Ndërlidhjet

Kosovë: Kontrabandohen barnat e paregjistruara


Illustration - Capsules and pills with bottle on white background
Illustration - Capsules and pills with bottle on white background
Fenomeni i kontrabandës me barna po vazhdon. Kjo sipas farmacistëve vjen si pasojë e barnave që nuk janë të regjistruara nga Agjencia për Produkte Medicinale, pra nuk kanë autorizim marketingu, e që tregu i kërkon.

Si pasojë, së fundmi nga inspektorati farmaceutik janë mbyllur edhe disa barnatore ku janë gjetur barna të kontrabanduara.

Alban Desku, farmacist i pavarur, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është e drejtë themelore e njeriut ta ketë një ilaç nëse i varet jeta prej tij.

"Në tregun e Kosovës, sa i përket sektorit të farmacisë ekziston një numër i madh i barnave që kontrabandohen dhe të njëjtat nuk janë të regjistruara dhe nuk kanë autorizim marketingu. Për dallim prej shteteve të rajonit Kosova ka një numër të madh të barnave që i mungojnë dhe kjo është shkaktari pse kontrabandohen barnat në Kosovë".

"Ne si farmacistë, mendoj se duhet ta respektojmë kartën e të drejtave të njeriut, që një pacient nëse e kërkon ilaçin, duhet ta ketë të drejtën ta ketë atë ilaç. Kur pacienti vjen e kërkon ilaçin, atij nuk i intereson a është i kontrabanduar apo si ka hyrë, nuk po flasim për cilësinë, nëse ai ka nevojë jetike për atë ilaç, duhet ta ketë të drejtën ta marrë", shprehet Desku.

Ndërkaq këtë gjendje të krijuar lidhur me barnat, zoti Desku e vlerëson si mospunë të AKPM-së, duke thënë se asnjëherë nuk është hulumtuar tregu, në mënyrë që të dihet saktë se për çfarë lloje ilaçesh ka nevojë vendi.

"Kjo gjendje është pasojë e mospunës së AKPM- së, jo vetëm tash, por prej kohësh, sepse nuk e kanë pasur një plan strategjik, nuk ke kanë hulumtuar tregun se për çfarë barna ka nevojë Kosova. Mund të them se janë rreth 1 mijë lloje të barnave që nuk janë të regjistruara e ka nevojë të mjaftueshme për to", thotë Desku.

Ndryshe zyrtarë në Doganat e Kosovës thonë se barnat si produkte kontrabandohen.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës ka thënë se krahasuar me periudhën paraprake, ka rënie të kontrabandës me barna, megjithatë ky fenomen ende po vazhdon.

"Kemi probleme të tilla dhe tentim të kontrabandimit të barnave. Gjithsesi mbetet një fushë problematike kjo çështje sepse ka importues që nuk janë të licencuar dhe nuk e zbatojnë rregullativën ligjore që parashihet në Kosovë. Dogana e Kosovës ka zënë disa raste dhe nuk mund ta mohojë faktin që ka kontrabandim të barnave, por situata është shumë më mirë sesa që ka qenë më herët", thekson Stavileci.

Ndryshe Arianit Jakupi, kryeshef ekzekutiv i AKPM-së ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë, sipas legjislacionit në fuqi, duhet që para se të tregtohen barnat të regjistrohen në AKPM, procedurë kjo e cila zgjatë.

Gjithashtu, për shkak të tregut të vogël në Kosovë, kompanitë farmaceutike për lloje të caktuara të barnave nuk shfaqin interes për t'i regjistruar, kurse në anën tjetër mund të jenë të nevojshme për pacientët.

Ai ka shtuar se duke hasur në dukuri te tilla, inspektorati Farmaceutik po merr masa ndaj qarkulluesve Farmaceutik të cilët janë në posedim të këtyre barnave, kurse për të siguruar importin e tyre të kontrolluar është hartuar udhëzimi administrativ 18/2013 i cili e rregullon këtë çështje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG