Ndërlidhjet

Protestat, “dorëheqja” e rektorit dhe eskalimi i situatës


Pamje nga protestat e studentëve para Rektoratit
Pamje nga protestat e studentëve para Rektoratit
Pas një jave të protestave para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, vikendi ka qenë më i qetë.

Grupi i Pavarur i Studentëve, që më anë të protestave po kërkon dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinë, Ibrahim Gashi, ka vendosur që të përdorë edhe një simbol, dhe ai është lapsi në dorën e shtrënguar me mbishkrimin “revolucioni studentor”.

Ndërkaq, pas vikendit të qetë, studentët e përfshirë, si dhe organizatat tjera kanë paralajmëruar se do t’i rinisin protestat nga e hëna.

Në një komunikatë për media, Grupi i Pavarur i Studentëve ka shprehur shqetësimin e thellë për, siç thuhet, “dhunën që është manifestuar gjatë protestës të së premtes”, ndërsa ka kërkuar lirimin e të gjithë protestuesve të ndaluar nga policia.

Në lidhje me eskalimin e situatës gjatë protestave të 6 dhe 7 shkurtit para Rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Drejtori ekzekutiv i këtij Këshilli, Behxhet Shala, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se protestat kanë eskaluar si pasojë e veprimeve të disa personave nga masa e protestuesve.

Ndërkaq e ka vlerësuar mjaft lart sjelljen e Policisë së Kosovës në këtë rast. Kurse, intervenimin me sprej dhe gaz lotsjellës, për shpërndarjen e protestuesve, e ka vlerësuar në përputhje me nivelin e përdorimit të forcës.

“E deklarojmë që policia nuk është ajo që e ka eskaluar situatën, por është një pjesë e protestuese, një numër fare i vogël, jo pjesa më e madhe. Ky grup i vogël mendojmë se ka qenë i shtytur nga të tjerët dhe e kanë provokuar situatën. Por, policia ka qenë jashtëzakonisht e përmbajtur, si me datën 6, ashtu edhe më 7 shkurt. Mendojmë që policia ka vepruar në përputhje me standardet profesionale për menaxhimin e situatave kur një protestë i kalon caqet nga paqësore dhe i marre karakteristikat e një proteste të dhunshme”, ka vlerësuar Shala.

Gjatë përleshjeve ndërmjet protestuesve dhe policisë pasur të lënduar nga të dyja palët.

Sipas policisë, aty janë lënduar 29 policë, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si dhe janë arrestuar 33 protestues. Në mesin e tyre dhe Ilir Dedaj, nga shoqëria civile, Ylli Hoxhaj, këshilltar në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, si dhe aktivistë nga studentët.

Behxhet Shala nga KMDLNJ, ka thënë se me përjashtim të dy rasteve, arrestimet kanë qenë në përputhje me standardet e veprimeve policore në këto raste. Megjithatë, ai ka veçuar edhe një rast që mund të cilësohet si tejkalim i autorizimeve.

“Kemi rastin kur policia ka futur në Rektorat dy të arrestuar dhe me këtë rast pjesëtarët e Njësisë speciale i kanë shqelmuar, ata duke u munduar t’i fusin brenda Rektoratit”, ka theksuar Shala.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e rektorit pas raportimeve për gradime të falsifikuara në Universitetin e Prishtinës. Në lidhje me këtë çështje, është themeluar një Komision Profesional Vlerësues në kuadër të Senatit të Universitetit, i cili pritet që brenda 45 ditësh të dalë me vlerësimet për publikime në revista joshkencore dhe gradime që nuk janë në përputhje me standardet e Universitetit.

Kryetari i Këshilli Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Muharrem Nitaj, i sheh protestat para rektoratit si pengesë në për drejtuesit e këtij institucioni që t’i kryejnë obligimet dhe detyrat e punës.

Nitaj rikujton se tashmë janë iniciuar procedurat e verifikimit, të cilat do të nisin nga rektori Gashi e deri te personi i fundit në UP.

“Nëse studentët protestues, shoqëria civile, por edhe partitë politikë të përfshirja janë të interesuara që problemet të zgjidhen, duhet që protestat të zhvillohen sipas standardeve në mënyrë që Këshilli dhe punonjësit universitarë të mund të kryejnë punën e vet”.

“Detyrat e punës parashohin që një Komision i Pavarur i krijuar nga Senati i UP-së dhe me kërkesë të Këshillit drejtues, të hartojë një raport dhe ne, më pas të procedojmë në përputhje me përgjegjësitë e konstatuara ndaj të gjithëve duke mos e amnistuar për asnjë sekondë asnjë nga njerëzit e Universitetit të Prishtinës, duke filluar nga i pari i shtëpisë, rektori Gashi e deri tek i fundit”, ka thënë Nitaj për Radion Evropa e Lirë.

Përndryshe, gjendja në Universitetin e Prishtinë tashmë ka marrë një konotacion politik.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të gjejë konsensus për disa rekomandime të ngritura nga opozita, në mesin e tyre edhe rekomandimi për largimin e rektorit Gashi. Kjo çështje, besohet se mund të thellojë tutje krizën politike në Kosovë e cila po përcillet edhe me pakënaqësitë e vazhdueshme sociale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG