nevojitet angazhim shumë më i madh për përmirësimin e klimës së biznesit duke inkurajuar edhe realizimin e investimeve të përbashkëta ndërmjet partnerëve nga Maqedonia dhe Kosova”, u shpreh Arben Halili, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Ai theksoi se Maqedonia nuk guxon të lejojë akrobacione të ndryshme ekonomike me Kosovën, për shkak të përfitimeve të mëdha që ka në këmbimin tregtar.

Halili përmendi rastin e vitit të kaluar të vendosjes së embargove mes dy vendeve për shkak të çështjes së miellit. Kjo, sipas tij, ka ndikuar që këmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve të shënojë rënie të ndjeshme nga vitet e mëparshme kur Maqedonia eksportonte mallra në vlerë prej rreth 300 milionë eurosh në Kosovë, derisa Kosova në Maqedoni jo më shumë se 20 milionë euro.

“Eksporti i Maqedonisë gati se është përgjysmuar dhe ne vlerësojmë se janë pikërisht masat e ndryshme që Maqedonia aplikoi me Kosovën, të cilat pengojnë lëvizjen e mallrave dhe të shërbimeve tjera nga Kosova në Maqedoni dhe anasjelltas, e që për pasojë ka çuar në rënien e nivelit të eksportit të mallrave dhe shërbimeve nga Maqedonia në Kosovë gjatë vitit 2013 në krahasim me vitet e kaluara”, vlerësoi Halili.

Ai kërkoi nga institucionet që të mos anashkalojnë Kosovën edhe nga të dhënat statistikore, pasi humbja eventuale e treguar kosovar do të kishte pasoja të mëdha për ekonominë e vendit.

Qeveria e Maqedonisë ka njohur shtetin e Kosovën më 9 tetor të vitit 2008.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG