Ndërlidhjet

QKUK: Protestë për rritje pagash dhe kushte më të mira pune


QKUK në protestë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

QKUK në protestë

Të mërkurën është protestuar nga punonjësit shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa protesta është organizuar nga Sindikata e shëndetësisë.

Xhemajl Selmani, kryetar i kësaj sindikate, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se po protestojnë duke kërkuar rritje të pagave, në mënyrë që të respektohet kontrata kolektive, si dhe llogaritja e përvojës së punës.

“Qëllimi i protestës është rritja e pagave dhe rritja e kujdestarive, problemet e shkaktuara nga menaxhmenti në të gjitha nivelet dhe ndërhyrjet në kujdestari. Po ashtu, edhe personeli është i pakënaqur, andaj kemi paralajmëruar një grevë njëorëshe. Kemi pasur ankesa të vazhdueshme nga stafi mjekësor, andaj edhe jemi këtu duke protestuar”, ka thënë Selmani.

Ndërkaq, kirurgu i fëmijëve, Hasan Ahmeti, ka bërë të ditur se qëllimi i protestës janë edhe kushtet jo të mira të punës, duke përmendur disa nga to:

“Po protestojmë, sepse të ardhurat është premtuar se do të rriten, pastaj se do të bëhet nivelizimi i pagave. Po protestojmë për atë sepse për investime kapitale, po ka mjete, madje edhe po teprojnë, ndërkaq për barna nuk ka dhe situata është dramatike. Ne detyrohemi në orën 12 të natës t’i dërgojmë pacientët ta blejnë një epruvetë për shembull, për t’i bërë analizat e gjakut, sepse nuk mund të hyjmë në operacion pa të. Për këto gjëra po protestojmë. Blihen vetura 60 mijë euro, e nuk ka leukoplast për pacientë. Mendoj se nuk duhet ndalet kjo protestë derisa gjërat të marrin kahen e duhur”.

Edhe kirurgu vaskular, Elmi Olluri, jep mendimin e tij për protestën e së mërkurës:

“Sot po protestojmë për shkak të shkeljeve që bëhen në vazhdimësi, ndaj kushteve të punëtorëve, gjendjes së përgjithshme në QKUK dhe në përgjithësi, në shëndetësinë kosovare. Unë, personalisht, i jam përgjigjur thirrjes së sindikatës për të dalë dhe për ta shprehur pakënaqësinë në grevë”.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, protestën e së mërkurës e sheh si shprehje demokratike për pakënaqësi të caktuara.

Por, Agani është zotuar se çdo ankesë do të shqyrtohet me seriozitet nga dikasteri që ai udhëheq.

“Ministria e Shëndetësisë është i vetmi institucion në vend, i cili ka kontratë kolektive sektoriale me sindikatën shëndetësore. Është bërë rishikimi i politikave vitin e kaluar, pra i politikave të zbatimit të pagesave të kujdestarive. Por, meqë ramë në deficit sa i përket mundësive për pagesën e kujdestarive dhe pamë që ka pasur shumë anomali dhe shumë shkelje që janë bërë në institucione shëndetësore me interpretime dhe keqinterpretime të dispozitave të caktuara të kontratës sektoriale”.

“Në fund të vitit është rregulluar kjo çështje, por ka pasur edhe pakënaqësi individuale, por ne do t’i marrim parasysh dhe do t’i zgjidhim në pajtim të plotë me kontratën kolektive të nënshkruar së bashku me sindikatën e shëndetësisë”
, ka deklaruar Agani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG