Ndërlidhjet

Papunësia, plagë për shoqërinë shqiptare


Papunësia është një ndër problemet e mbartura të shoqërisë shqiptare të 22 viteve të fundit.

Sipas shifrave zyrtare të Institutit i Statistikave të Republikës së Shqipërisë, në Shqipëri ka rreth 190 mijë të papunë.

Megjithatë ekspertët e ekonomisë mendojnë se kjo nuk është shifra e saktë e papunësisë.

Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Ekonomie, thotë:

“Vëzhgimet tregojnë se kjo shifër nuk paraqet situatën reale të punësimit, por ajo është thjesht një e dhënë statistikore, e cila i referohet personave që janë regjistruar në zyrat e punës”, thotë Preçi.

Ndërsa Aranita Brahaj, drejtuese e projektit Open Data thotë së metodologjia e përdorur deri më tani është mediokre dhe vlen për t’u parë.

Zonja Brahaj thotë se në Shqipëri figurojnë të regjistruar si të papunë vetëm ata që u drejtohen vetë zyrave të punës për të marrë statusin e të papunit dhe ata që nuk drejtohen në këto zyra nuk figurojnë në statistikë.

Bazuar në shkallën e papunësisë, Shqipëria me papunësi rreth 13% renditet e pesta në rajon pas Maqedonisë me papunësi 33%, Bosnje Hercegovinës me 24%, Serbisë 17.4% dhe Turqisë (14%).

Ndërkohë pas Shqipërisë renditen: Mali i Zi me 11%, Greqia me 9.4% dhe Kroacia me 9.2%.

Papunësia është një ndër premtimet më të bujshme të mazhorancës së sotme qeverisëse, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit.

Partia socialiste premtoi hapjen e 300 mijë vendeve të punës gjatë 4 viteve të qeverisjes së majtë, ndërkohë që sipas PS-së, numri i të papunëve në Shqipëri është rreth 1 milion.

Por, sa e mundur është hapja e 300 mijë vendeve të punës gjatë katër viteve të ardhshme në Shqipëri?

Zef Preçi thotë se ky ishte një përdorim elektoral gjatë fushatës, pasi për të është e pamundur mbajtja e një premtimi të tillë.

Zoti Preçi i referohet vetëm një statistike, ku thotë se për hapjen e një vendi pune duhet të paktën 10 – deri në 15 mijë euro dhe shifra e cila duhet të ofrohet për hapjen e 300 mijë vendeve pune është jo reale për t’u përballuar brenda katër viteve nga shteti.

“Ende mungojnë programet zhvillimore që mundësojnë zbutjen e papunësisë, dhe mendoj se ajo që ndikon qenësisht është zbutja e klimës së biznesit. Në këtë drejtim nuk shoh strategji nga ana e qeverisë”, thotë Preçi.

Për zonjën Brahaj, hapja e 300 mijë vendeve të punës gjatë katër viteve të ardhshme do të thotë dyfishimi i vendeve të punësimit që janë deri tani, e për t’u arritur kjo sipas saj duhet një strategji e re në planifikimin e tregjeve të punësimit të vendeve fqinje, si dhe një riorganizimi i zyrave të punësimit, strategji e cila deri tani mungon.

Sipas statistikave të tre muajve të fundit të vitit 2013, në Shqipëri 1 në 6 persona është i punësuar. Qeveria ka nisur inaugurimin e zyrave të punësimit, por deri tani nuk dihet ende numri i personave që janë regjistruar ose ndihmuar prej tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG