Ndërlidhjet

Rezultatet: S'ka mundësi ndotjeje


Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, pas analizave të bëra naftës që është përdorur për ngrohje në shkollat në kryeqytet, konstaton se “nuk ka mundësi të ketë ndotje të ajrit në klasa ngase sistemi i ngrohjes është i mbyllur”.

Në analizat e bëra në tri mostra, Instituti ka vlerësuar se “nafta e analizuar nuk mund të përdoret për motorët për djegie të brendshme, por mund të përdorët si vaj për ngrohje sipas nenit 9 të UA 07/2012 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës”.

Mostrat e analizave janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, pas dyshimeve të Komunës se Prishtinës se nafta për ngrohje është kancerogjene, çka rezultoi edhe më mbylljen e 43 shkollave në kryeqytet.

Pas marrjes së analizave zyrtare në Komunën e Prishtinës, kanë thënë se procesi mësimor pritet të rifillojë të martën, përveç shkollës fillore "Meto Bajraktari", ku siç thuhet, vërehet një erë nafte.

Në orët e pasdites, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka lëshuar një komunikatë, duke iu referuar rezultateve të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit

Zoti Ahmeti ka bërë të ditur se komuna e Prishtinës do të kërkojë vlerësim shëndetësor të nivelit të lartë të sulfurit në motorë pa filtra dhe që përdorin naftë, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga organizata tjera ndërkombëtare.

Në shkollat ku rezervoarët janë në hapësira të mbyllura do të rifillojë mësimi në bazë të përgjigjes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë ku përgjegjësinë për këtë e merr Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe komisioni i ekspertëve të Institutit.

Pas rezultateve të analizave Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka bërë thirrje që të martën të fillojë mësimi në të gjitha shkollat, pasi thotë se rezultatet e analizave flasin për një gjendje normale të nivelit të gazërave në shkollat e kryeqytetit.

Ai ka paraqitur fakte për të cilat ndërprerja e mësimit ka qenë e paarsyeshme.

“Vendimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës ka qenë i ngutshëm dhe jo i vlerësuar profesionalisht. Nuk është interpretuar ashtu siç shkruan UA 07/2012 i Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë për përdorimin e lëndëve djegëse të naftës”.

Sipas UA 07/2012 neni 8, vlera e lejuar e përmbajtjes së squfurit në vajin e rëndë për ngrohje është 10.000 ppm, ose 10.000 mg/kg ndërsa, neni 9 i këtij UA (Udhëzimi administrativ) thotë se vlera e squfurit në vajrat gazore, të cilat përdoren për ngrohje është 1.000 ppm ose 1.000 mg/kg”, sqaroi ministri Buja.

Në anën tjetër njohës të kësaj fushe, theksojnë e vaji nuk mund të përdorët për ngrohje në institucionet edukativo – arsimore, pasi nuk kanë infrastrukturë të duhur.

Ramadan Buzhala, ish kryesues i Këshillit për Licencim të Naftës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se askund por konkretisht në institucionet edukativo- arsimore nuk lejohet që derivatet e naftës të tejkalojnë normën e lejuar, që është 10 ppm.

“Vajra për ngrohje janë ato vajra të cilat përdoren për ngrohje të kazanëve, industri – jo për ngrohje në institucione, jo në institucione ku nuk ka filtra dhe tymtar të lartë. Ndërsa ajo që këta thonë se lejohet, naftë për ngrohje me 1 për qind sulfur, ajo është përdorim strikt në industri, si fabrikat e bllokave, baza e asfaltit, do të thotë me një kufizim që BE e përkufizon deri në ku ose në cilat kushte teknologjike përdoret me filtra, oxhak të lartë”, thotë Buzhala.

Sidoqoftë, Ministri i Arsimit Ramë Buja, ka thënë se edhe nëse dyshimet dhe faktet janë të vërteta, atëherë MASHT, si organi qendror, në bashkëpunim me Komunën merr vendim për ndërprerjen e procesit shkollor deri në rezultatin final, apo zgjidhjen e problemit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG