Ndërlidhjet

Fëmijët në Kosovë, të parët në rajon për përdorim të internetit


Ilustrim
Ilustrim
Fëmijët sot i ekspozohen ekranit shumë orë në ditë. Ata këtë kohë e kalojnë duke shikuar televizorin, pranë kompjuterit apo lojërave të ndryshme elektronike, duke shikuar në ekrane.

Sipas sociologëve, pasojat e të qëndruarit gjatë pranë ekraneve janë të të mëdha.

Profesori i sociologjisë, Fadil Maloku, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në një studim që ka bërë Shoqata e sociologëve të Kosovës, ka dalë se gjeneratat e reja që e përdorin shumë internetin, kanë shumë informata, por u mungon dija.

“Studimet që janë bërë jashtë dhe brenda Kosovës, nga Shoqata e sociologëve të Kosovës, lidhur me përdorimin e internetit te fëmijët, tregojnë se ata i ekspozohen njëfarë lloj radioaktiviteti, i cili i bën të plogësht, anemik dhe fëmijët në fakt janë ata që do të kenë probleme në të ardhmen”.

“Shoqata e sociologëve të Kosovës ka bërë një hulumtim lidhur me përdorimin e internetit te moshat parashkollore e deri tek adoleshentët. Rezultatet në vija të trasha janë se është i dëmshëm. Fëmijët i ekspozohen radioaktivitetit që është shumë i dëmshëm dhe për fëmijët do të gjenerojë gjenerata, të varur dhe të plogësht dhe nuk do të kenë një perceptim normal çfarë do të kishin fëmijët tjerë”
, thotë Maloku.

Sipas tij, nuk ka ndonjë të dhënë se sa orë në ditë është e lejuar që fëmijët t’i ekspozohen ekranit, por shton se Kosova zë vendin e parë në rajon për nga përdorimi i internetit.

“Nuk kemi të dhëna se deri në sa orë në ditë do të duhej t’i ekspozohej ekranit një fëmijë. Sipas të dhënave, Kosova është në vendin e parë në rajon për nga përdorimi i internetit, duke e marrë parasysh moshën e re, ku mesatarja e moshës është 23.4 për femra, 23.3 për meshkuj. Pra, një popullatë e re e internetit, krahasuar me gjeneratën e viteve ‘80, ata janë gjeneratë më e plogësht me më shumë informacione, por jo me njohuri dhe dije më shumë se gjenerata e viteve ’80, për shembull”, shpjegon Maloku

Ndryshe, Radio Evropa e Lirë ka intervistuar një fëmijë, që thotë se pa lojërat e ndryshme elektronike, apo shikimin e televizorit, nuk e kalon asnjë ditë.

“Unë mendoj se gjenerata ime jemi të varur nga to dhe dëshirojmë edhe të informohemi përmes internetit. Përpos internetit që e shfrytëzoj për informata të ndryshme, unë shikoj edhe filma në I-Pad kryesisht. Pastaj, informohem edhe për aktorë e këngëtarë të ndryshëm, përmes ekranit, qoftë ai kompjuteri, apo I-Pad ose I-Pod, sepse që të gjitha i kam në shtëpi, që i kam fituar si dhurata nga prindërit për ndonjë festë apo për ditëlindje”, thotë Lorika Morina, nxënëse e klasës së 7 të Shkollës fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë.

Edhe prindërit e fëmijëve duken të jenë të shqetësuar për fëmijët e tyre duke parë se sa shumë kohë kalojnë fëmijët pranë ekraneve.

Sipas tyre, kjo vjen si pasojë e jetës dinamike që është bërë vitet e fundit dhe kohës së limituar për t’u marrë me fëmijët e tyre .

Mendoj se sot, pothuajse çdo fëmijë kalon shumë kohë i ekspozuar ndaj ekraneve, qoftë TV, Ipad, apo ndonjë mjet tjetër elektronik, dhe mendoj se s’mund të mos jetë e dëmshme nëse qëndrojnë shumë gjatë. Pastaj, problemi tjetër është se lojërat si dhe filmat e ndryshëm për fëmijë tash nuk janë edhe shumë të kontrolluar dhe gjithashtu jo adekuat për moshat e caktuara, të cilët fëmijët nuk i zgjedhin, por i shikojnë”, thotë Mentor Kastrati, prind.

Ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj mjeteve teknologjike, ka qenë temë debati edhe në shumë vende nëpër botë, duke u vlerësuar shpeshherë si i dëmshëm.
XS
SM
MD
LG