Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligj i ri për nëpunësit


Ilustrim
Ilustrim
Përmes Ligjit të ri për nëpunës administrativë, i cili ka kaluar fazën e parë në procedurë parlamentare, pushteti synon të vendosë nën kontroll absolut tërë aparatin shtetëror, vlerësojnë ekpertët.

Sipas tyre, me dispozitat që përfshin ligji në fjalë, shqiptarët do ta kenë edhe më të vështirë punësimin në administratën shtetërore.

Drage Jovanovski, ekspert juridik në kuadër të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, duke komentuar pjesën e ligjit në fjalë ku theksohet se “ai që do të vlerësohet me notë jo të kënaqshme, do t’i ndërpritet marrëdhënia e punës, ai që do të vlerësohet me notë pjesërisht të kënaqshme për një vit rresht do t’i ulen 30 për qind nga rroga, nëse edhe njëherë vlerësohet me notë pjesërisht të kënaqshme, menjëherë do t’i ndërpritet marrëdhënia e punës”, konsideron se përmes Ligjit për nëpunësit administrativë, rritet presioni ndaj të punësuarve në administratën shtetërore duke qenë nën ankthin se në çdo moment rrezikojnë të humbasin vendin e punës.

“Është më se e qartë se përmes këtij ligji, ashtu siç është propozuar, do të zvogëlohen të drejtat e punëtorëve në administratë. Madje, në vend se të rritet rroga, ajo do të ulet. Absurde është dhe kërkesa që administratorët të njohin gjuhën angleze. Imagjinoni të gjithë francezët në administratën e Francës të njohin gjuhën angleze!".

"Pra, ata punonjës që kanë pozita të tilla ku nevojitet njohja e gjuhës angleze, është në rregull kjo kërkesë, por absurde duket kjo kërkesë nëse ka të bëjë me çdo punëtor administrativ”,
konsideron juristi Jovanovski, duke demantuar qëndrimin e Qeverisë se për ligjin në fjalë janë konsultuar dhe përfaqësuesit e sindikatave.

Nga ana tjetër, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, thekson se pas kësaj, shqiptarët do ta kenë edhe më të vështirë punësimin në administratën shtetërore, me vetë faktin që ligji në mënyrë indirekte favorizon Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit, meqë në të theksohet se gjatë punësimit, do të merret parasysh rangimi i universiteteve në Maqedoni sipas Listës së Shangajit, për vlerësimin e institucioneve të larta arsimore.

Mendoj se me këtë do t`u bëhet një goditje e rëndë institucioneve arsimore në gjuhën shqipe, veçanërisht Universitetit Shtetërorë të Tetovës, meqë do të jepet një mundësi arbitrare për punësimin në institucionet shtetërore studentëve të Universitetit të Shkupit, konform listës së Shangajit, ashtu siç parashihet dhe me ligjin në fjalë”, vlerëson Musliu.

Ai thekson se faj për këtë kanë dhe politikanët shqiptarë që nuk ngritën zërin gjatë promovimit aq të zëshëm nga ana e kryeministrit të Maqedonisë së Listës së Shangajit.

Duke komentuar pjesën e ligjit ku kërkohet njohja e gjuhës së huaj, që duhet të vërtetohet me certifikata dhe diploma të njohura ndërkombëtare, gjersa njohja e gjuhës shqipe nuk është e obligueshme për administratorët maqedonas, Musliu thotë se kjo paraqet edhe një diskriminim për shqiptarët e Maqedonisë.

“Po mendoj se kemi të bëjmë me një “Pi Ar” të çuditshëm të Qeverisë, gjegjësisht tendencën për t`u prezantuar si shërbyes të denjë për investitorët e huaj. Mendoj se do të ishte më e arsyeshme që të sigurohet përkthyes për të gjithë investuesit e huaj dhe njëkohësisht të kërkojë nga administratorët që të njohin gjuhën e dytë zyrtare në Maqedoni, e cila është gjuha shqipe, meqë në këtë mënyrë administratorët do të kenë mundësi t`u ofrojnë shërbime më të mira të gjithë qytetarëve, duke e njohur gjuhën e tyre, me këtë dhe kërkesat e tyre”, potencon Musliu.

Sipas tij, nuk duhet shpresuar shumë në faktin se tani, nëpërmjet këtij ligji Sekretariatit për implementimit e Marrëveshjes Ohrit i jepet një rol shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për punësimet.

Ndryshe, deputetët e opozitës maqedonase vlerësojnë se përmes këtij ligji, synohet të rritet përgjegjësia e punonjësve të administratës shtetërore që të jenë në funksion të qytetarëve.

Partia shqiptare në pushtet, BDI, ka theksuar se si shumë të favorshëm e sheh faktin se Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, sipas këtij ligji, ka kompetenca që të japë pëlqim për çdo plan të punësimit në organet e administratës shtetërore, si dhe të marrë pjesë në Komisionet për seleksionimin e nëpunësve administrativ në këto organe.

Risia kryesore është se çdo organ, çdo institucion që financohet nga buxheti e ka obligim që të përgatisë plan vjetor për punësime dhe për këtë plan vjetor të japë pëlqim edhe Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit.

Ndërsa, partia shqiptare në opozitë, Partia Demokratike Shqiptare, konsideron se përmes këtij ligji, përjashtohet pothuajse tërësisht përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe.

Të pafavorshëm ligjin e konsideron edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e cila thotë se përmes këtij ligji, synohet të frikësohen administratorët për të qenë në shërbim të partisë në pushtet, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore, në të kundërtën do të përballen me vlerësime negative për punën e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG