Ndërlidhjet

Kiev: Zgjerohet kampi i protestuesve


Protestuesit anti-qeveri në Ukrainë e kanë zgjeruar kampin e tyre në kryeqytetin Kiev, pas bisedimeve, pa ndonjë rezultat konkret, ndërmjet opozitës dhe presidentit, Viktor Yanukovich.

Protestuesit kanë ndërtuar barrikada të reja rreth Sheshit të Pavarësisë dhe, po ashtu, e kanë okupuar ndërtesën e Ministrisë së Bujqësisë, por duket se një lloj i qetësisë po mbretëron në rrugën Hrushevsky, jo larg qendrës, ku ka pasur përleshje të dhunshme për katër ditë.

Mbrëmë vonë, liderët opozitarë e mbajtën një takim disa orësh me Yanukovichin, por protestuesit më vonë i kanë refuzuar koncesionet e ofruara nga presidenti.

Pas bisedimeve, liderët opozitarë thanë se Yanukovich ka premtuar sigurimin e lirimit të një numri të protestuesve të arrestuar pas përleshjeve me policinë dhe ndaljen e arrestimeve të mëtejshme.

Por, njëri nga liderët opozitarë, Vitrali Klitschko, u tha protestuesve se presidenti dukej se i kishte veshët e shurdhër ndaj kërkesës kryesore të protestuesve - dorëheqjen e qeverisë.

Pas mesnatës nga e entja në të premten, liderët opozitarë, Vitali Klitschko dhe Oleh Tyahnybok, i vizituan protestuesit në rrugën Hrushevsky, me qëllim që t’i bindin protestuesit atje që ta mbajnë qetësinë dhe të mos përleshen me policinë.

Ish-kampionoi botëror në boks, që u shndërrua në politikan, Vitali Klitschko, u tha protestuesve që ta rrisin presionin në qeverinë e Ukrainës.

“Vetëm dëshiroj të them edhe njëherë se prej mëngjesit të sotëm ne duhet të bëjmë presion në mënyrë që qeveria të paraqes dorëheqje”, tha Klitschko.

Njëherësh, protestuesit i kanë okupuar edhe zyrat e administratave rajonale në disa qytete në pjesën perëndimore të Ukrainës, përfshirë Lvovin, Rivnen, Ternopilin dhe Kmelnickin.

Në qytetin Lvov protestuesit gjatë ditës së sotme i kanë bllokuar hyrjet në ndërtesën e administratës rajonale, duke mos i lënë punëtorët të hyjnë në to, pasi guvernatori rajonal ishte detyruar që ta nënshkruajë një letër për dorëheqjen e tij.

Në qytetin Çerkasi, protestuesit e shkatërruan selinë e guvernatorit rajonal, por policia më vonë e mori kontrollin ndaj kësaj ndërtese.

Aktivistët thanë se një protestues ishte lënduar rëndë dhe është në spital në gjendje kritike shëndetësore.

Policia tha se 58 vetë janë arrestuar.

Të martën parlamenti do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, ndërsa zyrtarët kanë thënë se mund të shqyrtohen kërkesat e opozitës për dorëheqjen e qeverisë dhe, po ashtu, amendamentet në legjislacionin aktual për kufizimin e protestave.

Zhvillimet në Ukrainë po ndiqen me kujdes edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarë të lartë të BE-së pritet të arrijnë në Kiev për të ndihmuar në dialogun politik.

Nga ana tjetër, Uashingtoni ka shprehur shqetësim të thellë për situatën në Ukrainë.

Duke folur para gazetarëve mbrëmë vonë në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, pos tjerash, theksoi:

“Do të them thjeshtë se ne jemi thellë të shqetësuar nga dhuna, kjo situatë u intensifikua për shkak të refuzimit të qeverisë së Ukrainës për të dëgjuar dhe për tu marrë seriozisht me ankesat e popullit të Ukrainës. Lëvizja opozitare këtu ishte lëvizje jo e dhunshme dhe i miratoi këto parime. Ne i bëjmë thirrje qeverisë të përmbahet nga dhuna dhe ne e mbështesim dialogun ndërmjet qeverisë dhe opozitës”, tha Jay Careny.

Protestat anti-qeveri kanë filluar në muajin nëntor të vitit të kaluar, pasi presidenti Yanukovich hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje për afrim me Bashkimin Evropian.

Nga përleshjet anti-qeveri deri tash janë vrarë tre vetë.

Ministria e brendshme sot ka konfirmuar se dy protestues të vrarë të mërkurën ishin qëlluar nga të shtënat me armë zjarri, por e ka hedhur poshtë çfarëdo përgjegjësie të policisë.

Trupi i personit të tretë të vdekur ishte gjetur pasi qartas ai ishte rrëmbyer dhe vrarë nga persona të panjohur.

Aktivistët opozitarë tash thonë se në dhunën e fundit janë vrarë pesë vetë, përfshirë katër që janë qëlluar për vdekje me armë zjarri, por kjo nuk mund të konfirmohet. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG